
Kryeministri Sali Berisha deklaron se nuk do të kandidojë për President në korrik të vitit të ardhshëm, por ai do të zgjidhet nga maxhoranca me 71 vota.Në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në “Opinion”, ai deklaron se ka nisur fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013. Berisha komenton gjithashtu disa nga raportimet e ish-ambasadorit Withers për Uashingtonin, të cilat i cilëson si qëndrime personale të tijat.
Sipas WikiLeaks, Ambasada ka opinione negative për Shqipërinë dhe ju thoni se Departamenti i Shtetit ka…
Po marrin rastin konkret. Ky zotëri (Withers), nëse merren kabllot para rënies së tij në hetim me kabllot pas rënies së tij në Kongresin Amerikan, ato dallojnë si nata me ditën. Ai mendoi se e paditi qeveria jonë për çështjen e Patrik Henrit apo Diverolit. Ne nuk e kishim paditur, sepse unë edhe atëherë, edhe sot e them që ai s’kish ndonjë lidhje me të. Por ai krijoi këtë përshtypje.
Ju thoni se ishte politikë personale e Withers?
Tërësisht. Ai mund të kishte detyrë të përcillte shtypin. Unë po ju jap një moment që ishin apo jo personale. Edhe unë fillimisht kam pasur këtë pikëpyetje. Në fund të gushtit 2008 ai fton në zyrë tetë gazetarë, nga të cilët gjashtë kundërshtarë të egër të qeverisë, të betuar. Dhe u thotë: “Ju thirra këtu që t’ju them në mënyrë informale, por ju mund ta botoni, që Senati Amerikan nuk do ta pranojë Shqipërinë në NATO”. Votimi ishte më 17 shtator. Së dyti, u tha: “Qeveria shqiptare, Berisha, do të përzërë OSBE-në se do të manipulojë zgjedhjet e 2009-s”. E me radhë të tretën, të katërtën. Dhe këta thirrën “Eureka”, dolën të ngazëllyer, në ekstazë nga takimi dhe të nesërmen të gjithë titujt e gazetave ishin: “Shqipëria nuk pranohet në NATO”.
Pse thoni ishte personale? Mund të ishte i autorizuar nga qeveria që t’ju paralajmëronte…
Kurrë, kurrë, sepse më 17 shtator, Senati i SHBA votoi pa asnjë votë kundër anëtarësimin e Shqipërinë në NATO. Së dyti, qeveria shqiptare i kishte dërguar letër kryetarit të radhës së OSBE-së, ia kishin dërguar edhe miqve tanë, ku kërkonim që OSBE të merrte pjesën më aktive në monitorimin e procesit zgjedhor. Pas një muaji i ftoi sërish këta gazetarë në zyrë dhe iu dha një set të dytë të dhënash, që i kishte krejtësisht personale. Ata i thanë: “E di si është puna, zoti Ambasador? Këto që na the tani, nuk i themi, se nga të parat që na the nuk doli asnjë e vërtetë”. WikiLeaks është një vjedhje e madhe që u është bërë kodeve dhe dokumenteve të vendit më mik që ka Shqipëria. Të glorifikosh një veprim të tillë, ta bësh objekt debati dhe diskutimi, është njësoj si të futesh në një kazan thashethemesh.
Withers ka informuar Uashingtonin se ish-shefi i Shtabit, Luan Hoxha, i ka thënë atij në një takim ballë për ballë, se gjatë fazës së dytë të Gërdecit ai është telefonuar nga djali juaj dhe i është kërkuar të vijojë furnizimin me armatime të rënda të Gërdecit. Shefi i Shtabit i ka thënë se ju ka dërguar ju, Topallit dhe Topit një letër për t’ju informuar…
Sërish ky i përket fondit të WikiLeaks. Kur im bir më tha se do t’i drejtohem gjyqit, unë i thashë jo.
E ka telefonuar apo jo shefin e Shtabit?
