Nënstacioni në Kashar,Berisha:Energjia prioritet

Nov 18, 2011 | 11:47

TIRANË- Duke vlerësuar sistemin energjik si detyrim madhor të qeverisë, kryeministri Sali Berisha ka garantuar standarde liberale në këtë treg, në mënyrë që

Shqipëria me burimet e  veta të mbulojë jo vetëm nevojat por të shndërrohet në eksportuese të fuqishme.

Deklarata është bërë sot gjatë përurimit të nënstacionit elektrik në Kashar, investim i qeverisë italiane, që për Berishën është një vepër me rëndësi të madhe për të gjithë rajonin, pasi në këtë nënstacion bashkohen rrymat e energjisë që vijnë apo lidhin Shqipërinë me Malin e zi, e mandej do e lidhin me Kosovën dhe me vende të tjera.

“Ky është një kontribut madhor për tregun energjetik rajonal. Shpreh mirënjohjen më të thellë qeverisë italiane, ambasadës, taksapaguesve italianë, kompanive që kanë realizuar këtë kryevepër të teknologjisë së fushës, që bazohet në transformatorët më të mëdhenj, teknologjinë më moderne, që garanton parametrat më të shkëlqyer e standardet më të larta”- tha Berisha në fjalën e tij.

Ai theksoi angazhimin e qeverisë për vijimin e investimeve, duke pranuar se me investimet që kapin një shumë prej 600 milionë euro është bërë e mundur që Shqipëria nga vendi i gjeneratorëve që me ndotjen kimike dhe akustike, të bëhet sot vend me një sistem energjetik që mbështeti për vitet e fundit rritjen më të madhe ekonomike.

“Sistemi që bëri të mundur që eksportet për 5 vite të trefishohen, që investimet e huaja, për 4 vite të rriten me 316 %. Me burimet tona energjetike të mbulojmë jo vetëm nevojat e vendi, por dhe të jemi eksportues të rëndësishëm në rajon”- tha ai.

Sipas tij, qeveria do mbështesë fuqishëm projekte të tjera të mëdha, së shpejti do të nisë linja e lidhjes me Kosovën, Unaza e Jugut, po kryhet studimi për lidhjen me Maqedoninë dhe dy kabllo nënujore janë licencuar për lidhjen me Italinë.

© Panorama.al

Te lidhura