Të gjitha ato shoqëri që nuk kanë përshtatur statutet e tyre sipas ligjit në fuqi “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, ekspozohen tashmë para riskut të çregjistrimit dhe fillimit të likuidimit.Lidhur me këtë pikë, organizimi më i madh i biznesit në vend, Biznes Albania, kërkon nga qeveria të marrë parasysh një shtyrje të afatit për ato biznese që preken në mënyrë rrënjësore në marrëdhënien biznes-biznes, por edhe biznes-të punësuar. Në një letër drejtuar kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Biznes Albania thekson se një mospërmbushje e detyrimeve që sanksionon ligji i miratuar në vitin 2008 nuk lidhet më shumë me neglizhencën, sesa me mungesën e informacionit. Në këtë letër pranohet se pjesa më e madhe e bizneseve e kanë përmbushur detyrimin e përshtatjes së akteve të tyre ligjore brenda këtyre tri viteve, sipas ligjit të hyrë në fuqi në vitin 2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”. Ndërkaq, bëhet me dije se ka ende të tjera biznese, një pjesë e mirë me ortakë të huaj që nuk e kanë përmbushur këtë detyrim, për shkak të mungesës së informacionit. Në këtë pikë, Biznes Albania ka kërkuar nga kryeministri dhe ministri i Ekonomisë që të shqyrtojnë mundësinë e shtyrjes së afatit për marrjen e masave ndaj shoqërive që nuk kanë plotësuar detyrimin. Ligji në fakt parashikon që për ato kompani që janë krijuar para hyrjes në fuqi të tij, duhet që të bëjnë përshtatjen e statuteve me këtë ligj brenda 3 vjetësh, në rast të kundërt ato do të konsiderohen të çregjistruara dhe duhet të fillojnë procedurat e likuidimit. Kjo, përveçse do të dëmtonte biznesin, sigurisht që do të ndikonte edhe në arkën e shtetit. Kjo e fundit, për shkak se një kompani e çregjistruar nuk do të paguante më detyrime si biznes të cilat shkojnë si të ardhura në buxhet. Në letrën e saj, Biznes Albania thekson se çregjistrimi i këtyre kompanive pa dyshim që do të ndikonte negativisht në ekonomi, kjo për shkak se të gjithë të punësuarit pranë tyre do të mbeteshin pa punë. “Nisur nga sa më sipër, kërkojmë nga ana juaj ndërhyrjen pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), për të mos lejuar aplikimin e ligjit në afatin e parashikuar dhe shtyrjen për një kohë të dytë të zbatimit të tij, qoftë edhe me tre muaj për t’u dhënë kohë këtyre shoqërive që të kryejnë procedurat e kërkuara nga ligji”, përfundon letrën Biznes Albania.
Ligji “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”
1. Shoqëritë tregtare, që kanë ekzistuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të detyruara të përshtatin organizimin dhe funksionimin e tyre, sipas dispozitave të këtij ligji, brenda 3 vjetëve pas hyrjes së tij në fuqi.
2. Shoqëritë tregtare, të cilat nuk përshtaten me dispozitat e këtij ligji, sipas pikës 1 të këtij neni, vlerësohen të prishura dhe çregjistrohen nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, pas përfundimit të procedurës së zbatueshme të likuidimit.
TIRANË, 12.05.2011
Lënda: Letër e organizatës “BiznesAlbania” lidhur me nevojën për shtyrjen e afatit për përshtatjen e akteve ligjore të shoqërive tregtare në kuptim të ligjit nr 9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”
SHTZ. Sali BERISHA
Kryeministër
Z. Nasip NAÇO
Ministër
MINISTRIA E EKONOMISË,
TREGTISË DHE ENERGJETIKËS
I nderuar zoti Kryeministër!
I nderuar z. Ministër!
Më lejoni së pari, të shpreh konsideratën time të lartë dhe të organizatës që drejtoj lidhur me bashkëpunimin e deritanishëm institucional dhe partneritetin mes qeverisë Suaj dhe sipërmarrjes private shqiptare.
BiznesAlbania është një organizatë gjithëpërfshirëse e shoqatave/organizatave më elitare në Shqipëri. Ajo përfshin rreth 20 organizatat më të rëndësishme të sipërmarrjes private, vendëse dhe të huaj.
Unë dua t’ju drejtohem me këtë letër, për të ngritur një shqetësim që ka të bëjë me nevojën për ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë.
Në maj të 2008 ka hyrë në fuqi ligji nr.9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”. Në këtë ligj është përcaktuar që shoqëritë që janë krijuar para hyrjes në fuqi të tij, duhet të bëjnë përshtatjen e statuteve me këtë ligj brenda 3 vjetësh, në rast të kundërt ato do të konsiderohen të çregjistruara dhe duhet të fillojnë procedurat e likuidimit.
Pjesa më e madhe e shoqërive që janë anëtare të shoqatës sonë e kanë kryer këtë procedurë, ndërsa disa të tjera nuk e kanë kryer ende. Ndër këto shoqëri që nuk e kanë kryer këtë procedurë janë disa shoqëri të huaja ose me ortakë të huaj, të cilat për mungesë informacioni nuk e kanë bërë.
Çregjistrimi i këtyre shoqërive do t’i sillte një dëm të madh biznesit shqiptar dhe arkës së shtetit, pasi këto shoqëri luajnë një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike, duke punësuar shumë punonjës dhe duke derdhur rregullisht detyrimet në arkën e shtetit.
Nisur nga sa më sipër, kërkojmë nga ana Juaj ndërhyrjen pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), për të mos lejuar aplikimin e ligjit në afatin e parashikuar dhe shtyrjen për një kohë të dytë të zbatimit të tij, qoftë edhe me tre muaj për t’u dhënë kohë këtyre shoqërive që të kryejnë procedurat e kërkuara nga ligji.
Duke shpresuar në mirëkuptimin Tuaj.
PËR SHOQATËN “BIZNES ALBANIA”
PRESIDENTI
LUAN BREGASI
Letra drejtuar Kryeministrit nga “Biznes Albania”
NERILA MAHO