E para njëherë që s’do t’i drejtohemi gjyqit. Nuk mund ta përfillim ne WikiLeaks siç e përfilli Edi Rama, që u anëtarësua në partinë e tij. Kabllogrami thoshte se në vitin 2007, Luan Hoxha ka marrë një telefonatë nga një zë që iu duk si zëri i një të riu. Ai mendon se ky ishte zëri i Shkëlzen Berishës dhe sipas këtij kablli, nuk ia kish thënë prokurorit. Kjo ishte gjëja më e verifikueshme. Nëse kish marrë një telefonatë dhe ishte kërcënuar, ose i ishte kërkuar kjo, nuk kish gjë më të thjeshtë kush ishte autori. Sot ky zotëri ka bërë një deklaratë që s’e ka thënë kurrë një gjë të tillë. Unë s’dua të komentoj, por dua të them se në të gjitha dokumentet e dosjes faktohej se marrëveshja e dytë ishte për çmontim gjylesh, dhe ky ka qenë absolutisht akti më i rëndë që ka ndodhur.
Përse djali juaj do të përfshihej në një telefonatë me shefin e Shtabit?
Djali im thotë se kurrë ndonjëherë nuk ka pasur një bisedë telefonike, se nuk i ka telefonuar kurrë Luan Hoxhës dhe asnjë ushtaraku tjetër. Donte t’i drejtohej Drejtësisë dhe i thashë: “Me WikiLeaks nuk do të bëhet një hap”. Sot Hoxha bëri një deklaratë që s’e ka thënë kurrë këtë.
Rama bëri editorial për WikiLeaks…
Ai u anëtarësua në partinë e tij. Rama e ka të natyrshme edhe ndërrimin e partisë, edhe ndërrimin e orientimeve. Ai s’e bëri këtë kundër meje. E kishte të gjithën luftë të brendshme në partinë e tij. Shpalli pesë spiunë, i rreshtoi dhe futi edhe një bashkëpunëtor timin, i cili, sipas tij, kishte spiunuar se u kishte shpjeguar diplomatëve amerikanë ligjin dhe procesin zgjedhor, për ta përzierë spektrin duke harruar që dëshmonte një mentalitet nga më të shkuarit, shpalli Kastriotin, Andisin, Pandeliun dhe Blushin, sepse kishin shprehur mendime në biseda me diplomatë amerikanë. U përpoq Rama ta shfrytëzonte këtë jo kundër meje, por për luftë të brendshme në partinë e tij.
Si shpjegohet që Withers ka raportuar të gjitha takimet e mundshme dhe nuk raporton asgjë për takimet me ju?
Këtë pyetje duhet t’ia bësh atij, jo mua. Unë e kam takuar. Marrëdhëniet e mia kanë qenë ato që dihen me të. Por një gjë kam pasur, gjersa unë pata mundësi t’ua them eprorëve të tij gjithçka mendoja, unë atij nuk i kam thënë asgjë, e kam respektuar plotësisht gjer në fund si ambasador të SHBA. Në mënyrën më të qartë, i kam shprehur në prani të eprorëve të tij gjithçka që unë kam menduar. Nuk ka njeri që t’i respektojë më shumë se unë ambasadorët. Atë që nuk e pranoj, ua them dhe, në rast nevoje, qeverive të tyre. Ne kemi të bëjmë me vende mike dhe partnere.
Në një rast, Presidenti Topi është shprehur se nëse nuk do ta kalonte ligjin e lustracionit, ju ishit përgatitur të godisnit me gurë me militantë selinë e Presidencës. Ka pasur një plan të tillë?
Së pari, të garantoj që ky plan nuk ka ekzistuar kurrë. Së dyti, në qoftë se zoti Topi i ka thënë se “unë, për shkak të gurëve që mund të më gjuajnë, nuk firmos ligjin”, ka firmosur një kapitull.
Ju e besoni?
Jo, nuk e besoj. Por, nëse një President thotë se firmos dhe nuk firmos në presion, nuk mund të thotë gjë më të rëndë për veten dhe postin që mban. Në politikë të duartrokasin, të dhurojnë lule, të përqafojnë, të gjuajnë me gurë, janë të gjitha.
