“Dua të shoh në fytyrë se kush do të provojë të më tradhtojë” .
Silvio Berluskoni, Kryeministri miliarder i Italisë, i ka mohuar raportimet në media se ai do të japë dorëheqjen pas rritjes së presionit nga politikanët dhe investitorët, që e shohin atë si një pengesë për të zgjidhur krizën e borxhit të vendit. Kryeministri 75-vjeçar, i cili është përfshirë në skandale seksuale, akuza për korrupsion dhe keqmenaxhim të borxhit të Italisë, u kritikua në samitin e G20 mbi rrëshqitjen e situatës ekonomike, duke iu afruar asaj të krizës si në Greqi dhe u detyrua të pranojë të monitorohet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për financat e vendit dhe reformat ekonomike. Sipas mediave italiane, dorëheqja e Kryeministrit do të jepej të hënën, pasi zëra nga partia e tij janë shprehur se Berluskoni do të tërhiqej dje nga posti i Kryeministrit. Por kavalierit nuk i ka pëlqyer fare kjo histori. Ai tha se jo vetëm që nuk do të tërhiqej, por do të sfidonte zërat për ikjen e tij me kërkesën për një votëbesim, i cili do të vendosej mbi letrën e dërguar nga BQE-ja me kërkesën për reformat e Italisë. “Dua të shoh në fytyrë se kush do të provojë të më tradhtojë”, është shprehur Silvio Berluskoni. Zëra brenda partisë së tij, PDL, thonë se ai mund të zëvendësohet me Xhani Letën, numri dy i PDL-së. “Nesër votohet në Dhomën Përfaqësuese, pra do të vendos mocion besimi mbi letrën e BE-së dhe BQE-së. Dua të shoh në fytyrë se kush do të provojë të më tradhtojë”, kështu u shpreh Kryeministri italian në telefonatën për gazetën “Libero”, duke mohuar zërat për dorëheqjen e tij. “Që Silvio Berluskoni po bie nga pushteti, është çështje orësh. Disa thonë edhe minutash. Madje, Berluskoni do të paraqitet në Dhomë, do të kërkojë votëbesimin për të ndryshuar ligjin e stabilitetit, do të njoftojë se dorëhiqet një minutë më vonë dhe do të kërkojë zgjedhjet e reja në janar. Për këtë po diskutohet”, ishin hipotezat për ndryshimin e qeverisë nga drejtori i “Foglio”, Xhuliano Ferrara. Më pas erdhën përgënjeshtrimet. Në faqen e tij në Facebook, Berluskoni shkruan “Zërat për dorëheqjen time janë të pabaza dhe nuk e kuptoj se si kanë dalë në qarkullim”. Ndërkohë, një deputete besnike e tij, Gabriela Karluçi, u largua dje nga PDL-ja.











