
Kryeministri: Do ketë proces kushtetues.
Berisha: Presidenti do jetë nga PD, e sigurt që s’jam unë.
Kryeministri Sali Berisha konfirmoi mbrëmë se ai nuk do të jetë kandidat për President në muajin korrik. Në një intervistë në “ABC News” për gazetaren Sonila Meço, kreu i qeverisë tha se do të jetë një kandidaturë e PD-së që do të zëvendësojë Topin në pesë vitet e ardhshme.
Ai vlerësoi gjithashtu qëndrimin e mbajtur deri tani të kreut të LSI-së, Ilir Meta, sa i takon gjyqit për videon e regjistruar nga Dritan Prifti, teksa shtoi se rikthimi në qeveri do të jetë një çështje e ish zv.kryeministrit dhe ministrit të jashtëm.
I qëndroni idesë për ta respektuar Kushtetutën edhe në çështjen e zgjedhjes së Presidentit, pra të jetë kushtetues?
Absolutisht. Në asnjë formë tjetër.
Ambasadorët janë shprehur për një president konsensual…
Respekti im për ambasadorët është shumë i madh dhe e them këtë me seriozitetin më të madh. Respekti im për Kushtetutën e vendit tim është absolut dhe e them këtë me seriozitetin më të madh.
Kushtetuta parashikon 3 raundet e para me 84 vota…
Unë po them proces kushtetues.
PS ka propozuar një proces si i Avokatit të Popullit?
Ishte një rrethanë tjetër. Të paktën katër persona nga PS kanë ardhur në zyrën time, duke më thënë që a jeni ju dakord që unë të jem Avokat i Popullit. Unë kam pasur një përgjigje për ata, do pranoj çdo kandidat që të paraqesë PS-ja. A është i gatshëm Rama të thotë që do të pranojë çdo kandidat që do paraqesë PD për Presidentin? Për këtë pyesni Ramën, por instinkti dhe eksperienca më shtynte mua që, para se të dilnin nga zyra, t’u them ‘shiko, nga unë keni këtë, por ai nuk do t’u propozojë’. Dhe u doli siç u thashë, nuk solli asnjërin prej tyre, paçka se u kish thënë që ‘unë jam dakord, po të jetë dakord ai’. Pse e pranova Avokatin? Sepse nuk kisha votat. Po të kisha 84 vota, unë mund t’i thosha Ramës ja ku janë katër kandidatura, cilin pëlqen, siç kemi bërë me kryetarin e KQZ-së, i cili është konsensual, siç është Subashi. Për Avokatin i thashë sille dhe unë nuk do të vë kandidat rival. Nuk i thashë sill tre apo katër kandidatë. Është i gatshëm Rama të thotë sill Presidentin që do?
Nuk vlen analogjia, nuk janë poste të njëjta…
Po kur je në minorancë, vlen analogjia? A e dëgjuat Avokatin, kur tha që kam marrë 127 vota dhe do t’i qëndroj votës? A nuk erdhi ky mirëfilltas nga PS? Erdhi. Tani Rama po krijon problemin e Presidentit. Mediat merren çdo ditë me këtë punë. Sali Berisha i qëndron Kushtetutës.
Zgjedhja e Presidentit me mënyrë të thjeshtë sipas PS-së do të krijonte një republikë partiake…
Me pëlqimin e plotë të Ramës. Gjithçka është bërë me votën e socialistëve për Kushtetutën.
Ka kosto politike?
Asnjë lloj kostoje politike. Presidenti duhet të jetë njeri i Kushtetutës. Nëse Presidenti e koncepton veten e tij në luftë me maxhorancën, ai bën një luftë me mullinjtë e erës dhe hyn e del nga skena si një Don Kishot. Faktet janë fakte. Maxhoranca është maxhorancë, ka të gjitha atributet për të vendosur në mënyrë sovrane në Parlamentin e vendit. Nëse Presidenti e konsideron veten se nuk ka punë me maxhorancën, ai rri si në kafaz. Detyra e Presidentit është të negociojë dhe të gjejë ekuilibra. Presidenti është kryeministër i drejtësisë. Emërimet që i ka Parlamenti, Presidenti detyrimisht i negocion, po të isha unë.
Ka një shkelje kushtetuese, kur Presidenti nuk ka negociuar me Parlamentin.
Presidenti është në gjashtë muajt e fundit të tij, preferoj të mos flas asnjë fjalë për të. Gjashtë muajt e fundit janë një periudhë që nuk duhet të…
Mund të ketë ngërç këta gjashtë muaj. I referohem rastit të ambasadorëve?
Demokracia nuk është se s’ka probleme. Zotëria është në gjashtëmujorin e fundit, nuk më duket i fisshëm ky qëndrim që mbahet në mediat e vendit, duke e shndërruar atë në një gjë të pakallur.
Ç’doni të thoni me këtë?
