Qarkullimi i automjeteve në aksin rrugor kombëtar që lidh Tiranën me zonën Juglindore të vendit dhe anasjelltas vijon të jetë i bllokuar që prej orës 11:00 të ditës së dielë, në segmentin e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”, në dalje të qytetit të Librazhdit.
Sipas të dhënave zyrtare, bllokimi i qarkullimit vazhdon ende, duke pamundësuar lëvizjen normale të mjeteve në këtë pjesë të rrugës.
Nga ora 12:00, shërbimet e Policisë Rrugore janë angazhuar në terren për menaxhimin e situatës dhe për orientimin e drejtuesve të automjeteve drejt akseve alternative. Konkretisht, mjetet që udhëtojnë në drejtim të Tiranës dhe rretheve të tjera po devijohen përmes itinerarit Maliq – Lozhan – Moglicë – Gramsh – Elbasan.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të zbatojnë udhëzimet e shërbimeve të policisë në terren dhe të informohen paraprakisht mbi gjendjen e akseve rrugore, deri në normalizimin e plotë të qarkullimit në këtë segment.
© Panorama.al