Por jo Kryeministri Presidentin…
Kjo është një gjë e paimagjinueshme. Nga dita e emërimit të tij gjer sot nuk mund të thotë kurrë se ka pasur qoftë edhe presionin më të vogël për asnjë akt të tillë.
Sipas ambasadorit Withers, ju jeni në muzg politik dhe ai hidhte idenë se problemi më i madh në PD është ajo që quhet trashëgimia post-Berisha. Unë po i referohem një opinioni të përhapur mes opozitës dhe komentatorëve se…
Do të pasohem nga Argita? Që vajza ime do të më zëvendësojë? PD-ja është një parti strukturash, si vajza dhe djali kanë qenë gjithmonë aktivë në jetën politike të saj, kanë preferuar të qëndrojnë jashtë angazhimit konkret. Këto ide janë qesharake.
Ka një koment të përhapur, sipas të cilit, në korrik 2012 ju do të kandidoni për President, duke ia lënë qeverinë ndoshta zotit Basha ose Topallit?
Unë nuk i marr vesh këta. Nga njëra anë thonë të ndryshojmë Kushtetutën që të forcojmë postin e Presidentit, nga ana tjetër thonë të vëmë Berishën President. Hallin e kompetencave të mia kanë ata? Janë jashtëzakonisht kaotik në këtë.
A ka një plan konkret që ju të largoheni nga qeveria dhe nga PD-ja për të shkuar në Presidencë?
Pasioni im nuk është pushteti, pasioni im janë reformat.
Kjo do të thotë që ju nuk do të kandidoni në postin e Presidentit?
Jo dhe jo.
Është deklaratë e prerë kjo?
E prerë, jo dhe jo.
Duke qëndruar si President mund të dilni nga politika në mënyrë “soft” sepse në 2013-n do ta keni të vështirë t’i fitoni këto zgjedhje sipas opozitës…
2013-a do të ketë një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, do të ketë zgjedhje kompetitive dhe transparente.
Ju do ta drejtoni fushatën e PD-së?
Pa diskutim, me pasion të madh. Sa për dijeni, kam filluar përgatitjet që tani. I kam filluar përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme që tani.
Ju thatë që s’do të kandidoni për President. A keni ndonjë ide kush do të jetë Presidenti ose Presidentja e ardhshme e Shqipërisë?
Jo, nuk kam asnjë. Të hapësh një vit përpara debatin për postin e Presidentit lëndon Presidencën dhe postin e Presidentit. Presidenti është duke ushtruar detyrën.
Do të jetë një zgjedhje e kësaj maxhorance, zoti Berisha, apo kompromis me opozitën?
Kushtetuese pikë për pikë, siç thotë Kushtetuta.
Me 71 vota?
Absolutisht.
Asnjë tjetër?
Asnjë tjetër, nuk ka diskutim. Kushtetuta është baza.
A shtrohet në Partinë Demokratike çështja e zëvendësimit tuaj, zoti Berisha?
Nuk ka të pazëvendësueshëm në Partinë Demokratike.
Është shtruar ky debat?
Jo, por është parimi. Nuk ka nevojë për debat.
A do të bini dakord me opozitën për të rikthyer ndryshimet kushtetuese, të cilat, siç deklaroi dhe Rama, ishin të gabuara?
Unë mendoj se zoti Rama bëri një tërheqje të arsyeshme, sepse ai dhe çdo politikan shqiptar e ka të qartë se heqja e mekanizmit, e procedurës ekzistuese të zgjedhjes së Presidentit me 3/5, siç ishte në Kushtetutë, përbën një arritje madhore në kushtetutshmërinë e këtij vendi. Ai nen që çonte vendin 3 herë në zgjedhje dhe herën e fundit, pas 1 viti, Presidenti mund të zgjidhej me 50+1, ishte një absurditet i madh kushtetues.
