Bordi i Paqes për Gazën, Marco Rubio dhe Tony Blair mes emrave në bordin e lartë ekzekutiv të iniciuar nga Trump! Si do të funksionojë

Jan 17, 2026 | 18:45

Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe ish kryeministri britanik, Tony Blair do të jenë dy  nga anëtarët e bordit ekzekutiv themelues të “Bordit të Paqes” për Gazën, inciativë e presidentit Donald Trump.

tony blair dhe marco rubio

I dërguari i Trumpit në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner, do të jenë gjithashtu pjesë e këtij organi, ndërsa vetë Trump do të veprojë si kryetar i bordit, pjesë e planit të tij prej 20 pikash për t’i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe Hamasit. Ai pritet të mbikëqyrë përkohësisht drejtimin dhe rindërtimin e Gazës.

LEXO EDHE: Bordi i Paqes, Kryeministri Rama zbulon ftesën që ka marrë nga Presidenti Trump: Shqipëria ftohet si anëtare themeluese! Majë krejt e paimagjinueshme!

 

Struktura e Bordit të Paqes ende nuk është bërë publike, raporton BBC, por disa detaje janë zbuluar. Do të përbëhet nga dy nivele të larta: “Bordi Ekzekutiv themelues”, që fokusohet në investime dhe diplomaci, dhe “Bordi Ekzekutiv i Gazës”, përgjegjës për mbikëqyrjen e punës në terren të Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG).

Në bordin themelues janë edhe Marc Rowan, kreu i një firme private kapitali, Ajay Banga, kreu i Bankës Botërore, dhe Robert Gabriel, këshilltar i sigurisë kombëtare të SHBA-së. Çdo anëtar ka një portofol “kritik për stabilizimin dhe suksesin afatgjatë të Gazës”. Bordi i Paqes do të përbëhet gjithashtu nga krerë qeverish, të cilët ende nuk janë shpallur zyrtarisht.

Tony Blair, kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar nga 1997 deri në 2007 dhe figura kyçe në përfshirjen e Britanisë në Luftën e Irakut në 2003, ka luajtur një rol të rëndësishëm si i dërguar i Lindjes së Mesme për Kuartetin e fuqive ndërkombëtare (SHBA, BE, Rusi, OKB).

Ai u fokusua në zhvillimin ekonomik të Palestinës dhe krijimin e kushteve për një zgjidhje me dy shtete. Ai ka qenë pjesë e bisedimeve të nivelit të lartë mbi të ardhmen e Gazës dhe ka marrë pjesë në takime me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë për planet territoriale, të cilat janë përshkruar si “shumë gjithëpërfshirëse”. Blair është anëtari i vetëm jo-amerikan i bordit dhe ka thënë se ndihet i nderuar dhe i privilegjuar të punojë me Witkoff dhe Kushner për të promovuar paqen dhe prosperitetin.

Komiteti teknokratik palestinez prej 15 anëtarësh, Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), është ngritur për menaxhimin e qeverisjes së përditshme të Gazës së pasluftës. Ai do të kryesohet nga Ali Shaath, ish-zëvendësministër në Autoritetin Palestinez, dhe përfaqësues i bordit në terren do të jetë Nickolay Mladenov, ish-i dërguar i OKB-së për Lindjen e Mesme.

Plani i Trump parashikon edhe vendosjen e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi (ISF) në Gaza për të trajnuar dhe mbështetur forcat policore palestineze të verifikuara. Gjenerali Major amerikan Jasper Jeffers do të drejtojë këtë forcë me detyrën për të “vendosur sigurinë, ruajtur paqen dhe krijuar një mjedis të qëndrueshëm pa terrorizëm”.

Plani i paqes i SHBA-së, i futur në fuqi në tetor, ka kaluar në fazën e tij të dytë, por mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Gazës dhe 2.1 milionë palestinezëve që jetojnë atje. Në fazën e parë, Hamasi dhe Izraeli ranë dakord për një armëpushim, shkëmbim pengjesh dhe të burgosurve, tërheqje të pjesshme izraelite dhe rritje të ndihmave. Faza e dytë parashikon rindërtimin dhe demilitarizimin e plotë të Gazës, përfshirë çarmatimin e Hamasit dhe grupeve të tjera palestineze.

Megjithatë, armëpushimi mbetet i brishtë dhe të dy palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje. Deri tani, pothuajse 450 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, sipas ministrisë së shëndetësisë të Gazës, ndërsa ushtria izraelite ka humbur tre ushtarë nga sulmet palestineze gjatë së njëjtës periudhë. Kushtet humanitare vazhdojnë të jenë katastrofike, pasi ka nevojë urgjente për furnizime kritike, sipas OKB-së.

Lufta në Gaza nisi pas sulmit të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng. Që atëherë, mbi 71,260 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, sipas ministrisë së shëndetësisë së territorit.

© Panorama.al

Te lidhura