Berisha: Ruçi refuzoi dy herë Patozin kur zgjodhëm Zaganjorin

Jun 2, 2012 | 13:56
Idrizi, Meta e Berisha gjate negociatave

Kryeministri Sali Berisha zbardh nga qyteti i Vlorës negociatat për emrin e Xhezair Zaganjorit mes kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi dhe atij të PS-së, Gramoz Ruçi. Duke folur në selinë e rikonstruktuar të degës në Vlorë, kreu i maxhorancës tha se Patozi i kishte kërkuar Ruçit dy herë takim për t’i prezantuar kandidaturën e përzgjedhur nga koalicioni i djathtë përpara se ajo t’i jepej medias, por kryetari i Asamblesë së PS-së e kishte refuzuar, duke i thënë se do ta takonte të nesërmen. “Menjëherë sapo është përzgjedhur i kam kërkuar zotit Patozi që t’i kërkojë takim zotit Ruçi, të konsultohet me të, t’ia paraqesë kandidatin. Zotit Ruçi i kërkoi takim, por takimi u përcaktua për të nesërmen. Përsëri unë i kërkoj zotit Patozi që sërish të lidhej me zotin Ruçi, sepse nuk duhej të merrej vesh nga media, pasi duhet të konsultoheshin, por përsëri zoti Ruçi e refuzoi takimin atë natë dhe tha se takimi do të bëhet vetëm ditën e nesërme në Kryesinë e Kuvendit. Natyrisht, opozita ka të drejtën e saj të mbajë qëndrimet që do, por opozita dhe asnjë forcë politike nuk ka të drejtë të refuzojë një kandidat, i cili përfaqëson vlera reale në të gjitha fushat ku ky zotëri ka qenë”, u shpreh Berisha. Nga qyteti i Vlorës ku ishte i pranishëm në inaugurimin e përfundimit të tunelit të këtij qyteti, Kryeministri u ndal gjerësisht në çështjen e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit.
Takimi me Ramën
Kreu i maxhorancës u shpreh se është i gatshëm të takojë kundërshtarin e tij politik, Edi Rama. Por, nga qyteti i Vlorës, Berisha ironizoi deklaratat e kreut të PS-së lidhur me takimin që ai kishte zhvilluar me kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule. “Unë ju them se jam i gatshëm në çdo kohë, se tani ai nxjerr pretekstin se jemi kthyer, se ne jemi takuar me aleatët, por po të jetë puna për aleatët, Dule deri dje ishte aleati ynë dhe historiku i PBDNJ-së është historiku si një parti e atyre përmasave që ka ndërruar tagrin, por është më shumë e spektrit të djathtë, se asaj të majtë, dhe kjo nuk do të thotë se unë nuk do të takohesha me zotin Rama, por ta marrë ai për fyerje se u takua me Vangjel Dulen, ky është një inat që nuk ka asgjë të përbashkët me politikën dhe politikanët”, theksoi më tej Berisha. Sipas tij, “sot takoi kandidatin dhe pavarësisht se nuk ishte në gjendje në komunikatën e tij të lëshonte qoftë edhe një fjalë të vetme kundër tij, u shpreh se nuk votojmë se Sali Berisha na ka poshtëruar. Po çfarë poshtërimi ju ka bërë Sali Berisha? Unë pardje deklarova se si Kryeministër jam i detyruar të pres çdo qytetar dhe aq më tepër kryetarin e opozitës, që e pres absolutisht në çdo kohë që të dojë. Por, në qoftë se është fjala për të arsyetuar për të pasur një proces të suksesshëm, urdhëro zotëri dhe më thuaj cilat janë vërejtjet që ke për kandidatin, urdhëro zotëri paraqit kandidatin tënd, por po ta hedhësh poshtë apriori, kjo është të nisesh nga klisheja e armikut”.
Kandidatura
