Financat: 12.2 për qind e parave që ka marrë qeveria janë financuar nga individët
Ulet afati i shlyerjes, vetëm 5% blenë obligacione afatgjata
Borxhi që qeveria mori gjatë vitit 2011, në masën më të madhe të tij ishte borxh afatshkurtër në bono thesari me afat maturimi njëvjeçar. Duket se frika nga mjedisi ekonomik në alarm krize i ka detyruar “investitorët” në këtë treg të zgjedhin praktikën e një përfitimi më të ulët, por në një afat më të shkurtër sesa ajo e përfitimit më të lartë në një afat më të gjatë. Raporti i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për zhvillimin në tregun me pakicë të letrave me vlerë të qeverisë për vitin 2011, shpjegon se gjatë vitit që sapo mbyllëm, interesi për të blerë obligacione ka qenë shumë i ulët krahasuar me atë të blerjes së bonove. “Tregu me pakicë i letrave me vlerë të qeverisë gjatë vitit 2011 u dominua në masën 94.41 për qind nga transaksionet në instrumente afatshkurtra (bono thesari) dhe 5.59 për qind nga instrumente afatgjata (obligacione). Përsa i takon numrit të transaksioneve, 98.72 për qind e të gjitha transaksioneve të tregut me pakicë të letrave me vlerë të qeverisë u takojnë transaksioneve të kryera me bono thesari”, shprehet Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Sipas të njëjtit raport vlerësohet se pjesëmarrja në tregun me pakicë të letrave me vlerë të qeverisë dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë rreth 97.51 për qind të të gjitha transaksioneve në këtë treg, në raport me personat juridikë. Përballë kësaj janë edhe të dhënat e Ministrisë së Financave që përforcojnë faktin që individët kanë qenë aktivë në investimin e parave të tyre në bono thesari duke i dhënë borxh qeverisë në një masë të konsiderueshme. Kështu, sipas treguesve të borxhit të Ministrisë së Financave, të cilët janë të detajuar deri në shtator të vitit 2011, vlerësohet që individët i kanë dhënë 12.26 për qind të borxhit total qeverisë deri në shtator 2011. Pjesën tjetër të borxhit qeveria e ka marrë nga Banka e Shqipërisë në masën 14 për qind, nga bankat e tjera të nivelit të dytë në vend, por edhe institucione jobankare.











