Diplomacia serbe nuk ndalet së punuari kundër Kosovës. Gazeta Blic e Beogradit pretendon se Vuk Jeremic ka arritur të ‘tërheq’ dy njohje të Kosovës. Thuhet se atij i janë dhënë informacionet në Kongresin e të Painkuadruarve se shteti aziatik Omani dhe ai afrikan Guinea Bisau kanë tërhequr njohjen.
“Vuk Jeremic i tha shefit të delegacionit të Omanit se ishte shumë i mllefsour me vendimin e shtetit të tij për ta njohur pavarësinë, përkundër premtimit se kjo nuk do të ndodhte. Bashkëbiseduesi i tij u çudit, duke e siguruar ministrin se një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë. Edhe Guinea Bissau i kishte hyrë procesin e njohes, por deputetët e saj kundërshtuan dhe procedura u ndërpre”, i ka thënë Blicit një burim nga kongresi i mbajtur në Beograd.
Gjithashtu, gazeta shkruan se edhe dy shtete të tjera do të tërheqin njohjen dhe se në një vend afrikan po zhvillohen hetime kundër një zyrtari të lartë që besohet të ketë marrë para për të shpjetuar njohjen.
MPJ njoftoi njoftoi më 4 shkurt të këtij viti se Omani e kishte njohur pavarësinë e Kosovës me çka kishte shkuar në 75 numri i njohjeve. Komunikata precizonte se Omani nuk i njeh në mënyrë eksplicite shtetet, por vë kontakte diplomatike me to.
“Republika e Kosovës ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Sulltanatin e Omanit. Përmes ambasadës sonë në Londër kemi marrë letër nga Sulltanati i Omanit, i cili shprehet qartë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën. Omani është një shtet përkatësisht një mbretëri, e cila nuk njeh shtetet në mënyrë eksplicite, por njohjen e shteteve e bën nëpërmjet komunikimit dhe nëpërmjet vendosjes së kontakteve dhe marrëdhënieve diplomatike Në letrën që ka mbërri në Ministrinë e Punëve të Jashtme thuhet: “U njohëm me vendimin e GJND lidhur me çështjen e pavarësisë së Kosovës dhe Qeveria e Sulltanatit të Omanit do të mirëpresë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, organizata të tjera ndërkombëtare dhe rajonale, në të cilat ajo dëshiron të anëtarësohet”, thuhej në njoftimin e dërguar në emër të Ministrisë nga atëherë Ministrja në detyrë, Vlora Çitaku që gjithashtu kishte marrë vendim që Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti ta akreditojë si ambasador jo rezident në Oman dhe kjo kërkesë do të deponohet pranë autoriteteve përkatëse të Sulltanatit të Omanit.
Njohja e Guinea Bisau kishte ardhur më herët, përkatësisht më 13 janar, dhe atë e kishte bërë publike, kryetari i atëhershëm i AKR-së, Behgjet Pacolli.
Zv/ministri i Jashtëm në qeverinë e Kosovës, Petrit Selimi i është përgjigjur analistit Tim Judah rreth lajmit për ‘tërheqjen’ e dy njohjeve, pasi që britaniku i shkruajti në Twitter Ministrisë së Jashtme.
“Omani asnjëherë nuk ka bërë njohjen siç e ka sqaruar Vlora në deklaratën në shkurt. Ata na e kanë dërguar një letër të ngrohtë duke na dëshiruar inkuadrim në OKB. Ndërsa, Guinea Bissau ka dërguar një letër të qartë verbale të njohjes dhe ka zhvilluar që nga atëherë kontakte me Kosovën. Jeremiqi po provon ta heq fokusin nga nevoja për largimin e strukturave paralele dhe respektimi i kufijve”, i ka shkruar Selimi Judah-it.
(indeksonline)