Kryeministri vlerësoi si një figurë shumë të mirë, të përkrahur edhe publikisht, kandidaturën e propozuar nga koalicioni i djathtë, anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori. Ai tha se kandidati nuk ka qenë asnjë ditë anëtar i Partisë Demokratike dhe fakti që nuk është zgjedhur një personalitet i kësaj partie, tregon se shumica kërkon konsensusin e opozitës me një emër të pranueshëm. “Bazuar në këtë proces ne kemi përzgjedhur deri tani një kandidat, i cili për herë të parë ka marrë një miratim universal në opinionin publik shqiptar dhe e vërteta është që rrallë ndonjëherë nuk ka ndodhur që një kandidat të mbështetet nga personalitet e të gjithë spektrit politik. Dhe unë besoj se fryma dhe gërma e Kushtetutës kërkojnë që personaliteti, burri apo gruaja që përzgjidhet apo emërohet në këtë detyrë duhet të ketë virtyte, duhet që të ketë aftësinë, duhet të ketë integritet, duhet që në provat e tij ta ketë faktuar veten një shërbëtor i vërtet i kombit dhe vendit të tij”, theksoi më tej Berisha. “Takimin e dytë në të cilin ne shqyrtuam dhe unë dua t’ju them këtu ju dhe qytetarëve të Vlorës e Shqipërisë se kam qenë unë Sali Berisha që jam shprehur se kandidati nuk do të jetë një eksponent politik i PD-se, sepse PS këtë nuk mund ta mirëkuptojë, dhe qëllimi ynë është një kandidat i cili do të votohet edhe nga opozita. Ky ishte edhe përcaktimi i Kushtetutës”, u shpreh kreu i demokratëve.
Kritikat për PS
Berisha tha se shumica ka nxjerrë mësim nga situata e vitit 2007, kur një numër i madh kandidaturash u artikuluan në ato ditë negociatash, por më pas u zgjodh nënkryetari i PD-së. Berisha tha gjithashtu se shumica do t’i përmbahet marrëveshjes që ka me LSI-në, teksa shtoi se Rama kërkon ta kthejë këtë çështje në një pazar. “Zoti Rama, i cili është i interesuar me sa duket për pazar dhe jo për kryetar shteti, është i interesuar për përfshirjen e një pazari të vërtetë në zgjedhjen e kryetarit të shtetit, dërgoi një editorial ku betohej se do të rrëzonte qeverinë dhe katër kushte ultimatum, pa të cilat ai nuk mund të fliste për Presidentin e Republikës. Natyrisht, praktika e ultimatumeve është një praktikë e dështuar, ne nuk i bëjmë kujt kurrë ultimatum. Ne jemi forcë demokratike dhe, si e tillë, nuk e njohim kulturën e ultimatumeve ndaj tjetrit”.

Berisha: Naftë në fshatin e Edi Ramës
Kryeministri Berisha nuk i ka kursyet batutat për Ramën në mbledhjen e KRRTRSH-së, ku u mor vendimi për kërkimin e naftës në zonën e Shpiragut. “Ky shpim ndodh pikërisht në fshatin e Edi Ramës, fshat të cilin unë e kam vizituar dy herë dhe biri i tij i shquar nuk e ka vizituar asnjëherë, madje sipas Sokol Olldashit, që është edhe ky një bir tjetër i atij fshati, ai nuk e pranon fare që është nga Mbreshtani”, tha Berisha.

Raundi i dytë, nis me mbledhjen te Ligjet
Sipas vendimit të ditës së enjte të Parlamentit, raundi i dytë i zgjedhjes së Presidentit do të zhvillohet të hënën në orën 10:00. Edhe këtë herë procedura do të nisë me mbledhjen e Komisionit të Ligjeve në orën 9:00, i cili në varësi të paraqitjes së kandidaturave do të bëjë edhe raportin përkatës. Nëse edhe këtë raund nuk do të ketë kandidatë të propozuar nga deputetët, do të mblidhet sërish Konferenca e Kryetarëve për të caktuar raundin tjetër.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura