
“Pegi” boton autobiografinë e gjeniut të elektronikës.
Që nga birësimi, shkollimi, shpikja e parë, problemet me drogën dhe braktisja e vajzës.
“Oh, të kesh një muzë të zjarrit, që të të ngrejë në qiellin më të ndritur të shpikjes”. Kjo frazë nga “Henriku V” i Shekspirit do ta frymëzonte gjithë jetën gjeniun e elektronikës, Steve Jobs. Një jetë e komplikuar, mes dhuntive dhe kërkimit të vetes, marrëzive të rinisë dhe suksesit të jashtëzakonshëm. Për të njohur jetën e një prej emrave më të mëdhenj të teknologjisë, shtëpia botuese “Pegi” sapo ka hedhur në qarkullim biografinë e Jobsit, të autorit Walter Isaacson, nën shqipërimin e Taulant Hatisë. Një libër voluminoz, por që mund të përpihet me një frymë. Nis që nga fëmijëria e Steve Jobs, deri në vdekjen e tij. Një njeri i çuditshëm, aspak i thjeshtë, problematik në rininë e tij. Një fëmijë i birësuar, një nxënës gjeni, një braktisës universiteti, një baba që braktisi një foshnjë… Jobs nuk ka qenë aspak një engjëll në jetën e tij. E ndoshta prej kësaj lindi edhe “Apple” dhe gjithë produktet që erdhën paskëtaj (iPod, iPhone, iPad, iMac, MacBook), që ecnin gjithnjë një hap përpara kohës. I parashikuar për botim në mars 2012, botimi u vendos të afrohej në nëntor 2011, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të Jobsit. Por humbja e tij më 5 tetor 2011 bëri që libri të botohej edhe më herët, më 24 tetor 2011 në ShBA. “Nuk u përpoq të vendoste kufij në asgjë. “Kam bërë plot gjëra për të cilat nuk ndihem krenar, si për shembull, kur lashë shtatzënë të dashurën në moshën 23-vjeçare dhe se si e trajtova këtë fakt”, më tha. “Po nuk kam në dollap ndonjë skelet që nuk dua ta nxjerr”. Nuk kërkoi kurrë të kontrollonte ato që shkruaja, as më kërkoi t’i lexonte paraprakisht. Ndërhyri vetëm kur botuesi duhet të zgjidhte kopertinën”, shkruan biografi. Më poshtë kemi përzgjedhur disa “të fshehta” të jetës së Steve Jobs. al.mi
Birësimi/ Biri i një gjermaneje dhe një siriani
Në verën e 1954-s, Xhoana (e ëma natyrale me origjinë gjermane) shkoi me Abdulfatahun në Siri. Kaluan dy muaj në Homs, ku ajo mësoi të gatuante gjellë tradicionale siriane. Kur u kthyen në Uiskonsin, zbuloi që ishte shtatzënë. Që të dy ishin 23-vjeçarë dhe vendosën të mos martoheshin. Edhe pse i ati ishte duke vdekur, e kërcënonte se do ta mohonte si vajzën e tij nëse martohej me Abdulfatahun. As aborti nuk ishte i lehtë në atë bashkësi të vogël katolikësh. Kështu, në fillim të vitit 1955, Xhoana udhëtoi për në San Francisko, ku u vu nën kujdesin e një mjeku të sjellshëm që strehonte nëna të pamartuara. Ai i ndihmonte jo vetëm gjatë lindjes, por edhe për birësimin e foshnjave të tyre. Xhoana kishte vetëm një kërkesë: fëmija e saj të birësohej nga prindër të diplomuar. Mjeku e rregulloi që fëmijën ta merrte një avokat dhe gruaja e tij. Kur lindi djali, më 24 shkurt 1955, çifti tha se kishte vendosur të merrnin një vajzë dhe u tërhoq. Kështu që djali i sapolindur nuk u bë biri i avokatit, por i një njeriu që edhe shkollën e mesme e kishte lënë përgjysmë nga pasioni për mekanikën dhe i një gruaje të urtë që punonte si llogaritare. Poli dhe Klara e quajtën birin e tyre Steven Paul Jobs.
E ëma natyrale, garanci shkollimi për birësim
Kur Xhoana mori vesh se foshnja e saj u ishte dhënë prindërve që nuk kishin mbaruar as të mesmen, nuk pranoi të nënshkruante dokumentin e birësimit. Vazhdoi të kundërshtonte edhe pas shumë javësh, kur djali kishte shkuar në shtëpinë Jobs. Pastaj Xhoana u zbut se çifti premtoi me shkrim, në të vërtetë nënshkruan një zotim, se do të hapnin një llogari kursimi që djali të vazhdonte studimet në universitet.
