
GJIROKASTER- Katër persona nga Lazarati, trafikant droge, shpëtojnë sërish nga duart e Policisë së Gjirokastrës. Mëngjesin e së hënës, Sektori i Narkotikëve në Policinë Rajonale të Gjirokastrës, ndërmori aksionin e koduar “Ngrica”, rezultati i të cilit ishte vetëm kapja e lëndës narkotike prej 75 kg, e llojit marijuanë.
Katër trafikantët sapo kanë vënë re se po ndiqeshin nga policia, mes konfuzionit dhe shpejtësisë për të shpëtuar, kanë braktisur çantat me marijuanë dhe janë larguar në drejtim të Lazaratit.
Grupi hetimor, konstatoi tre çanta shpine të mbushura me marijuanë përmes pakove të mbështjella me letër ngjitëse, ngjyrë kafe me pesha të ndryshme. Në çantën e parë kishte 24 pako, në të dytën 12 dhe në çantën e tretë 24 pako, gjithsej 60 të tilla me peshë totale 75 kg.
Policia Rajonale mbi bazën e informacioneve të marra nga terreni, arriti të identifikojë katër trafikantët të cilët janë shpallur në kërkim..
Deri tani Policia e Gjirokastrës, nuk ka kapur asnjë person nga Lazarati si trafikant të lëndëve narkotike pasi ata në të shumtën e rasteve, janë larguar pa lënë gjurmë, ndërkohë që autoritetet lokale të Policisë, janë mjaftuar me faktin e identifikimit të trafikantëve por që deri më sot rezultojnë si persona të shpallur në kërkim.
Piro Nase
© Panorama.al











