Berluskoni: Monti do të qeverisë deri në 2013

Nov 21, 2011 | 9:25

Në një intervistë për “Corriere della Sera”, Silvio Berluskoni ka deklaruar se qeveria Monti duhet të zgjasë deri në vitin 2013, me garancinë se Mario Monti nuk do të rikandidojë. Ish-kryeministri italian dhe se të gjitha akuzat e ngritura kundër tij janë falsitete. Berluskoni e konsideroi kabinetin Monti me teknikë të kompetencave të larta. Por kjo nuk do të thotë se PDL-ja e tij do t’ia bëjë të lehtë miratimin e të gjitha ligjeve. Mbi kohëzgjatjen e qeverisë “Monti”, pas deklaratave të Berluskonit se ai do të qëndrojë në pushtet “derisa të duam ne”, ish-kryeministri italian është shprehur se “Nuk më pëlqen të bëj parashikime, por nuk dua t’i vendos limite kohore qeverisë së re”. Duke shtuar se PDL do të jetë pikë referimi për këtë qeveri, Berluskoni tha se “Monti duhet të mbërrijë deri në fund të mandatit, në 2013. Më pas, ai duhet të largohet për t’i hapur udhën zgjedhjeve. Sigurisht që Monti nuk do të kandidojë”, tha ai. Berluskoni është shprehur se do të vazhdojë të punojë në Parlament. “Kandidati ynë për zgjedhjet e 2013 do të zgjidhet mes votimeve paraprake mes të regjistruarve dhe deri tani ata janë 1 milion e 200 mijë. Kam bindjen se parapraket brenda partisë do t’i fitojë Anxhelino Alfano, që i ka të gjitha cilësitë për të qenë një kryeministër fantastik”, shtoi ai. Berluskoni theksoi se ai nuk ka bërë asnjë gabim as në punë e as në jetën personale dhe të gjithë historitë kundër tij janë falsitete, në të cilat kanë rënë pre edhe mediat e huaja.

© Panorama.al

Te lidhura