Retrospektivë për vitet e komunizmit dhe premtimet në infrastrukturë kanë qenë dy tiparet kryesore të fushatës së djeshme të kryeministrit Berisha, i cili ka prezantuar kandidatët e koalicionit “Aleanca për qytetarin” në Burrel dhe Kavajë. Duke promovuar fillimisht mjekun-kandidat të Burrelit, Skënder Lleshi, lideri demokrat garantoi se në katër vitet që vijnë qeveria do të asfaltojë çdo rrugë, nga qendra e Burrelit në kufi me Mirditën, me Tiranën, me Krujën. “Do të asfaltohen rrugët e mëdha Rrëshen-Klos, Urakë-Klos, Selishtë-Macukull-Muhërr, Komsia-Qafë-Shtamë, do të hapet tuneli i Qafës së Murrizit dhe do të finalizohet Rruga e Arbrit”, premtoi Berisha, ndërsa u zotua edhe për investime në arsim, për ujësjellës e kanalizime në çdo fshat. Përballë kësaj alternative, Berisha tregoi edhe atë të kryesocialistit Rama, që ai e konsideron si “rruga e vetmisë”. “Rruga tjetër, e nxjerrë nga veprat e Enver Hoxhës si e vetmja rrugë, është rruga e sharjeve, e shpifjeve, e trillimeve dhe ne t’i lëmë në rrugën e vetmisë”, theksoi Kryeministri dje në mesditë, ndërsa në mbrëmje u zhvendos në Kavajë, ku prezantoi kandidatin për kryetar Bashkie të këtij qyteti, Refik Rrugia. Duke i ftuar qytetarët që të votojnë alternativën e djathtë, Berisha iu drejtua një 18-vjeçareje: “E dashur Frida, dy vjet para se të lindje ti, baballarët dhe nënat tuaja në këtë qytet, rrugën e vetme e shkelmuan me këmbë, e shtruan përtokë dhe ecën mbi të, sepse ata, si rrugë të vetme njihnin vetëm rrugën e Zotit, kurse si rrugë tokësore njihnin rrugën e Lirisë. Ndaj, pyet prindërit e të afërmit se cila ka qenë rruga e vetme 20 vjet më parë”. Duke vijuar në këtë linjë, Kryeministri u tha qytetarëve të zonës se në vitet ’90, rrugën e vetme e shkelën me këmbë, ndërsa premtoi investime në infrastrukturë, kanalizime, shkolla, turizëm etj.











