TIRANË-Votë për ëndrrën europiane dhe integrimin e vendit në Europë e ka quajtur kreu i qeverisë votën për “Aleancën për qytetarin”. Duke folur pas kandidatit për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, Berisha ka kërkuar nga gjithë shqiptarët votë për kandidatët e kësaj aleance, pasi ajo sipas tij është shtëpia e të gjithëve.
“Vota për Bashën dhe të gjithë kandidatët e “Aleancës për Qytetarin” është votë për të shndërruar qytetet tona në qytete europiane; është votë për shkollimin e fëmijëve tuaj me standartet më të mira europiane; është votë për të shpalosur vlerat e mëdha të kombit tonë; është votë për të zhvilluar biznesin, për të ulur taksat; është votë për të shndërruar qytetet tona në qytetet më tërheqëse; është votë për të krijuar mijëra vende pune; është votë për të gjeneruar prosperitet; është votë për të ndërtuar Shqipërinë jeshile dhe të shëndetit; është votë për integrimin e Shqipërisë në Europë”, – tha Berisha.
Ai ka bere thirrje qe këto zgjedhje që mbahen në ditën e ngadhnjimit të lirisë, te shnderrohen në ditën e zotimit tonë ndaj lirisë. “Le të nderojmë ne miqtë tanë në botë duke votuar njëlloj si ata, si qytetarët të lirë e të barabartë, të vendosur të firmosim të ardhmen tone më votën e lirë”- tha Berisha.
Sipas tij, sot në sheshin “Nënë Tereza”, janë në shqiptarë të të gjitha bindjeve politike. “Mirëseerdhët në shtëpinë tonë që është shtëpia juaj, shtëpia e atyre që i besojnë vlerave, vendit, të ardhmes. Orët që na ndajnë nga data 8 le t’i shndërrojmë në orë meditimi, asnjë të mos mbetet në rrugën e vetmisë, me ne është besim, njerëzi, e ardhme”- tha Berisha.
© Panorama.al