Nëse opozita jua kërkon ndryshimet kushtetuese, do t’i negocioni? Për Presidentin?
Jo, kategorikisht jo.
Shprehet një tjetër shqetësim i opozitës që nëse kjo maxhorancë në korrik 2012 merr Presidentin, ajo do të marrë edhe prokurorin e Përgjithshëm, edhe shefin e SHIK-ut, duke futur në kontrollin e saj të gjitha pushtetet në Shqipëri…
Presidenti, prokurori i Përgjithshëm janë tërësisht drejtues institucionesh të pavarura kushtetuese. Ky që është sot President ka qenë nënkryetar i Partisë Demokratike për disa vjet. Me cilën anë është sot ky? Më thuaj ti mua. Në atë anë që ka dashur.
Është në atë anë se e çoi sjellja e forcës suaj politike.
Dakord, për inat të sime vjehrre, dal e fle me mullixhiun, thua ti. Nuk shkon kjo.
Një njeri nuk mund të rrijë mes dy goditjeve politike…
Nuk kishte goditje. Ky zotëri ishte nënkryetar i Partisë Demokratike, faktikisht do të kishte dashur të ishte nënkryetar i Partisë Socialiste me ato që bëri dhe ato qëndrime që mbajti. Asnjë rëndësi nuk ka. Këto janë që të gjitha zgjedhje të caktuara. Nuk duhet të ngatërrojmë qëndrimet e individit me postin e Presidentit. Presidenti ka një mekanizëm të shkëlqyer zgjedhje, siç e ka Republika Italiane, Republika Federale Gjermane.
Pse nuk bëhet me zgjedhje nga populli, siç e ka Maqedonia dhe Kroacia?
Do të marrim shembullin e demokracive perëndimore të konsoliduara, apo të marrim shembullin e demokracive në konsolidim e sipër? Ne do të marrim shembullin e demokracive të konsoliduara. Do të them vetëm një vend që e ka Presidentin ceremonial dhe zgjidhet nga populli. Ndodhte që kur vinte puna te fotoja familjare, vinin të dy te tabela, edhe Kryeministri, edhe Presidenti, dhe shtynin njëri-tjetrin në prani të rreth 50 presidentëve që ishin aty. E vetmja arsye ishte se “jam zgjedhur nga populli”. Nga populli duhet të zgjidhet kur republika është presidenciale, por në republikë parlamentare ta zgjedhës nga populli vetëm se sa krijon një proces shtesë krejtësisht të panevojshëm.
A do të jeni ju të gatshëm të bashkëpunoni për reformën zgjedhore?
Plotësisht.
A është e vërtetë që do t’i nxirrni shqiptarët 70 vjeç në pension, z. Berisha?
Absolutisht jo. Ky është një trillim që behët, siç behët për çdo reformë.
Sa do të bëhet mosha e pensionit?
Mosha e pensionit do të jetë kjo që është sot. 65 vjeç për meshkujt dhe 60 për femrat. Kjo nuk lëviz dhe i garantoj shqiptarët. Më parë ka qenë 60 vjeç dhe u çua në 65 vjeç. Kjo u bë sepse u rrit standardi i jetesës. Po të pyesim këta që janë sot, e kanë mesataren e jetës rreth 78 vjeç dhe ata që do të vijnë pas 20 vitesh mund ta kenë mesataren 85 vjeç me këtë trend. Nëse studimet me antioksidantë do të japin rezultatin që pritet, jetëgjatësia do të rritej aq shumë, sa nuk e parashikojmë dot sot. Në këto raste këshillohet që mosha e pensionit në interesin më të mirë të qytetarit të indeksohet me jetëgjatësinë. Kjo do të thotë që në qoftë se mosha mesatare është 85 vjeç, mosha e daljes në pension të jetë 66 vjeç. Por nuk diskutohet për 70 vjeç, dhe kjo nuk është diskutuar kurrë. Kjo që po them është në interesin më të merë të qytetarëve dhe nuk bëhet fjalë për 2 apo 3 vite, por, nëse vendoset, do të shikohet për x vit kur të shihet kalkulimi. Në rast se mbetet kush zemërthyer prej tij, mund të dalë në pension kur të dojë.
