“Bie era gjellë e supë, intelektualë të hurit e litarit”- Gjekmarkaj ironizon mazhorancën te Komisioni i Kulturës: Kalanë e Krujës duket se e ka bërë Rama, Mamica të Shkodrës …

Nov 17, 2025 | 14:48

Nënkryetari i Kuvendit dhe njëkohësisht deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ironizoi sot në Komisionin e Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, qeverinë dhe mazhorancën, duke nënvizuar se edhe trashëgimia kulturore ndodhet në gjendje të mjerueshme, ashtu sikurse edhe çështjet e tjera si ato të librit, duke marrë referencë nga “Panairi i Librit” në vend.

agron gjekmarkaj

Diskutimet u bënë gjatë mbledhjes për të diskutuar në parim projektligjin “Për Buxhetin e Vitit 2026”, ku i pranishëm ishte ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhe, që prezantoi shifrat e buxhetit për vitin e ardhshëm për institucionin që përfaqëson.

Teksa ironizoi për kalatë qeverinë, ai tha se në shumë prej tyre që janë lënë pas dore, “vjen era supë dhe gjellë” dhe se institucionet janë mbushur me patronazhistë.

Madje ai nënvizoi se duket sikur “kalanë e Krujës e ka ngritur Rama dhe atë të Shkodrës Elisa Spiropali”. Gjekmarkaj tha se “shkrimtari i grushtit dhe kanabisit” i ndihmon socialistët në çdo zgjedhje.

“Më bën përshtypje identifikimin që kjo qeveri ka me trashëgiminë kulturore. Të krijohet përshtypja sikur Kalanë e Krujës e ka ndërtuar Edi Rama, Kalanë e Beratit ju, duke i hyrë në hak Teodor Muzakës, atë të Shkodrës Mamica. Dhe nuk ka një informacion se kur do të mbarojë ai cikël i turpshëm, që dikur quhet rrjetëzim i kthimit të kalave shqiptare në han xhihane, ku bie era supë, era gjellë dhe ku piqet fërliku skënderbeg”, tha Gjekmarkaj mes të tjerash.

komisioni i kultures e turizmit

Ai kërkoi më shumë vëmendje ndaj artit dhe kulturës, trashëgimisë kulturore, historisë dhe objekteve me rëndësi.

“Të krijohet përshtypja se Shqipëria është bërë falë jush, kishat dhe xhamitë janë bërë falë jush si dhe luftërat i keni bërë ju. Dua të theksoj që ato që bien në sy në këto 12 vite qeverisje është krijimi i intelektualëve të hurit dhe të litarit. Poeti i sëpatë dhe i hanxharit, poeti i sëpatës dhe i hanxharit, shkrimtari i grushtit dhe i kanabisit. Është ky aleat që ju ndihmon në çdo fushatë”, tha Gjekmarkaj mes të tjerash.

© Panorama.al

Te lidhura