Bomba me celular, zbulohet një thirrje e humbur

Jul 14, 2012 | 12:28
Eksperti duke çaktivizuar bombën

DURRES – Ekspertët e Policisë që po eksperimentojnë bombën me telekomandë që u gjet mesditën e së enjtes në një pikë karburanti në Shkozet të Durrësit, thanë se kanë gjetur një thirrje të humbur në celularin që ishte mbështjellë më tritol C4. Sipas hetuesve, atentatorët kanë tentuar për ta shpërthyer tritolin, por për fat të mirë një prej fijeve që jep komandën përfundimtare të shpërthimit nuk ishte në vendin e duhur, duke e nxjerrë jashtë loje telefonin. Dyshohet se bomba me telekomandë mund të ketë qenë vendosur në pjesën e poshtme të mjetit që ka hyrë në karburant për t’u furnizuar dhe, në momentin që drejtuesi ka përplasur derën, bomba ka rënë në tokë. Pavarësisht hetimeve intensive që po kryhen nga ana e Policisë së Durrësit, ende nuk dihet se kush mund të ketë qenë shënjestra e vërtet e këtij atentati. Ekspertët thanë se sasia e tritolit ishte shumë e madhe dhe, nëse do të shpërthente, do të kishte pasoja të mëdha. Bomba artizanale ishte përgatitur shumë mirë nga ana e dizenjatorit, por, sipas ekspertëve, defekti në të mund të ketë ndodhur gjatë kohës që mjeti në të cilin ishte vendosur ka përshkuar ndonjë rrugë me gropa dhe nga tronditja një prej fijeve kishte dalë nga vendi, duke mos kryer siç duket funksionin. Për të zbuluar atentatorin, policia i ka kërkuar kompanisë telefonike të gjejë se kujt i përket numri që ka bërë thirrjen e fundit në telefonin që ishte përdorur për të realizuar bombën me telekomandë. Të ndihmuar nga punëtorët e karburantit, Policia po punon për të gjetur tri mjetet e fundit që janë furnizuar përpara se të vihej re prania e sasisë së tritolit në karburant. Policia tha se punonjësit kanë ndihmuar vetëm në përcaktimin e ngjyrës së mjeteve dhe tipin e tyre, por nuk kanë dhënë të tjera të rëndësishme, siç janë targat. Bomba me telekomandë e paaktivizuar është konstatuar mesditën e së enjtes pranë një karburanti në Lagjen 14 të qytetit të Durrësit.         l.m

© Panorama.al

Te lidhura