Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ, Genc Gjonçaj, e akuzoi këtë institucion për dyshime manipulimi të zgjedhjeve.Duke kërkuar informacion për cilësinë e bojës matrikuluese që përdoret ditën e votimit e që nuk lejon votimin e shtetasve më shumë se një herë, Gjonçaj i kërkoi kreut të KQZ-së që t’i paraqesë të gjitha të dhënat e bojës që do të përdoret në datën 8 maj në votim. “Zoti kryetar, ju kam bërë një kërkesë, për të na dhënë cilësitë e bojës matrikuluese. Në bazë të nenit 26 të Kodit Zgjedhor, subjekteve të akredituara në KQZ duhet t’u vihet në dispozicion çdo lloj informacioni që ka të bëjë me zgjedhjet, në pikën “d” të nenit 3 thuhet të njihen dhe të marrin informacion për çdo aspekt të procesit zgjedhor. Përgjigjja e pyetjeve që Partia Socialiste ka ngritur pranë KQZ-së lidhur me bojën matrikuluese është në interes direkt të këtij komisioni. Pra jemi përsëri në pritje të kësaj përgjigjeje. Unë besoj se të gjitha pyetjet që kemi bërë duhet të kenë një përgjigje, dhe kjo duhet të tregojë një disponibilitet ligjor ndaj laboratorit përkatës ligjor. Ju kujtoj se në zgjedhjet e fundit kjo kërkesë e opozitës ka qenë e vazhdueshme, por asnjëherë nuk i është thënë që shko tek laboratori dhe kërko mostrën për analiza të mëtejshme. Jo, pyetjet dhe përgjigjet i bëjmë dhe i marrim nga KQZ-ja. Nëse nuk garantohet cilësia e bojës matrikuluese, vihen në rrezik garancitë e zgjedhjeve”, u shpreh Gjonçaj. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, i njohu përfaqësuesit e opozitës se cilësitë e bojës matrikuluese janë miratuar me një vendim të KQZ-së, pasi ishte certifikuar më parë nga laboratori shkencor ligjor. “KQZ ka marrë një vendim për karakteristikat që duhet të ketë boja matrikuluese. Mbi bazën e këtyre karakteristikave është lidhur kontrata me shoqërinë që sjell bojën matrikuluese. Pasi boja erdhi në KQZ, u ftuat ju dhe kushdo tjetër që ishte i interesuar dhe në praninë tuaj u morën mostra rastësore të bojës dhe u dërguan në laboratorin e vetëm që mund të bëjë analiza të tilla. Përgjigjja që erdhi nga laboratori është zyrtare, të cilën në çdo moment mund ta keni në dispozicion, sipas së cilës, boja plotëson të gjitha karakteristikat sipas kërkesave që ka bërë KQZ. Këtu mbyllet interesi për KQZ-në. Çdo pjesë tjetër është çështje dhe interesi juaj, jo për KQZ-në. Për të gjitha pyetjet që mund të keni, mund t’i drejtoheni laboratorit dhe për çdo pyetje që mund të keni, ne ju vemi në dispozicion mostrat. Kjo është përgjigjja ime”, u shpreh Ristani. Ndërsa anëtari i KQZ-së, Artan Laze, i kërkoi kreut të institucionit që të jetë sa më transparent dhe të plotësojë kërkesën e opozitës, pasi, sipas tij, transparenca ka të bëjë me dinjitetin e institucionit. “Mungesa e përgjigjes dëmton jo vetëm transparencën, por dhe institucionin tonë në përgjithësi, duke na çuar në paragjykim pse nuk i jepet përgjigje kësaj kërkese. Në të kundërt, unë do të mendoja keq për transparencën dhe cilësinë e zgjedhjeve”, u shpreh Laze. KQZ do ta njohë, në mbledhjen e sotme, përfaqësuesin e PS-së me vendimin e KQZ dhe certifikimin e cilësisë së bojës matrikuluese nga laboratori shkencor.