Me pension më të ulët?
Jo, me kontributin që ka. Kjo reformë është për të ardhmen. Një ndër parimet themelore të reformave duhet të jetë që nuk duhet të cenojë të ardhmen, konceptimi zhvillimit të qëndrueshëm. Kjo ka si kusht themelor moscenimin e së ardhmes për ata që vijnë.
A do të ketë ndryshime në qeveri, z. Berisha?
A mund të ndryshojë qeveria pse shkruajnë mediat?!
Nuk do të ketë?
Pse duhet të ketë kur kjo qeveri shënoi fitoren më të thellë në zgjedhjet e kaluara? Në zgjedhje besoj se kur forca politike është në qeveri, ajo që është në provim është qeverisja. Në këto zgjedhje ne patën rezultatin më të thellë, 140 mijë vota më shumë se koalicioni tjetër dhe Tirana ishte kurora e kësaj fitoreje historike.
Në zgjedhjet brenda PD-së u kompletua Kryesia dhe ende nuk ka një garë për postet kryesore, sekretarët apo nënkryetarët…
Shumë shpejt do të plotësohen të gjitha. I kam shpjeguar arsyet pse u shtynë, por absolutisht do të plotësohen dhe nis beteja për zgjedhjet e vitit 2013.
Keni folur edhe për rishkrimin e historisë së vendit. A ka lidhje kjo me ndryshimet në ligjin për ish-të përndjekurit politikë?
E vetmja gjë që ka mbetur ende në bunker është historia. Pas pavarësisë ndodhën 1001 përpjekje për të asgjësuar Shqipërinë. Presidenti Uillson refuzoi të firmosë copëtimin e Shqipërisë në funksion të të huajve dhe erdhi më pas Kongresin e Lushnjës. Personalitete të caktuara u angazhuan në rrëzimin e qeverive. Një njeri, nuk ishte as më i pasuri. Vinte nga një familje kryesore e Matit, Ahmet Zogu, që nuk kishte as eksperiencë, por ishte ndoshta më inteligjenti dhe më trimi. U zgjodh Kryeministër dhe e përzunë. I kënduam lavdi përzënies së tij, puçit ndaj tij në mënyrën më absurde. Ai sërish u kthye dhe ndërtoi shtetin. Pavarësia e Shqipëria ishte tërësisht fiktive dhe u bë reale vetëm nga Ahmet Zogu. Unë jam republikan në bindjen time më të thellë. Në kushtet më të vështira, kur grupe të caktuara bënin çdo përpjekje për ta përmbysur, ky zotëri ia doli të konsolidojë shtetin shqiptar. Ia doli të ndërmarrë projekte serioze zhvillimi. Po të studiosh historinë e infrastrukturës në Shqipëri, mbi 75% e saj është ndërtuar nga Mbreti Zog. Përpjekjet e tij janë titanike për të mbështetur çështjen e Kosovës. Ndaj tij ka qenë qëndrim kriminal. Shqipëria u sulmua e para në Europë dhe ai, ashtu si çdo oborr tjetër në Europë, u larguar për të vijuar luftën nga mërgimi. Por qëndrimi i Mbretit ndaj luftës ishte qëndrim i vendosur dhe konsekuent për zhvillimin e vendit. Qëndrimi i zogistëve ishte për luftë. Nëse nacionalistët mund t’i grupojmë në ballistë dhe zogistë, ata që ishin nacionalistë të vërtetë dhe përfundimtarë ishin zogistët, të cilët, gjatë gjithë luftës, nuk bënë asnjë kompromis me pushtuesin, ashtu siç një pjesë e Ballit nuk e bëri, ndërsa një pjesë bashkëpunoi. Vendi ka një protokoll, i cili duhet të nderohet dhe duhet të vijë me të gjitha nderimet që i përket.











