Kryeministri, Sali Berisha priti në takim ish kongresmenin demokrat Lincoln Davis me të cilin ndau mendimin se zgjedhjet vendore të 8 majit, ishin transparente. Mazhoranca tha kryeministri Berisha do të pranojë cdo rezultat të certifikuar nga institucionet e mandatuara nga ligji.
Në deklaratën për shtyp të kryeministrisë, thuhet se Berisha “e njohu zotin Davis me zhvillimin e zgjedhjeve për pushtetin vendor të 8 majit 2011. Kryeministri vlerësoi zgjedhjet si zgjedhjet më të mira të zhvilluara deri më sot duke vlerësuar edhe pjesëmarrjen e lartë, procesin e qetë të votimit si dhe nivelin e lartë të transparencës në procesin e numërimit.
Kryeministri theksoi se objektivi themelor në periudhën paszgjedhore ka qene numërimi i çdo vote ku zgjedhësi ka shprehur qartë vullnetin e tij.
Ai theksoi bindjen e tij që garancia më e lartë për një proces me standarte të larta dhe rezultat me legjitimitet të plotë sigurohet vetëm nëpërmjet zbatimit me përpikmëri të ligjit zgjedhor jashtë cdo presioni që vjen nga rruga.
Ndërsa, kongresmeni Davis theksoi se vendimet e institucioneve që i certifikojnë ato në përputhje me ligjin, duhen respektuar nga të gjitha palët në këtë proces, si një shenjë maturie demokratike e shoqërisë shqiptare.
© Panorama.al