Vëzhguesit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje dhe kërkesat e institucioneve të huaja për të pasur vëzhgues në zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri. KQZ miratoi 53 vëzhgues të Misionit të OSBE-së në Tiranë, në krye të të cilit ndodhet kreu i misionit, Eugen Volfarth. Gjithashtu, Ambasada e SHBA në Tiranë do të ketë 8 vëzhgues, ndërsa Këshilli i Europës do të ketë 31 vëzhgues më 8 maj. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dhe 17 vëzhgues nga Komiteti Norvegjez i Helsinkit, ndërsa një ditë më parë kishte rrëzuar kërkesën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit për shkak se kërkesa e tyre u paraqit jashtë afateve kohore të përcaktuar në Kodin Zgjedhor.
Debati në KQZ
Genc Gjonçaj: Zoti kryetar, ju kam bërë një kërkesë për të na dhënë cilësitë e bojës matrikuluese. Në bazë të nenit 26 të Kodit Zgjedhor, subjekteve të akredituara në KQZ duhet t’u vihet në dispozicion çdo lloj informacioni që ka të bëjë me zgjedhjet. Në pikën “d” të nenit 3 thuhet të njihen dhe të marrin informacion për çdo aspekt të procesit zgjedhor. Përgjigjja e pyetjeve që Partia Socialiste ka ngritur pranë KQZ-së lidhur me bojën matrikuluese është në interes direkt të këtij komisioni.
Arben Ristani: KQZ ka marrë një vendim për karakteristikat që duhet të ketë boja matrikuluese. Mbi bazën e këtyre karakteristikave është lidhur kontrata me shoqërinë që sjell bojën matrikulluese. Pasi boja erdhi në KQZ, u ftuat ju dhe kushdo tjetër që ishte i interesuar dhe në praninë tuaj u morën mostra rastësore të bojës dhe u dërguan në laboratorin e vetëm që mund të bëjë analiza të tilla. Përgjigjja që erdhi nga laboratori është përgjigje zyrtare, të cilën në çdo moment mund ta keni në dispozicion, sipas së cilës, boja plotëson të gjitha karakteristikat sipas kërkesave që ka bërë KQZ. Këtu mbyllet interesi për KQZ. Çdo pjesë tjetër është çështje dhe interesi juaj, jo për KQZ-në. Për të gjitha pyetjet që mund të keni, mund t’i drejtoheni laboratorit dhe për çdo pyetje që mund të keni, ne ju vëmë në dispozicion mostrat. Kjo është përgjigjja ime.
Artan Laze: Kërkesa për cilësinë e bojës matrikuluese është një kërkesë e ligjshme, pa cenuar veprimtarinë e KQZ-së. Mungesa e përgjigjes dëmton jo vetëm transparencën, por dhe institucionin tonë në përgjithësi, duke na çuar në paragjykim pse nuk i jepet përgjigje kësaj kërkese. Në të kundërt, unë do të mendoja keq për transparencën dhe cilësinë e zgjedhjeve.
Dëmtohen fletët e votimit gjatë transportit
Rrezikohet procesi i votimit për zgjedhjet lokale të 8 majit në rrethin e Pogradecit, pasi materialet zgjedhore për qendrat e votimit në këtë rreth u dëmtuan gjatë transportit. Të paktën 2500 fletë votimi, por edhe materiale të tjera zgjedhore, janë dëmtuar gjatë transportit nga Tirana për në zonën e Pogradecit. Dëmtimi i tyre ka qenë aksidental, sepse mjetit që i transportonte këto materiale zgjedhore i është çarë gjatë rrugës tenda e makinës, dhe brenda saj ka depërtuar shiu. Kjo është konstatuar kur mjeti që transportonte materialet zgjedhore ka mbërritur në Pogradec, dhe është vënë re se fletët e votimit kanë qenë tërësisht të lagura. Me vendim të KZAZ, këto fletë votimi janë kthyer sërish për në Tiranë, meqenëse ishin të dëmtuara nga shiu, por ndërkaq ende nuk dihet nëse do të përgjigjet në kohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të zëvendësuar kontingjentin e fletëve të votimit të dëmtuara, në mënyrë që zgjedhësit në 2 qendra votimi në Pogradec të votojnë në zgjedhjet e 8 majit.
