Bllokohen 250 kg hashash në Tiranë, kapen trafikantët

Jun 2, 2012 | 14:28
Droga e bllokuar dje nga Policia

Pesë persona u arrestuan dje nga Policia e Tiranës në zonën e Kombinatit, teksa po përgatiteshin për shkëmbimin e një ngarkese prej 250 kilogramësh lënde narkotike marijuanë. Operacioni i koduar “Poker” u finalizua mesditën e djeshme me bllokimin e sasisë së hashashit që vinte nga Vlora me destinacion kryesisht tregun e Tiranës dhe disa qyteteve të tjera të vendit. Burime nga Policia thanë se të arrestuarit janë dy personat që kanë transportuar drogën nga Vlora në kryeqytet, Maltin Lazaj, 24 vjeç, nga fshati Hekal i Fierit dhe Ali Nelaj, 32 vjeç, nga Vlora. Në pranga përfunduan edhe tre personat që kishin porositur sasinë e bimës narkotike dhe e prisnin në Tiranë. Burimet thanë se është arrestuar tregtari Xhoni Karaj, 32 vjeç, i cili kishte vënë në dispozicion edhe furgonin e transportit të mallrave, të kompanisë së tij tregtare (shitje mallrash me shumicë), si dhe Haxhi Cani, 42 vjeç e Valter Liço, 46 vjeç. “Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua bima narkotike me peshë 250 kilogramë dhe automjeti që kishte transportuar drogën. Nga strukturat e Policisë së Tiranës vazhdon hetimi ndaj personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, si dhe hetimi pasuror i aseteve kriminale të përfituara, bazuar në ligjin “Antimafia”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së kryeqytetit. Sipas Policisë, lënda narkotike e vendosur në një furgon do të shkëmbehej mes transportuesve dhe pritësve të saj, ndërkohë që mjeti ku ndodhej narkotiku ishte vendosur në një parking privat për të mos rënë në sy të Policisë.
OPERACIONI
Procedimi penal për goditjen e rrjetit të shpërndarjes së bimës narkotike në Tiranë kishte nisur tre muaj më parë nga oficerët e Antidrogës së kryeqytetit, duke vënë në përdorim metodat speciale të hetimit. Burime nga grupi operacional thanë se sinjalizimi për mbërritjen e ngarkesës së bimës narkotike, të ndarë në 250 pako njëkilogramëshe, është dhënë nga “blerësi i simuluar” mbrëmjen e së enjtes. Sipas informacioneve të siguruara në rrugë operative, Policia e Tiranës është vënë në dijeni se një furgon mallrash, me targë TR 8239 M, ishte ngarkuar me një sasi të konsiderueshme kanabisi, në një fshat në Malësinë e Vlorës dhe do të udhëtonte gjatë natës drejt Tiranës. Policia ka mbajtur nën vëzhgim gjatë gjithë rrugës transportimin e bimës narkotike, derisa është zbuluar vendi ku do të parkohej furgoni me ngarkesën e drogës, në oborrin e një banese private në Kombinat. Pavarësisht se sasia e hashashit ka mbërritur në kryeqytet në orët e para të mëngjesit të djeshëm, oficerët e Antidrogës dhe Operacioneve Speciale kanë ndërhyrë në momentin kur në “bazë”, ku ndodhej edhe furgoni, janë takuar të pestë personat që kishin organizuar trafikun. Deri në mesditë, banesa private në Kombinat është mbajtur në vëzhgim në distancë nga oficerët e Antidrogës, më pas ata kanë kërkuar nisjen e operacionit të koduar “Poker”, duke arrestuar në flagrancë 5 personat e implikuar në trafik. Pas arrestimit të tyre, policia zbuloi edhe pakot me hashash, në sasinë 250 kilogramë, që ende nuk ishte shkarkuar nga furgoni.

TE ARRESTUAR
1. Maltin Kastriot Lazaj, 24 vjeç, nga Fieri

2. Haxhi Ali Cani,
42 vjeç, nga Tirana

3. Valter Muharrem Liço, 46 vjeç, nga Tirana

4. Ali Lefter Nelaj,
32 vjeç, nga Vlora

5. Xhoni Rexhep Karaj, 32 vjeç, nga Tirana

SEKUESTRUAR

Sasia 250 kg kanabis sativa

Automjeti furgon me targë TR 8239 M

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura