Kryeministri Sali Berisha ka përkujtuar sot sulmet terroriste të 11 shtatorit, ndërsa Shtetet e Bashkuara shënojnë 10 vjetorin e tyre.
Në një komunikim për shtyp, Berisha shprehet se ideatorët e aktit terrorist menduan se do të mund të përkulnin flamurin amerikan, duke shtuar se, sot pas 10 vitesh ky flamur valëvitet më lart se kurrë.
Më poshte deklarata e plotë e Berishës
Sot familjet e viktimave, kombi i madh amerikan, miqtë e tyre të lirisë në mbarë botën, përulen me nderim të thellë në kujtim të mijëra burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, fëmijëve e të moshuarve që humbën jetën 10 vjet më parë nga sulmi barbar terrorist në New York, Washington dhe ne Pensilvani.
Me këtë akt terrorist, me mizorin në historinë e kohërave, ideatorët dhe ekzekutorët e tij besonin se do të mund të përkulnin flamurin amerikan, flamurin e vendit më të lirë e më të fuqishëm të planetit. Sot pas 10 vitesh ky flamur valëvitet më lart se kurrë.
Sot, pas 10 vjetësh, familjet e atyre që humbën jetën nga ky sulm, qytetarët e SHBA, miqtë e tyre në mbarë botën, kujtojnë këtë datë dhe nderojnë kujtimin e viktimave të 11 shtatorit pasi ideatorët, sponsorët, mbështetësit, organizatorët e tyre, Sudanët e Bin Ladenët dhe të tjerë të ngjashëm me ta, kanë marrë ndëshkimin më të merituar.
Shqipëria dhe shqiptarët, por dhe vendet e lira, u janë mirënjohës qeverisë së SHBA dhe kombit amerikan për udhëheqjen e vendosur të luftës kundër terrorizmit botëror dhe arritjet historike në këtë luftë. Shqipëria dhe shqiptarët ndihen krenarë se qëndrojnë të rreshtuar me mikun e tyre të madh në mbështetje të kësaj lufte gjatë këtyre 18 viteve duke dhënë kontributin e tyre modest në rezultatet e saj.
11 Shtatori është një apel për të gjithë njerëzit e lirë për një qëndrim të vendosur ndaj urrejtjes, intolerancës dhe fanatizmit të çdo lloji e të çdo ngjyre.
© Panorama.al