Përfundon prodhimi i 7,4 milionë fletëve të votimit
Shtypshkronja “Mediaprint” përfundoi punën për prodhimin e 7,4 milionë fletëve të votimit. Njoftimi u dha dje nga Anila Bisha Leka, drejtuese e shtypshkronjës “Mediaprint”. “Shtypshkronja ka punuar me kapacitete të larta prodhimi dhe me një ritëm pune 24 orë. Stafi i Mediaprint, pas 12 ditëve pune intensive, ka përfunduar punën në të gjitha proceset e kërkuara nga KQZ-ja për realizimin e fletëve të votimit”, thuhet në njoftimin e drejtuesve të shtypshkronjës. Puna e Mediaprint-it është realizuar në kushte të larta sigurie dhe me sistem vëzhgimi, në praninë e përfaqësuesve të KQZ-së dhe të partive politike, duke respektuar të gjitha kushtet që KQZ kishte përcaktuar për prodhimin e fletëve të votimit. “Pranë magazinave të KQZ-së janë dorëzuar tashmë 7,4 milionë fletë të prodhuara dhe të përfunduara në të gjitha proceset, të ndara në blloqe, duke plotësuar kështu kërkesat për 66 KZAZ. Mediaprint ka përballuar një volum pune të jashtëzakonshëm dhe ia doli me sukses në sajë të impenjimit të stafit të kualifikuar dhe teknologjisë së prodhimit, e cila është e standardeve të larta dhe e kompjuterizuar. Makineritë rotative dhe offset arritën të prodhojnë rreth 500 mijë fletë në ditë. Po kështu, me të njëjtin ritëm u realizua edhe procesi i numërimit, performimit dhe ndarja në blloqe”, thuhet në njoftimin e shtypshkronjës.
Berisha: Komisionerët të ruajnë votat
Tri ditë para mbylljes së fushatës elektorale dhe pesë ditë para zgjedhjeve të 8 majit, kryeministri Sali Berisha u kërkoi komisionerëve që të “ruajnë” votat, të respektojnë ligjin dhe integritetin e votës, pa asnjë ndikim partiak. “I siguroj ata se, pavarësisht nga forca politike, janë ata që në datën 8 maj shndërrohen në vendimmarrësit më kryesorë, në kujdestarët e votës së qytetarëve shqiptarë. Ata e kanë procesin zgjedhor në duart e tyre”, tha Berisha, ndërsa i ftoi forcat politike që në trajnimet që u bëjnë komisionerëve, të përfshijnë të gjitha rekomandimet e ODHIR-it që kanë të bëjnë me komisionet. Këtu ai përmendi edhe vendosjen e votimit elektronik në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit të vitit 2009, që sipas tij, bëri që zgjedhjet të certifikohen. “Ky sistem, – tha kryeministri, – po del gjithnjë e më shumë në pah si sistemi më i saktë për numërimin e votave”.
OSBE: Qytetarëve t’u garantohet siguri në votime
TIRANE – Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, pas një takimi me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, deklaroi se OSBE pret që 8 maji të jetë dita më e mirë e zgjedhjeve që janë bërë ndonjëherë në Shqipëri. Sipas tij, nga të dhënat e deritanishme për trajnimet dhe përgatitjet që janë bërë, është e qartë se Policia e Shtetit është përgatitur më së miri për të mbajtur nën kontroll çdo situatë të mundshme dhe për të krijuar një mjedis paqësor ditën e votimeve. “Ne presim një ditë të qetë festimi të demokracisë, presim që qytetarët të kenë akses të lirë në qendrat e votimit, të dalin të votojnë atë ditë, të kontribuojnë nëpërmjet kësaj detyre qytetare duke hedhur votën e tyre dhe duke pasur besim te sistemi. Policia është përgatitur më së miri për të asistuar sa herë të jetë e nevojshme duke krijuar mjedis paqësor”, u shpreh ambasadori Volfarth. Sipas kreut të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, është e rëndësishme që qytetarët të mos e braktisin sjelljen paqësore që kanë pasur deri tani dhe është e rëndësishme që ata të mos ndjehen të kërcënuar. Ndërsa ministri Bujar Nishani deklaroi se OSBE ka një kontribut të rëndësishëm në këto zgjedhje dhe ka dhënë siguri për një ambient të qetë për të votuar.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











