Bankat e nivelit të dytë në vend duhet të jenë më transparente me publikun e gjerë kur vjen puna te gjendja e tyre financiare apo te produktet që ofrojnë.Ka qenë kjo një ndër pikat ku e vuri theksin ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë konferencës së djeshme ndërkombëtare të organizuar në Tiranë, me temë “Të ndërtojmë të ardhmen nëpërmjet kulturës financiare”. Kjo nuk është hera e parë që drejt bankave lëshohet thirrja për më shumë transparencë. Më herët, në takime me bankat që operojnë në vend, ka qenë Banka e Shqipërisë ajo që ka bërë të njëjtën thirrje. Ministri i Financave vlerësoi dje se rëndësia e informimit financiar është e madhe dhe ndikon direkt te siguria për të ardhmen. Ai deklaroi se publikimi i të dhënave të detajuara mbi gjendjen e bankave nuk është sekret. “Nuk është tabu dhe nuk është as sekret i kompanive gjendja e tyre financiare apo elemente që kanë të bëjnë me produktet e tyre që ofrojnë në treg dhe raportet e tyre financiare që lidhen me vlerësimin e individit rreth agjentëve që veprojnë në sistemin financiar shqiptar”, tha Bode. Të njëjtit mendim iu bashkua edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në fjalën e tij në konferencën e djeshme. Veçse për Fullanin, një rëndësi primare merr informimi i publikut. Nuk duhet të jenë vetëm bankat, por duhet të jenë të gjitha hallkat që bashkëpunojnë për një informim sa më të mirë financiar. Në këtë pikë, guvernatori theksoi se është i rëndësishëm hartimi dhe zbatimi i një strategjie kombëtare për edukimin financiar. “Banka e Shqipërisë gjykon të nevojshme hartimin dhe zbatimin e një strategjie kombëtare për edukimin bashkëkohor financiar. Banka e Shqipërisë është e gatshme t’i bashkohet çdo nisme në nivel kombëtar, e cila do të synonte të promovonte përhapjen dhe depërtimin e dijes anë e mbanë vendit”, tha Fullani. Për guvernatorin, një popullsi e edukuar mirë financiarisht, ka tendencën të jetë më e prirë të ndërtojë një standard më të lartë jetese, një biznes i edukuar më mirë ka tendencën të hartojë plane më të suksesshme biznesi dhe në total përdorimi i parasë është më efikas. Edukimi i brezit të ri, që është dhe brezi i së ardhmes, sipas guvernatorit, së fundi ka mundësinë të ketë në duar një libër të hartuar nga Banka e Shqipërisë, “Financat në duart tuaja”, si një dritare drejt edukimit financiar.
Sekui: Zbatoni rregullat, ulni borxhin
Shqipëria duhet ta marrë seriozisht uljen e borxhit publik duke zbatuar rregullat dhe duke forcuar mbikëqyrjen në fushën makroekonomike, si një rrugë në ndihmë të zhvillimit. Ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui, gjatë takimit në konferencën ndërkombëtare të organizuar dje, vuri theksin në të njëjtat pika ku edhe institucionet e tjera ndërkombëtare kanë sugjeruar. “Forcimi i mbikëqyrjes në fushën makroekonomike mbetet jetike për Shqipërinë, zbatimi i rregullave fiskale, reduktimi i borxhi publik dhe zbatimi i reformave strukturore janë komponentë kryesorë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, që do të stimulonte rritjen dhe do të rriste të ardhurat, ndërsa ka kapacitete të mjaftueshme në sistemin bankar, përpjekje të mëtejshme nevojiten në sektorin financiar jobankar”, tha ai.
NERTILA MAHO











