Një sasi e konsiderueshme lënde narkotike u zbulua dje nga doganat italiane dhe u bllokua në Portin e Brindizit në Itali.Sipas Policisë, ka qenë një kontroll i kryer në anijen “Shpirti i Jonit” që ka zbuluar ngarkesën me 270 kilogramë Cannabis sativa. Policia italiane ka pohuar dje se një shtetas shqiptar është vënë në pranga pasi droga në masën 270 kilogramë u gjet e fshehur në konstruktin e makinës së tij. Emri i personit të arrestuar nuk është bërë i ditur ende nga autoritetet italiane që janë duke kryer hetime në lidhje me ngjarjen. Mediat italiane kanë pohuar dje se lënda narkotike ishte nisur nga Porti i Vlorës. “Një sasi droge prej 270 kilogramësh marijuanë u konfiskua nga policia e Brindisit në bashkëpunim me zyrtarët e doganave”, shkruanin dje mediat italiane. Sipas tyre, lënda narkotike e paketuar ishte fshehur në konstruktin e kamionit që ndodhej në anijen që mbërriti dje në Brindizi, pas nisjes nga Vlora. Policia ka bërë të ditur se zbulimi i drogës është bërë pak çaste pasi anija ka ndaluar në Portin e Brindizit. Nga verifikimi i dokumentacionit, pala italiane ka pretenduar se mjeti lundrues në të cilin ndodhej automjeti ishte nisur nga Vlora. Pas zbulimit të lëndës narkotike në makinë, policia ka arrestuar drejtuesin e automjetit, një person me kombësi shqiptare. Emri i tij nuk është bërë i ditur për arsye hetimore, pasi pala italiane mësohet se po pret të identifikojë edhe persona të tjerë të implikuar. Pas arrestimit, shtetasi shqiptar u dërgua në burgun e Brindisit. Atje ai u është nënshtruar procedurave të hetimit për akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. I arrestuari është marrë në pyetje për vendin ku e kishte marrë drogën dhe për bashkëpunëtorët e tij të mundshëm.
Policia shqiptare
Mediat italiane kanë raportuar dje se ngarkesa me drogë e kapur në Portin e Brindizit ishte nisur nga Shqipëria. Ndonëse ngjarje të tilla kanë qenë gjithnjë më të rralla vitet e fundit, nuk është ende e qartë nëse ka prova që tregojnë se ngarkesa është nisur nga vendi ynë. Pala italiane nuk ka dhënë shumë detaje dje me argumentin se çështja është në hetim. Por, nga ana tjetër, burime zyrtare të Policisë së Vlorës kanë pohuar dje se nuk kanë asnjë informacion në lidhje me çështjen. Sipas policisë së Vlorës, strukturat e saj nuk kanë marrë deri tani informacion nga pala italiane për kalimin apo për kapjen e ndonjë mjeti me lëndën narkotike. I vetmi element ka qenë itinerari i anijes dhe identiteti i personit që kishte makinën ku u gjet lënda narkotike.
270 KG lëndë narkotike Cannabis sativa është gjetur në makinën e shtetasit shqiptar që është vënë në pranga nga policia italiane për rastin më të fundit të trafikut të drogës nga Porti i Brindizit.











