Në një tjetër reagim, pas atij të djeshmit ku kritikonte publikisht bojkotin e seancës plenare nga opozita, ish deputeti demokrat Ervin Salianji ka akuzuar Sali Berishën se po bën marrëveshje të reja me kryeministrin Edi Rama.
Në një postim, Salianji shprehet se kreu i PD-së urdhëroi deputetët që të bojkotonin seancën në Kuvend duke u fshehur pas justifikimit për protestën, por në fakt po mbron pazaret e reja me Ramën.
Sipas ish ligjvënësit demokrat, nëse opozita do të kishte vullnetin politik, do të shkonte në Kuvend dhe do të përballej me qeverinë.
“Nëse do të kishte vullnet për opozitë, deputetët do të ishin në sallë për tu përballur me qeverinë. Frika e vërtetë është nga kërkesa gjithnjë e më e fortë e qytetarëve që Sali Berisha të largohet, pasi është shndërruar në patericën politike që e mban Edi Ramën në pushtet. Nën trysnine qytetare te presionit per largim Berisha po ben marreveshjet e reja me Ramen.“, thekson ai.
Salianji thotë se Reforma Zgjedhore dhe ajo territoriale janë dy pazaret më të mëdha që po bëjnë në kurriz të opozitës dhe të qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkojnë largimin e klasës politike.
Sa i përket Reformës Zgjedhore, Salianji thekson se Berisha nuk ka paraqitur propozime për ndryshime të rëndësishme në Kodin Zgjedhor, si listat 100% të hapura, sistemi proporcional kombëtar dhe zgjedhja e drejtpërdrejtë e deputetëve nga qytetarët.
Sa i përket Territoriales, ai thotë se, edhe pse afati i Komisionit për Reformën po përfundon, PD nuk ka paraqitur një alternativë për ndarjen e re administrative të vendit.
Reagimi i plotë:
Reforma zgjedhore dhe reforma territoriale; Dy pazaret e mëdha të verës nga Rama-Berisha për të mbajtur në këmbë sistemin.
Bojkoti i seancës plenare për shkak të frikës së vezëve është ironia më e madhe e 14 viteve të dergjes së demokratëve në opozitë.
Kundër bojkotit kanë qenë deputetët e grupit parlamentar, të cilët kanë kërkuar përballje politike me Edi Ramën në Kuvend. Megjithatë, Sali Berisha nuk i lejon të marrin pjesë, duke u fshehur pas justifikimit të frikës nga protestuesit dhe vezët, ndërsa në të vërtetë po mbron marrëveshjen e tij me Edi Ramën.
Vezët janë veç një justifikim banal dhe i ulët.
Nëse do të kishte vullnet për opozitë, deputetët do të ishin në sallë për tu përballur me qeverinë. Frika e vërtetë është nga kërkesa gjithnjë e më e fortë e qytetarëve që Sali Berisha të largohet, pasi është shndërruar në patericën politike që e mban Edi Ramën në pushtet. Nën trysnine qytetare te presionit per largim Berisha po ben marreveshjet e reja me Ramen.
Dy pazare të mëdha në kurriz të opozitës dhe të qytetarëve po bëhen ndërkohë!
Pazari i parë është reforma zgjedhore. Sali Berisha nuk ka paraqitur asnjë propozim serioz për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Nuk kërkon lista 100% të hapura, nuk kërkon sistem proporcional kombëtar dhe nuk mbron të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur drejtpërdrejt deputetët. Po braktis një nga kerkesat kryesore të protestuesve dhe po hesht edhe për propozimet e paraqitura nga Forumi për Dialog mes partive opozitare.
Pazari i dytë është reforma territoriale. Vetëm një javë para përfundimit të afatit të Komisionit për Reformën Territoriale, Sali Berisha nuk ka paraqitur asnjë alternativë për mënyrën se si opozita mendon se duhet të organizohet ndarja e re administrative e vendit. Pas turit të përbashkët me Edi Ramën në çdo qendër qarku, ku kontribuoi në përqendrimin e përfaqësimit politik në pak duar, tani po ia dorëzon në heshtje edhe reformën territoriale, pa debat, pa transparencë dhe pa asnjë vizion alternativ për Shqipërinë. Berisha gjasme bojkoton Rama e kalon sipas qejfit reformen territoriale.
Bojkoti i Kuvendit nuk është akt rezistence ndaj Edi Ramës; është mbulesa e radhës për pazaret që po bëhen larg syve të qytetarëve.
© Panorama.al












