Botërori 2026 në shifra, rekordet dhe statistikat që po bëjnë histori

Jun 29, 2026 | 16:49

Faza e grupeve e Botërorit 2026 prodhoi jo vetëm emocione dhe surpriza, por edhe një sërë rekordesh historike. Nga Lionel Mesi dhe Kilian Mbape, te Kristiano Ronaldo, Ousmane Dembele dhe talenti i ri Gilberto Mora, ja statistikat më interesante të turneut.mesi92 – Egjipti feston më në fund fitoren e parë historike

Pas plot 92 vitesh pritjeje, Egjipti arriti fitoren e parë në historinë e Botërorëve. “Faraonët”, që debutuan në vitin 1934, në pjesëmarrjen e tyre të katërt dhe ndeshjen e nëntë në Botëror, përmbysën Zelandën e Re falë golave të Ziko, Salah dhe Trezegue. Me këtë sukses, Egjipti la pas Norvegjinë, së cilës iu deshën 56 vite për të fituar ndeshjen e parë në Botëror. Koreja e Jugut priti 48 vite, ndërsa Peruja, Belgjika, Holanda dhe Kanadaja nga 40 vite.

78 – Dik Advokat, trajneri më i moshuar në historinë e Botërorit

Trajneri i Kuraçaos, Dik Advokat, hyri në histori duke drejtuar skuadrën në moshën 78 vjeç e 271 ditë, rekordi absolut për një trajner në Kupën e Botës. Ai theu rekordin e Oto Rehagel, i cili drejtoi Greqinë në Botërorin 2010 në moshën 71 vjeç e 317 ditë.

32 – Dembele realizon një nga tripletat më të shpejta

Francezi Ousmane Dembele shënoi tripletë ndaj Norvegjisë brenda vetëm 32 minutave, duke regjistruar tregolëshin e dytë më të shpejtë në historinë e Botërorëve. Vetëm austriaku Erik Probst ishte më i shpejtë, me 24 minuta në vitin 1954. Lionel Mesi dhe Xhonatan David ishin dy lojtarët e tjerë që realizuan tripletë në fazën e grupeve.

17 – Gilberto Mora hyn në histori

Meksikani Gilberto Mora, në moshën 17 vjeç e 240 ditë, u bë lojtari i gjashtë më i ri që ka luajtur ndonjëherë në një Kupë Bote. Vetëm Pele, Salomon Olembe, Femi Opabunmi, Samuel Eto dhe Norman Uajtsajd kanë debutuar më të rinj.

16 – Eloj Rum vendos rekord me pritjet

Portieri i Kuraçaos, Eloj Rum, realizoi plot 16 pritje në barazimin 0-0 ndaj Ekuadorit. Është numri më i madh i pritjeve në një ndeshje 90- minutëshe në historinë e Botërorit, duke barazuar rekordin absolut të Tim Hauard, vendosur pas kohës shtesë në Botërorin 2014.

9 – Vetëm tre skuadra me maksimumin e pikëve

Vetëm Argjentina, Franca dhe Meksika e mbyllën fazën e grupeve me nëntë pikë. Ndërkohë, Grupi H, i fituar nga Spanja me shtatë pikë, u bë vetëm grupi i katërt në historinë e Botërorit ku vetëm një skuadër arriti të fitonte një ndeshje.

6 – Gjermania regjistron fitoren më të thellë

Gjermania shkatërroi Kuraçaon me rezultatin 7-1, duke regjistruar fitoren më të thellë të këtij Botërori. Skuadra e Julian Nagelsman shënoi 6 gola në 50 minuta, ndërsa Kai Havertz realizoi dy prej tyre. Pasuan edhe fitoret e thella të Kanadasë 6-0 ndaj Katarit, Portugalisë 5-0 ndaj Uzbekistanit dhe Senegalit 5-0 ndaj Irakut.

6 – Kristiano Ronaldo zgjeron rekordin e tij historik

Kristiano Ronaldo shënoi në edicionin e tij të gjashtë të Kupës së Botës, duke zgjeruar rekordin si lojtari që ka realizuar gola në më shumë Botërorë. Në moshën 41- vjeçare ai u bë golashënuesi i dytë më i moshuar në historinë e turneut, pas Roxher Millës së Kamerunit.

6 – Mesi kryeson garën për “Këpucën e Artë”

Lionel Mesi është golashënuesi më i mirë i turneut deri tani me 6 gola. Pas tij renditen Kylian Mbape, Ousmane Dembele, Vinicius Zhunior dhe Erling Haland me nga 4 gola secili. Mesi dhe Mbape kryesojnë edhe kontribute në gola të tjerë, me nga gjashtë secili.

3 – Mbretërit e asistimeve

Bruno Guimaraesh, Aleksandër Isak dhe Majkëll Olise janë liderët e asistimeve në turne, me nga tre secili. Një grup prej 16 futbollistësh, mes tyre Kilian Mbape, Martin Odegard, Mohamed Salah, Xhoshua Kimish dhe Florian Virtz, kanë dhënë nga dy asistime.

0 – Meksika dhe Spanja, mbrojtjet perfekte

Vetëm Meksika dhe Spanja e mbyllën fazën e grupeve pa pësuar asnjë gol. Portierët Ral Rangel dhe Unai Simon ishin protagonistët kryesorë të këtij suksesi. Për Spanjën është hera e parë që kalon fazën e grupeve të një Botërori pa pësuar gol, ndërsa Unai Simon ka arritur në 430 minuta pa e nxjerrë topin nga rrjeta. Rekordi historik i Botërorit mbahet ende nga portieri italian Valter Zenga, me 517 minuta pa pësuar gol në vitin 1990. Tibua Kurtua dhe Alison kanë shkuar respektivisht në tetë dhe shtatë ndeshje me portën e paprekur, ndërsa rekordi absolut prej 10 “rrjeta të paprekura” ndahet nga Piter Shilton dhe Fabien Bartez.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

Te lidhura