TIRANË-Kryeministri Sali Berisha ka garantuar sot sipërmarrësit dhe investitorët se nuk do të ketë asnjë rrënim të pasurimit të tyre, duke siguruar se taksa marksiste ndaj të pasurve nuk do të kthehet më kurrë.
Në këtë mënyrë, Berisha i është përgjigjur programit të PS-së, për taksimin e të pasurve më shumë se të varfërit.
“Garantoj se taksa marksiste nuk do të kthehet kurrë në këtë vend. Se ata që mendojnë të begatojnë vendin duke shkatërruar të pasurit dhe luftuar të pasurit, ata që mendojnë se do begatojnë vendin duke bllokuar privatizimin, koncensionet, partneritetin publik privat, shpalosin alternativën e etërve të tyre që nuk kthehet kurrë më në këtë vend”- tha Berisha, gjate fjales se tij ne mbledhjen e qeverise.
Sipas tij, sistemi marksist fiskal nuk ka e nuk mund të ketë të ardhme, pasi ai është provuar një sistem katastrofal dhe një nga shkaqet e falimentimit të doktrinës ka qenë sistemi i tij fiskal që bazohet në rrënimin e të pasurve.
“Garantoj sipërmarrësit dhe investitorët, që jo vetëm që s’mund të ketë ndonjë mendim për të rritur, përkundrazi, qeveria do të konsiderojë cdo hap për të lehtësuar veprimtarinë e tyre, do të ndërmarrë një përpjekjë të re të madhe për të zgjeruar lirinë ekonomike të sipërmarrjes me besimin se kjo është rruga më e sigurtë”- tha ai.
© Panorama.al











