Bledi Strakosha: “Aventura ime e re televizive me modelen 17-vjeçare”

May 28, 2011 | 12:52

Do të risjellë Bledi Strakoshën e viteve 2000, kur prezantonte programet rinore në TVA. I duhej një largim nga ekrani pas mbylljes së programit “Blue” me personazhe të maturuara, që kanë çfarë tregojnë nga jeta e tyre, për t’u shfaqur tashmë në stil ndryshe, si prezantues i  spektaklit “Supermodel of Albania 2011 – Tirana Fashion Week”, me të rinj që janë në fillimin e tyre.
Tek “Supermodel of Albania 2011 – Tirana Fashion Week” do e shohim sërish Bledi Strakoshën me kostumin elegant që jemi mësuar në “Blue” apo do të shfaqeni në stil të ri?
Jo, do të jem me një stil krejt rinor. Në shumicën e rasteve kemi menduar të jem sport-chic, meqenëse ky është një projekt mode, pra edhe prezantuesit duhet të sjellin tendencat e modës aktuale, por gjithashtu ky projekt u dedikohet kryesisht të rinjve, ndaj edhe unë do mundohem t’u vij sa më pranë si me ritmin e prezantimit, ashtu edhe me pamjen.
Nga programi i të dielave “Blue” ku hyje në gjendjen e personazhit, po në këtë show të të shtunave cila do të jetë atmosfera që do të krijosh?
Ky spektakël ka një tjetër ritëm, pa dyshim. Situatat do të jenë nga më të paparashikueshmet, sepse bëhet fjalë për një konkurs mode. Plus që marrin pjesë të rinj, shumë artistë të ftuar, pra ndryshon mjaft nga “Blue”. Do përpiqem të risjell Bledin e viteve 2000, kur prezantoja programet rinore në TVA.
Si do të prezantosh, a do të mund të shohim një moment të ngjashëm me “Blue” në minutazhin e këtij programi?
Në mbrëmjen e fundit po, do të realizojmë një intervistë surprizë që do e risjellë atmosferën e “Blu”-së, por gjatë netëve të tjera jo.
Dihet që kjo është një garë modelësh/esh ku në plan të parë është pamja. Nëse do ishe kureshtar të zbuloje inteligjencën e një modeli/modeleje, me çfarë pyetjeje do t’i ishe drejtuar?
Kam qenë kureshtar unë e i gjithë stafi. Kemi muaj që e ndajmë kohën së bashku mes provave, xhirimeve të klipeve etj. Më vjen mirë sepse shumica prej tyre janë nxënës të mirë, të rinj ambiciozë, e këtë spektakël e shohin si një mundësi shumë të mirë për të arritur qëllimet e tyre në shumë fusha. Pra, nuk kanë ardhur të marrin pjesë thjesht për të rënë në sy të shoqeve a  shokëve për një “mburrje” të momentit. Pyetja kryesore në fakt ka qenë: Përse keni vendosur të merrni pjesë në një konkurs mode? Përgjigjet kanë qenë befasuese. Do t’i zbuloni edhe në spektakël…
Po nëse do të doje të kuptoje gjendjen e tyre shpirtërore, si do të ishe sjellë?
Shpesh më mjafton t’i shikoj njerëzit për të kuptuar se si ndihen. Trupi flet vetë edhe për emocionet. Por i kam pyetur se si e shohin pjesëmarrjen në këtë spektakël, e kam vënë re që megjithëse të gjithë do të donin të ishin fitues, e kanë marrë me mjaft sportivitet e mendojnë se gjëja më e rëndësishme është që aty kanë gjetur miq të rinj, që po mësojne shumë e që po marrin pjesë.
Në këtë moderim, ti s‘do jesh vetëm, por me një partnere të re. Meqenëse në intervista të ndryshme je shprehur se je disi egoist, dhe në jetë e ke veshtirë të bashkëjetosh me dikë, në skenë si të pëlqen?
Jo, në skenë jam krejt ndryshe. Më pëlqen të prezantoj me partnere e t’i respektoj ato. Shpesh meshkujt në televizion preferojnë të kenë “valeta” krah tyre, por kjo s’vlen në rastin tim. Jam shumë i lumtur që Jona, megjithëse vetëm 17 vjeçe, është një nxënëse e shkëlqyer, një vajzë shumë e ëmbël, bukuroshe, por dhe mjaft inteligjente. Kam një ndjesi shumë pozitive për këtë bashkëpunim me të.
E kujt ishte ideja për ta marrë ti përsipër prezantimin e këtij spektakli?
Ideja ishte e Joni Peçit. Në të gjitha aktivitetet që ka realizuar Joni ka preferuar të më ketë mua prezantues. Ndihem i vlerësuar e më vjen shumë mirë që zgjedhja e tij jam unë, por nuk di t’ju them se përse ai preferon Bledin (qesh).
Do të ketë më shumë ankth, jetë reale apo atmosferë  të gëzuar në tetë netët e spekataklit?
Spektakli do të jetë një koktejl i të gjitha atyre që ju përmendët më sipër, shumë ankth sigurisht, jetë reale pa diskutim, por edhe atmosferë të gëzuar, sepse do të kemi të ftuar specialë e fitues, por edhe lotët s’do mungojnë, sepse për disa prej të rinjve ëndrra do të përfundojë.

 

KLOTILDA HARKA

© Panorama.al

Te lidhura