
Në fund të seancës së djeshme ka bërë betimin edhe deputeti i Partisë Demokratike, Ramiz Çobaj. Ai ishte i teti në listën e qarkut të Shkodrës dhe mori mandatin e deputetit për dy vitet e ardhshme, pas ndarjes nga jeta të Gëzim Dibrës. Përpara seancës u mblodh Këshilli i Rregullores dhe Mandateve, i cili, në mënyrë formale konfirmoi mandatin e deputetit demokrat. Ndërkohë, me gjithë kërkesën e socialistëve për të zhvilluar seanca tri herë në javë, të paktën për këtë muaj, ato do të mbahen vetëm një herë në javë. Seanca e ardhshme do të jetë më 13 shtator.
Heshtje në nderim të Gëzim Dibrës
Deputetët e Kuvendit dhe Trupi Diplomatik i akredituar në Tiranë mbajtën dje një minutë heshtje në nderim të Gëzim Dibrës, deputetit nga Shkodra që humbi jetën pak javë më parë. Kryetarja e Kuvendit, duke theksuar mungesën e Dibrës mes kolegëve, u kërkoi atyre një minutë heshtje në nderim të figurës dhe kontributit të deputetit nga Shkodra. “I përjetshëm qoftë kujtimi i tij”, tha Topalli pas minutës së heshtjes. Gëzim Dibra humbi jetën për shkak të një sëmundje të pa shërueshme me të cilën ai po luftonte prej kohësh.











