Bode: Ja ku na goditi kriza ekonomike

Nov 9, 2011 | 10:18

Ridvan Bode, ministri i Financave

“Bankat nuk blejnë bono afatgjata, por vetëm 1-vjeçare”. Ndarja e fondeve, ministri paraqet buxhetin: Në 2012, rritje ekonomike 4.3 për qind.
Buxheti i vitit 2012 do të jetë konservator në kuadër të kontrollit të deficitit dhe borxhit publik, por gjithsesi ai do të mbështesë një rritje ekonomike mbi 4.3 për qind. Ministri i Financave ka dhënë dje këto argumente në Konferencën e kryetarëve, ku bëri edhe paraqitjen e projektligjit për buxhetin e vitit të ardhshëm, duke dhënë në detaje disa nga prioritetet që mbështet ky buxhet, si dhe performancën që pritet si në kahun e të ardhurave, ashtu edhe në atë të shpenzimeve. “Buxheti i vitit 2012 është një program konservativ në drejtim të një përpjekjeje për të dhënë një kontribut të çmuar në stabilitetin makroekonomik të vendit përmes financave të vendit. Një maturi e qeverisë për të programuar jo me rezerva, por nisur dhe nga pritshmëritë jo fort pozitive sa i përket eurozonës”, u shpreh dje ministri në fjalën e tij. Sipas Bodes, ekonomia shqiptare përgjatë vitit 2011 ka pasur një ecuri pozitive të saj, trend të cilin parashikohet që ta ruajë edhe gjatë 2012-s, kjo në aspektin e rritjes së shënuar. Por, duke iu referuar zhvillimeve të vitit 2011, ministri detajoi dje disa nga zhvillimet që pësuan treguesit ekonomikë në vend për shkak të krizës, duke filluar nga deficiti në llogarinë korrente, përkeqësimi i bilancit të pagesave, rënia e remitancave apo deficiti tregtar. Por nuk ka qenë më e mirë situata, sa u përket mundësive që ka pasur qeveria për të ristrukturuar portofolin e borxhit për të zëvendësuar borxhin më afatshkurtër me atë më afatgjatë. Bankat në vend sipas ministrit kanë qenë më të prira të japin borxhe me afate të shkurtra (1-vjeçare) dhe me një përfitim më të shpejtë. “Dallohet se bankat, si pasojë e politikave të tyre të brendshme për riskun, kanë kufizuar disi pjesëmarrjen e tyre, veçanërisht në ankandet e obligacioneve”, tha Bode. Sa i përket ecurisë së shpenzimeve, për investimet ministri u shpreh dje se ato janë 4.4 për qind më të ulëta gjatë 2011-s krahasuar me 2010-n, ndërkohë që të larta mbeten shpenzimet korrente. Me këto shifra rezulton që qeveria të ketë bërë më shumë riparime brenda zyrave dhe më pak shpenzime për investimet. Lidhur me administratën tatimore, e cila është edhe kryesoja në mbledhjen e të ardhurave, performanca e saj vlerësohet në përgjithësi e mirë, por TVSH-ja sipas Bodes ka dështuar, pasi ka pasur një rënie me 15.3 për qind.

BB: Ndihma nuk shkon ku duhet
Shqipëria është problematike sa i përket skemës së ndihmës ekonomike, pasi kjo e fundit nuk shkon në një pjesë të mirë tek personat që duhet. Përfaqësuesja e Bankës Botërore për Shqipërinë, Ksenya Lvovsky, gjatë një vizite në Korçë në universitetin “Fan Noli”, ku zhvilloi edhe një orë leksioni, ka folur për një sërë çështjesh që lidhen me vendin tonë. Pozitive sipas saj ka qenë rritja ekonomike që Shqipëria ka ruajtur përkundër krizës, por problematik mbetet targetimi aty ku duhet i ndihmës ekonomike. Kjo nuk është hera e parë që Banka Botërore thekson faktin që politikat e ndihmës duhet të jenë më të kujdesshme dhe të përfshijnë njerëzit që kanë vërtet nevojë. Lvovsky gjatë vizitës së saj në Korçë ka theksuar edhe ndihmën që Banka Botërore përfshin për sektorë, si: arsimi, shëndetësia apo mbështetja e biznesit.

© Panorama.al

Te lidhura