Superiore/ Pogradeci mund Kamzën, Tomori merr pikën e parë. Humbet edhe Kastrioti, trajneri Ndreu jep dorëheqjen
Teuta e Durrësit i falet sërish kokës së Shetës. Mbrojtësi ka rezultuar deciziv edhe në takimin e djeshëm ndaj Laçit, duke shënuar golin e vetëm të takimit. Duhet thënë se Sheta humbi edhe një penallti disa minuta para se të shënonte, kjo edhe falë pritjes spektakolare të Vashakut, i cili priti 11-metërshin, por nuk ndaloi dot goditjen me kokë të minutës së 72-të. Me këtë fitore Teuta vazhdon të kryesojë e vetme, me dy pikë më shumë se Tirana e vendit të dytë. Sakaq, Flamurtari nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 në takimin e djeshëm ndaj Tomorit. Edhe pse pritej autokritika pas asaj humbjeje të një jave më parë ndaj Skënderbeut, skuadra vlonjate nuk ka mundur që të bëjë kthesën e shumëpritur në rezultate. Për gjatë 90 minutave, kuqezinjtë janë treguar një ekip aspak i denjë për titullin kampion dhe shumë i mërzitshëm, me një lojë lehtësisht të lexueshme nga kundërshtari. Në pjesën e parë, Hysa kaloi në avantazh vendësit, por pak minuta nga fillimi i fraksionit të dytë të lojës Tomori barazoi me anë të Pajës. Pas barazimit, Lena ka një mundësi të mirë për të shënuar, por Llani largon rrezikun. Lutaj ndryshon duke hedhur në fushë Telushin dhe Shehajn, por pavarësisht rasteve të krijuara, rezultati nuk ndryshon deri në fund të 90 minutave. Ndërkohë, Kastrioti humbi në shtëpi 0-1 me Shkumbinin. Sikur të mos mjaftonte kjo, krutanët kanë mbetur edhe pa trajner, sepse menjëherë pas përfundimit të 90 minutave, Ramazan Ndreu ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga drejtimi i kësaj pankine. Të humbur, por edhe pa drejtues, tashmë Kastrioti i vështirëson synimet për një vend në Europë. Nga ana tjetër, Shkumbini, ndonëse kishte ardhur vetëm për një pikë, i ka marrë të tria, duke gjetur një skuadër pa ide dhe që ka shpërdoruar pa fund. Heroi i ndeshjes ishte Gjata. Ky i fundit, në minutën e 55-të gjuan nga 25-30 metra, duke e çuar topin drejt e në rrjetë. Pas këtij goli marrin zemër peqinasit, të cilët fillojnë të lëvizin edhe më lirshëm në fushë, duke kontrolluar deri në fund takimin. Ndërsa në Pogradec vendësit vazhdojnë të jenë të pathyeshëm duke fituar edhe ndaj Kamzës. Liqenorëve u kanë mjaftuar golat e Nasteskit në minutën e 50-të dhe Drazhaninit në të 70-n për të marrë tri pikë të arta. Kurse goli i Enri Tafajit në të 81-tën ishte thjesht sa për statistikë.
Superiore/ Java 10
TË SHTUNËN
Tirana-Dinamo 1-0
Shënues: G.Lika 20′
Bylis-Apolonia 2-1
Shënues: Koreshi 14′, Dimo 71′ (p)/ Gërxho 31′
Vllaznia-Skënderbeu 0-2
Shënues: Shkëmbi 18′, Muzaka 67′ (p)
DJE
Pogradeci-Kamza 2-1
Shënues: Nastevski 50’, Drazhanini 70’, Tafaj 81’
Kastrioti-Shkumbini 0-1
Shënues: Gjata 55′
Flamurtari-Tomori 1-1
Shënues: Hysa 39’/ Paja 48′
Teuta-Laçi 1-0
Shënues: Sheta 72′
Pezullohet 4 muaj, Sukaj: S’jam kundër
Klubi shkodran ka vendosur dje të pezullojë për 4 muaj sulmuesin Xhevahir Sukaj. Gjithashtu në vendimin e marrë nga Këshilli Mbikëqyrës i klubit të Vllaznisë, lojtari është penalizuar me 50% të vlerës së kontratës. “Pasi u analizua veprimi antisportiv dhe joprofesional i Sukaj, i cili refuzoi të aktivizohej në ndeshjen Vllaznia-Skënderbeu, u vendos se penalizmi në masën 50% të vlerës së kontratës së datës 25.01.2011, nënshkruar me KF Vllaznia me lojtarin. Të pezullojë për 4 (katër) muaj Sukajn nga aktivizimi në ndeshje zyrtare, miqësore dhe nga procesi stërvitor pranë ekipit të parë”, shkruhej dje ndër të tjera në komunikatën për shtyp të klubit shkodran. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, sulmuesi Xhevahir Sukaj ka reaguar pas vendimit të klubit shkodran. “E respektoj këtë vendim, pasi ata janë drejtuesit e klubit dhe kanë të drejtë të bëjnë çfarë të duan. Unë nuk jam kundër vendimit, por di t’ju them se ende nuk më është komunikuar masa. Do t’i respektoj këta 4 muaj të dënimit dhe pastaj do të flas konkretisht”, pohoi Sukaj.
“Pavarësia”
Ashtu sikundër është bërë traditë, edhe këtë vit me rastin e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, do zhvillohet Kupa “Pavarësia”. Në të marrin pjesë Flamurtari, Shkëndija e Tetovës, e cila përfaqëson shqiptarët e Maqedonisë, FC Hysi nga Kosova dhe Otronto, skuadër kjo që përfaqëson shqiptarët e Malit të Zi. Takimet do luhen nga 45 minuta dhe, në rast barazimi, kalohet direkt te penalltitë.
Ndreu
“Mendoj se Kastrioti nuk e përballon dot presionin e një skuadre të kreut. Nuk është aspak në rrugën e duhur, gjë që u pa edhe në ndeshjen me Dinamon, por edhe në ndeshjen e kupës me Besën. Në këto kushte, mua më duhet të tërhiqem, në mënyrë që t’i hap rrugën ndonjë trajneri tjetër, por ama dua të theksoj diçka, se futbollistëve u mungon profesionalizmi”, tha trajneri Ndreu pas ndeshjes.
Lutaj
“Nuk e kisha menduar se do të gabonim pikërisht në fushën tonë. Gjithsesi, duke parë rastet e ndeshjes, mendoj se kemi pasur mundësinë për ta fituar takimin dhe kështu duhej të ndodhte, pasi ishim përgatitur më së miri për një gjë të tillë. Luajmë mirë, por i lëmë hapësira kundërshtarit. Ekipi zhvillon volum loje, mban topin më shumë se kundërshtari, por duhet të jetë më i saktë”, ka thekuar tekniku i vlonjatëve.











