Boboshtica, Apeli: 1 vit burg kreut të OMONIA-s

Jan 10, 2012 | 11:11
Naum Disho

KORCË- Gjykata e Apelit ka vendosur sot mashne  dënimit me 1 vit burg për kreun e OMONIA-s në Korcë, Naum Disho.

Pas shqyrtimit të animimit pas vendimit të shkallës së parë, Apeli vendosi dënimin e Dishos me akuzën e dhunimit të varreve në Boboshticë.

Ndërkohë që për dy punëtorët Luan Zave dhe Alqi Koroveshi, gjykata vendosi lirimin e tyre me kusht.

Ne qershor te vitit 2011, Gjykata e Korçës dënoi me një vit burg kreun e OMONIA-s së këtij qarku, Naum Disho, me akuzën e dhunimit të varreve të vjetra të fshatit Boboshticë. Ndërsa dy punëtorët që kryen punime në këto varreza, Alqi Koroveshi dhe Luan Zaçe i denoi me 6 muaj burg, por me kusht që nëse përsëritin një vepër penale për një periudhë kohore prej 18 muajsh, marrin dënim edhe për këtë çështje.

Prokuroria kërkoi 2 vjet burg për kreun e OMONIA-s dhe nga 6 muaj burgim për dy punëtorët që kryen punimet prej betoni në varrezat e Boboshticës. Sipas organit të akuzës, nga hetimi i kryer ka rezultuar dhunimi i varreve deri në nxjerrje të eshtrave, apo betonizim të këtyre eshtrave. Sipas gjykatës, këto punime janë kryer me iniciativën dhe sponsorizimin e kreut të OMONIA-s, Naum Disho, pak kohë para se në këto varreza të zhvillohej ceremonia e përvitshme në memorialin e ngritur për nder të një ushtari grek të vrarë në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Disho u dënua me akuzën e dhunimit të varreve për shkak të ndërhyrjes me punime betoni në zgjerim të një platforme prej betoni dhe ngritjen e shkallëve po prej betoni mes për mes varrezave, duke i pastruar ato më parë nga shkurret dhe bari.

Seancat

Sipas konkluzioneve të dhëna nga ana e gjykatës, në seancën për dhënien e vendimit, akuza e ndërtimit të paligjshëm nuk është e bazuar, ndaj i dënoi tre të pandehurit vetëm për një vepër penale, atë të dhunimit të varreve në bashkëpunim. Menjëherë pas dhënies së këtij vendimi ka pasur reagime sidomos nga të afërm të dy punëtorëve, Alqi Koroveshi dhe Luan Zaçe.

Ata kundërshtuan vendimin duke pretenduar se familjarët e tyre janë të pafajshëm,  pasi ata kanë qenë thjesht punëtorë krahu të paguar për të kryer punimet. Ky reagim me tone të ashpra i të afërmve të dy punëtorëve ka bërë që për shkak të protestës së tyre, ata të nxirren me forcë nga salla e gjyqit. Avokati mbrojtës i Dishos  pretendoi se në këtë rast nuk ka asnjë çështje penale për faktin se qëllimi i Dishos nuk ka qenë të dëmtojë varret, por të investojë për të përmirësuar infrastrukturën e tyre.

Por, edhe pse mbrojtja solli në seancë argumente kundër akuzës që ngrihet mbi Naum Dishon, ky i fundit nuk është lehtësuar prej saj. Skandali i varrezave të Boboshticës nisi disa muaj më parë, kur banorët e fshatit denoncuan dhunimin e betonizimin e varreve, madje nxjerrjen e eshtrave në sipërfaqe.

© Panorama.al

Te lidhura