Lufta në Ukrainë, Tusk: Nuk ka gjasa që paqja të arrihet së shpejti duke marrë parasysh kokëfortësinë e Putinit

Jul 14, 2026 | 11:19

Kryeministri polak, Donald Tusk tha se nuk ka gjasa që paqja në Ukrainë të arrihet së shpejti dhe shtoi se pret që Rusia ta zgjasë luftën të paktën deri në fillim të dimrit.

donald tusk

Tusk u tha gazetarëve në Paris se diskutoi situatën në Ukrainë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte dhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Në këtë pikë, duket e pamundur që të arrihet një armëpushim ose një marrëveshje paqeje në të ardhmen e afërt, duke pasur parasysh kokëfortësinë e Rusisë dhe (Presidentit Vladimir) Putin”, tha Donald Tusk.

Tusk vlerësoi se të gjithë aktualisht presin një përshkallëzim të veprimeve të Rusisë dhe se ka shumë të ngjarë që Rusia të dëshirojë ta zgjasë luftën të paktën deri në dimër.

Ai tha se Polonia do të organizojë stërvitje ushtarake me trupa franceze dhe britanike në vjeshtë, në mënyrë që ata të jenë gati për të ofruar siguri për Ukrainën dhe rajonin pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje ose armëpushimi.

“Këto do të jenë ushtrime që përgatisin të gjithë koalicionin (e të gatshëm) të mbledhur sot në Paris për garanci të tilla reale sigurie për Ukrainën, por edhe për rajonin”, tha Tusk.

© Panorama.al

Te lidhura