Kaosi vazhdon në Qytetin e Meksikos vetëm një javë para fillimit të Botërorit.
Protesta masive të mësuesve dhe gjyqtarëve në pension, mbyllje rrugësh dhe punime të minutës së fundit kanë shkaktuar edhe dje vështirësi të mëdha për miliona banorë, të cilët janë detyruar të përballen me vonesa të gjata dhe devijime të komplikuara në lëvizjen e përditshme.
Në këtë kryeqytet do të luhet më 11 qershor ndeshja hapëse e Botërorit mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut. Duke shfrytëzuar vëmendjen ndërkombëtare mbi Meksikën, sindikatat e mësuesve dhe sektorëve të tjerë kanë organizuar marshime dhe kanë bllokuar rrugët kryesore të qarkullimit.
Protestuesit kanë bërë të ditur se veprimet e tyre, që nuk lidhen me turneun, mund të përshkallëzohen nëse qeveria e presidentes Klaudia Sheinbaum nuk merr parasysh kërkesat e tyre.
Në veçanti, sindikata e mësuesve CNTE kërkon nga ekzekutivi që të mbajë premtimin elektoral për shfuqizimin e një ligji të vitit 2007 që reformoi sistemin e pensioneve për punonjësit e sektorit publik, si dhe rritje pagash.
Në rast të kundërt, ata nuk përjashtojnë protesta të reja edhe në ditën e ndeshjes inauguruese të Botërorit. /Panorama Sport/
© Panorama.al