Nëse ti diskuton çdo ditë për institucionin, ti dëmton veten. Presidenca është një institucion i rëndësishëm për çdo qytetar. Nëse e bën të paqenë, siç e bën tani dhe ndodh një stuhi e fuqishme lidhur me zgjedhjen dhe kandidimin, këto çfarë bëjnë? Këto politikisht e asgjësojnë. Ky nuk është interes i asnjë qytetari. Këtë debat kush po e udhëheq? Unë jam për respektimin e institucionit të Presidencës, pavarësisht se kush është aty. Presidenti e ka zgjidhur në mënyrën më ekzemplare këtë çështje. Zgjedhja e tij ishte unike; sa vuri ndenjëset në atë karrige, nuk pyeti më se ekziston maxhoranca.
Kandidatura e PD do të jetë një figurë e lartë dhe kur do të bëhet zyrtarizimi i saj?
Presidenti do të jetë figurë politike. Ai nuk do shkojë atje as për të shkruar romane, as për të luajtur futboll, shkon për të bërë politikë në përputhje me Kushtetutën e vendit.
Do të jetë nga PD-ja kjo kandidaturë?
PD ka jo një, por disa drejtues të shkëlqyer. Do të zyrtarizohet sapo të hapet gara.
Disa deputetë kanë përmendur edhe emrin tuaj si kandidaturë të mundshme?
Këta miq të mi nuk e kanë të qartë shumë që kundërshtarët e tyre mezi po presin ta shohin Berishën kandidat për President, por nuk do ta shohin. Këta nuk e bëjnë me atë qëllim. Unë kam qenë President. Unë u qëndroj zotimeve që u kam dhënë shqiptarëve. Kam bërë një fushatë elektorale, kam bërë premtime, madje deri në 2017-n. Unë si President nuk i mbaj dot ato. Unë qëndroj pas fjalës sime, pas programit tim.
Berisha nuk do të jetë kandidat për President? E sigurt?
Jo, nuk do të jem. Për këtë jam i sigurt, për këtë të garantoj.
A do të jetë Topalli?
Përtej Sali Berishës, unë mund të flas vetëm për veten time në këtë moment. Më vonë do të flas për shumë të tjerë. Sa e fisshme është që duke pasur Presidentin në detyrë, të nxjerrim kandidatë përreth? Do t’i duken si lugetër. Do të rri gjashtë muaj, kandidati do të shfaqet në skenë kur e thotë Kushtetuta, sepse ky është një proces serioz.
S’do të ketë proces konsensual?
Për atë pyesni Ramën a është i gatshëm të pranojë kandidaturën e PD-së. Unë pranova kandidaturën e tij për Avokatin e Popullit. I dhashë votat. Nuk ia kërkoj këtë gjë, po të dojë le ta votojë.
Si po funksionon koalicioni? Ka një vendim gjyqësor që pritet të dalë ndaj liderit të partisë së koalicionit Meta?
Mendoj se lideri i partisë së koalicionit ka dhënë një shembull të shkëlqyer. Iu nënshtrua një procesi mbi bazën e një dokumenti të prerë dhe ngjitur 28 herë. Dha dorëheqjen, shkoi para prokurorëve si qytetari Ilir Meta. Ekzistonin disa variante, por kërkoi më thelbësoren, që të gjykohej në thelb për këtë çështje.
Sot ka një pretencë të Prokurorisë ku ai shpallet fajtor?
Paraqitja ishte ndryshe. Ishte Meta ai që i kërkoi Gjykatës që të ndryshojë spektrin ose lëndën e gjykimit. Ishte për çështje materie, Gjykata e pranoi dhe u tregua e përgjegjshme. Meta i është përgjigjur në mënyrën më të civilizuar kërkesës së Gjykatës së Lartë, i ka shprehur besimin asaj dhe nuk ka pasur asnjë paragjykim. Ka pasur probleme të drejta me Prokurorinë, e cila ka mashtruar Parlamentin me dokument, por ky është kapitull tjetër. Pavarësisht nga kjo, nuk ka asnjë keqardhje nga heqja e imunitetit të Metës, sepse të dhënat e mëvonshme kanë faktuar katërcipërisht se Parlamenti është mashtruar, nuk iu tha e vërteta për ato çështje. Por kjo s’ka rëndësi. Është Drejtësia që e nxori këtë problem. Këtu mendoj se qëndrimi i Metës i bën nder atij si politikan. Pranimi i Gjykatës për ta shqyrtuar në materie çështjen, i bën nder shtetit ligjor, i bën nder integritetit të saj.
Në rast se drejtësia e nxjerr të pafajshëm Metën, do të rikthehet në qeveri?
Vendimi i drejtësisë është vendim drejtësie dhe pa diskutim që do të respektohet. Meta gjersa të jepet vendimi është i pafajshëm, ky është prezumimi i pafajësisë. Meta ka deklaruar se do ta respektojë plotësisht vendimin dhe ka besim të plotë në gjykimin objektiv. A do të jetë Meta pas vendimit të Gjykatës në qeveri apo jo, kjo është çështje e LSI-së dhe jo çështje imja. Është çështje e asaj partie aleate që unë bashkëqeveris.