Fëmijë problematik në shkollë
Kur ishte në klasë të tretë, rrengjet filluan të bëheshin më të rrezikshme. “Një herë vendosëm një lëndë shpërthyese poshtë karriges së mësueses, zonjës Thërman. Ajo nisi të dridhej nga nervat”. Nuk ishte çudi që e dëbuan dy apo tri herë nga shkolla vetëm gjatë klasës së tretë. Atëherë i ati kishte filluar ta trajtonte si të veçantë dhe, me atë sjelljen e vet, të qetë, por të vendosur, ia bëri të qartë se edhe shkolla duhet ta trajtonte po ashtu. “Shikoni, nuk ka faj ai”, u tha Pol Jobsi mësuesve, kur e thirrën një herë për shkak të të birit. “Nëse nuk dini t’i ngjallni kureshtjen, e keni vetë fajin”. Prindërit nuk e ndëshkuar kurrë për çapkënllëqet në shkollë. “Gjyshi kishte qenë i alkoolizuar dhe e kishte rrahur me rrip të birin, kurse mua nuk më kanë dhënë qoftë edhe një pëllëmbë të vetme”.
Problemi me drogën në rini
Në mes të vitit të parë dhe të dytë të liceut të Homsted, Jobsi filloi të pinte marijuanë. “Atë vetë e provova për herë të parë. Isha 15 vjeç dhe nisa të tymosja rregullisht”. Një herë, i ati i gjeti një sasi droge në Fiat. “Ç’është kjo”, e pyeti. Jobsi ia ktheu gjakftohtë: “Marijuanë”. Ishte një nga herët e pakta në jetë që u përball me inatin e babait. “Ishte zënka e vetme e vërtetë që kam pasur me babanë”, tregonte. I ati i kërkoi t’i premtonte se nuk do të merrte më drogë. “Donte që të mos përdorja më kurrë drogë, po nuk i premtova”. Madje, vitin e fundit të së mesmes filloi të merrte edhe LSD-në dhe hashashin, si dhe nisi të provonte efektin e shajnive që shkaktonte mungesa e gjumit. “Nisa të përdorja ca më shpesh. Me raste pinim edhe drogë të rëndë, më tepër nëpër fusha, ose brenda në makinë”.
Dy vite shkollore në një
Nga fundi i klasës së katërt, zonja Hill i bëri një provim Jobs-it. “Mori aq pikë sa nxënësit e dy viteve më lart”, kujtonte ajo. Tashmë u bë e qartë jo vetën për djalin e për prindërit, por edhe për mësuesit, se ishte i veçantë nga ana intelektuale, prandaj shkolla bëri një propozim të pazakontë që të kapërcente menjëherë dy klasa e të futej menjëherë në të shtatën; Kjo do të ishte dhe mënyra e vetme për ta nxitur. Prindërit, si më të kujdesshëm, vendosën që të kapërcente vetëm një klasë.
“Shpikja” e parë, për të folur falas në telefon
Aventura që e ndihmoi në krijimin e Apple, nisi një pasdite të diele, kur Wozniaku (Stev 2) lexoi një artikull në revistën “Esquire”… Ishte shtator i vitit 1971. Artikulli i Ron Rozenbaumit “Të fshehtat e kutisë së vogël blu” përshkruante se si hakerat dhe frikersat e telefonave kishin zbuluar një mënyrë për të kryer telefona pa pagesë, nëpërmjet kopjimit të toneve që shpërndanin sinjalet në rrjetin e kompanisë AT&T… Wozniaku shkoi në dyqanin “Synnyvale Electronics” dhe bleu të gjitha pjesët e duhura për ndërtimin e një gjeneruesi analog tonesh. Jobsi kishte ndërtuar një herë një numërator tonesh kur ishte anëtar i Klubit të Eksploruesve HP, të cilin e përdornin për të kalibruar tonet e dëshiruara… Në fillim e përdorën “Kutinë blu” për qejf për të punuar rrengje. Më i guximshmi ishte rasti kur i telefonuan Vatikanit dhe Wozniaku u hoq si Henry Kissinger që donte të fliste me Papën…
Dashuria e parë
Në pranverën e ’72-shit, aty nga viti i fundit i shkollës në Homsted, Jobs-i nisi të shoqërohej me një vajzë që quhej Krisan Brenën, e cila ishte moshatare me të, por në vit të parë. Ishte tepër tërheqëse, me flokët bojëkafe të çelur, sytë e gjelbër, mollëza paksa të dala e pamje të brishtë. Po përjetonte dhe vështirësitë e prishjes së martesës së prindërve. “Punuam bashkë për një film vizatimor, pastaj nisëm të dilnim bashkë, ajo ishte e dashura e parë e vërtetë”, kujtonte Jobsi. Ndërsa Brenëni thoshte më vonë: “Steve-i më dukej paksa i çmendur. Prandaj u dhashë pas tij”.
Eksperimentet me dietat
Çmenduria e Jobs-it ishte mjaft e stërholluar. Kishte filluar eksperimentet me dietat që do t’i vazhdonte gjatë gjithë jetës, hante vetëm fruta dhe perime, prandaj ishte i dobët dhe truphollë si një langua. Mësoi t’i shihte njerëzit në sy pa pulitur qerpikët dhe përsosi mënyrën e të folurit, duke i ndarë me heshtje të gjata shpërthimet e së folurës së shpejtë. Kjo përzierje e çuditshme zjarri dhe ftohtësie, e shoqëruar me flokët e gjatë deri në supe dhe mjekrën e rrallë, i jepte pamjen e ndonjë shamani të krisur. Luhatej sa nga karizma, sa te mërzia. “Hidhej sa andej-këndej e dukej si gjysmë i çmendur”, kujton Brenëni. “Kishte shumë ankth. Dukej sikur e mbështillte ndonjë re e zezë”.
