Bisedimet pa krye, ministri grek paralajmëron fundin

Jan 20, 2012 | 15:28
Ministri grek i Financave, Venizelos

Greqia po falimenton, por shitja e suksesshme e bonove franceze dhe spanjolle tregoi se besimi në eurozonë është rritur, megjithëse agjencia e vlerësimit S&P e ka ulur vlerësimin për nëntë vende të grupit të euros.
Franca dhe Spanja e kanë kaluar me sukses testin e parë të shitjeve afatshkurtër të bonove për këtë vit. Suksesi i Spanjës i atribuohet politikës së Bankës Qendrore Europiane për ofrimin likuiditetit me interes të ulët për bankat e tjera dhe blerjen e rregullt të bonove italiane dhe spanjolle. Edhe dje, shitja afatgjatë e bonove të Francës dhe të Spanjës rezultoi e suksesshme për shkak të kërkesave të larta dhe rënies së shkallës së interesit për borxhin, një tregues se investitorët janë ende të kënaqur të investojnë në këto vende të eurozonës. Por situata në Greqi mbetet e tensionuar. Grevat dhe pakënaqësitë në vend janë të pandërprera dhe veç tyre, qeveria greke po përballet me një tjetër rrezik të madh: refuzimin e investitorëve privatë për të “shkurtuar” 50 për qind të borxhit që u ka qeveria greke, ashtu siç parashikon marrëveshja në samitin e fundit të BE-së dhe pa u arritur kjo, me gjithë ndihmat që mund të marrë me hua të tjera nga BQE-ja dhe FMN-ja, Greqia ende rrezikon falimentimin.
PARALAJMËRIMI
Vendet e eurozonës nuk do të rrisin mbështetjen e tyre për Greqinë, nëse ajo dështon të sigurojë një marrëveshje për “qethjen” e borxhit me kreditorët privatë. Kështu deklaroi ministri i Financave, Evangelos Venizelos. Sipas tij, ky do të ishte rrezik real për falimentimin e Greqisë. Deklarata e Venizelos u bë pak orë para mbajtjes së një takimi të dytë me investitorët privatë për bonot greke, të njohur si Përfshirja e Sektorit Privat, e cila duhet ta ulë borxhin e vendit me rreth 100 miliardë euro. Në takimin e dytë, i cili ka zgjatur deri të enjten vonë, me përfaqësuesit e kreditorëve privatë ka marrë pjesë edhe Kryeministri teknokrat, Lukas Papademos. “Nëse ka një hendek financiar, ai do të duhej të ndihmohej nga sektori zyrtar, që do të thotë vendet e eurozonës, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo. Në këtë pikë, unë nuk shoh ndonjë dëshirë apo gatishmëri për të rritur këtë kontribut”, tha Venizelos para Parlamentit. Greqia po përballet shumë shpejt me rrezikun e ri të pamundësisë së pagesës së borxhit të saj, me këstin e ri prej 14.5 miliardë eurosh për të paguar më 20 mars. Dhe deri tani nuk ka fonde për ta mbuluar këtë. Venizelos paralajmëroi se pamundësia për të paguar këstin e ri të borxhit do ta nxirrte Greqinë automatikisht nga eurozona. “Falimentim do të thotë sigurisht dalja jonë nga euro, sepse ne nuk do të mund ta përballojmë qëndrimin në këtë zonë”, tha ai dje. Të enjten, Parlamenti grek diskutoi miratimin e masave të reja të kursimit të kërkuara nga inspektorët e borxhit, që përfshinin masa për të lehtësuar pagesat e bizneseve e të shlyenin në mënyrë jo të rëndë malin me borxhe që i kanë shtetit nëpërmjet mospagesës së taksave.

130 MILIARDË euro është paketa e re e huas për Greqinë, pjesë e marrëveshjes për të cilën është edhe “prerja” e 50 për qind të borxhit të qeverisë greke kundrejt kreditorëve privatë. Por në eurozonë janë shprehur se Athina mund ta marrë paketën e re vetëm nëse kreditorët privatë do të bien dakord të falin 50 për qind të borxhit grek, në këmbim të një pagese kesh dhe bonove të reja.

TROJKA
Përfaqësues të lartë të FMN-së, BQE-së dhe BEsë, të njohur si trojka, vazhdojnë sot bisedimet për të negociuar terma të reja për paketën e dytë të ndihmës dhe për të monitoruar progresin e Greqisë në uljen e deficitit të borxhit. Nëse ata vendosin se Greqia nuk ka bërë përparim dhe se programi i saj në vazhdim nuk do të ndikojë në uljen e deficitit të borxhit, atëherë ata nuk do të japin miratimin e tyre në raportin që do t’i dorëzohet institucioneve më të larta financiare, që Greqia të marrë hua të reja për të evituar falimentimin.

MERKEL
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u takua të enjten me kryeministrat e Portugalisë, Austrisë dhe Suedisë për të shkëmbyer mendimet lidhur me gjendjen në eurozonë. Darka e Kancelares Merkel me kryeministrat Pedro Passos Coelho Werner Faymann dhe Fredrik Reinfeldt nuk është ndonjë takim krize, madje është joformal. Por, në të vëmendje do t’i kushtohet kryesisht ardhmërisë ekonomike dhe monetare të Europës.

SARKOZI
Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, ka vendosur të fillojë dialogun me sindikatat për shkak të rritjes së papunësisë, rënies ekonomike dhe rezultateve të dobëta në sondazhet e tre muajve të kaluar, në prag të zgjedhjeve presidenciale. Sarkozi premtoi dje, në një takim katërorësh me sindikatat, 430 milionë euro për ruajtjen e vendeve të punës. Këto para do të përdoren për kualifikimin e mëtejshëm të punëmarrësve dhe për punë me orar më të shkurtër.

© Panorama.al

Te lidhura