Probleme me higjienën, shqetësim për kolegët
Jobs-i u bë një nga 50 punonjësit e parë të “Atarit”, duke punuar si teknik me 5 dollarë në orë. “Kur vështroj prapa, shoh se ishte vërtet e çuditshme që morëm në punë një djalosh që kishte braktisur Universitetin Reed”, kujtonte Alkorni. “Por vura re diçka tek ai. Ishte shumë i zgjuar, entuziast, mjaft i dhënë pas teknologjisë”. Alkorni e caktoi të punonte me një inxhinier të rreptë që e quanin Don Lang. Langu u ankua qysh ditën tjetër: “Ky djalë është një dreq hipie që qelbet erë. Pse po ma bëni këtë? Me të është e pamundur të merresh vesh”. Jobs-i vazhdonte të besonte se dieta e rreptë vegjetariane vetëm me fruta parandalonte jo vetëm krijimin e mykut, por edhe të erës së trupit, prandaj nuk përdorte as deodorantë dhe as lahej rregullisht. Kjo teori doli e pavlerë. Langu dhe të tjerët donin ta përzinin Jobs-in, por Bashnelli e gjeti zgjidhjen. “Era dhe sjellja nuk përbëjnë problem për mua”, thoshte. “Steve-i ishte nevrik, por ama më pëlqente. Kështu që e urdhërova të punonte në turnin e natës. Qe një farë mënyre për ta shpëtuar”.
Braktisja e së bijës
Jetesa në një shtëpi e afroi më shumë Brenënin dhe Jobsin dhe brenda pak muajsh ajo mbeti shtatzënë. “Steve-i dhe unë u lidhëm e u ndamë disa herë gjatë pesë viteve, para se të mbetesha shtatzënë”, thoshte. “As rrinim dot bashkë e as ndaheshim përgjithmonë. Kur Greg Kallhauni erdhi me makina të rastit nga Koloradoja që t’i vizitonte me rastin e Ditës së Falënderimeve në vitin 1977, Brenëni i dha lajmin: “Steve-i dhe unë jemi prapë bashkë dhe kam mbetur shtatzënë, mirëpo e di që përsëri do të kemi lidhje e ndarje, prandaj nuk di ç’të bëj… martesa as që mund të shtrohej për diskutim. “E dija që ajo nuk ishte tipi i gruas që më duhej për martesë, nuk do të ishim kurrë të lumtur dhe nuk kishte për të zgjatur shumë”, thoshte më vonë Jobs-i. “Unë doja që të abortonte, kurse ajo nuk vendoste dot. E mendoi disa herë dhe vendosi të mos e hiqte”. Më 17 maj 1978, Brenëni lindi vajzë. Pas tri ditësh, Jobs-i u bashkua me ta dhe e ndihmoi t’i gjenin emrin bebes… e quajtën Liza Nikol Brenën, pa i dhënë mbiemrin Jobs. Pas kësaj u kthye të vazhdonte punën në Apple. “Nuk donte të kishte të bënte as me atë dhe as me mua”, thoshte Brenëni. Së bashku me Lizën, ajo u zhvendos në një shtëpi të vockël e të rrënuar pas një vile në parkun Menlo. Aty jetuan me ndihmë sociale, sepse Brenëni nuk iu drejtua gjyqit që të kërkonte mbështetje për fëmijën…
“Do të doja të isha sjellë ndryshe. Atëherë nuk e përfytyroja dot veten të isha baba, prandaj nuk e përballova dot. Por kur analizat treguan se ishte ime bijë, nuk është e vërtetë se vazhdova të dyshoja…”
© Panorama.alPse u quajt “Apple”
Steve dhe Wozniaku vendosën të “hapnin kompaninë e tyre të parë kompjuterike. Tani që vendosën të nisnin biznesin, duhej një emër. Jobs-i shkoi dhe njëherë në fermën e mollëve për të krasitur pemët e varietetit Gravenshtajn, kurse Wozniaku e priti në aeroport kur u kthye. Gjatë rrugës për në Los Altos, diskutuan për emrat. Përmendën plot fjalë tipike teknike, si matriks… më në fund Jobsi propozoi emrin kompjuterat “Apple”. “I kisha hyrë dietës me fruta atëherë”, shpjegonte. “Sapo isha kthyer nga ferma e mollëve. Emri më dukej i këndshëm, i gjallë, jo frikësues. Pastaj mund ta hiqnim fjalën “kompjuterat” për ta thjeshtuar. Veç kësaj, ky emër do të na nxirrte më sipër emrit Atari në listën e telefonave”. I tha Wozniakut se, nëse nuk gjenin emër më të mirë se ky deri atë pasdite, do ta ruanin emrin “Apple”. Dhe kështu bënë.











