
Emëron Artan Hoxhën në krye të Gardës: Asnjë masë për organizatorët
Kryeministri Sali Berisha ka reaguar dje menjëherë ndaj vendimit të Gjykatës, që ka dhënë masën e arrestit shtëpiak për komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, duke e liruar atë nga detyra. Zëdhënësja e kreut të qeverisë doli në një konferencë për shtyp në mesditë duke bërë të ditur se në vendin e tij u komandua nënkolonel Artan Hoxha. “Kryeministri, në respektim të vendimit të Gjykatës të Tiranës, ka vendosur pezullimin nga detyra të gjeneral Ndrea Prendit dhe të komandojë në këtë detyrë shefin e Shtabit të Gardës së Republikës, nënkolonel Artan Hoxha”, tha Erla Mëhilli, zëdhënëse e Kryeministrit. Në njoftimin për shtyp konfirmohet qëndrimi për hetimin e plotë të ngjarjeve të 21 janarit, teksa u vlerësua edhe njëherë puna e bërë nga Policia, Garda dhe institucionet e tjera në vend. Teksa vuri theksin te hetimi gjithëpërfshirës, Kryeministri tha se asnjë prej organizatorëve nuk është dënuar sot, një vit pas atyre ngjarjeve. “Ai (Berisha) mendon se hetimi gjithëpërfshirës dhe zbardhja e plotë e ngjarjes tragjike të 21 janarit 2011 është një kusht madhor për dominimin e ligjit dhe Kushtetutën në vendin tonë. Kryeministri, duke i garantuar qytetarët në vendosmërinë e qeverisë për respektimin e plotë të pavarësisë së Gjyqësorit dhe zbatimin e ligjit, i informon shqiptarët se Prokuroria e Përgjithshme gjatë këtij viti jo vetëm që nuk ka marrë asnjë masë ndaj atyre që organizuan, sponsorizuan dhe realizuan sulmin ndaj Këshillit të Ministrave, por në Prokurori janë prishur, zhdukur dhe shitur prova dhe dëshmi të shumta të këtij hetimi”, thuhet në deklaratën për shtyp. Kreu i qeverisë e akuzoi sërish kryeprokuroren Ina Rama se e ka bashkërenduar të gjithë procesin me kryetarin e Partisë Socialiste, të cilin e ka informuar, sipas Berishës, për shkaqet e dështimit të aktit antikushtetues. Berisha tha gjithashtu se një vit pas 21 janarit nuk është dënuar as edhe një nga ata që montuan videon Meta-Prifti, e cila u përdor si shkak për të protestuar dhunshëm para godinës së Kryeministrisë. “Po kështu, janë të lirë të gjithë ata që në dhjetëra raste pohuan me shkrim se kishin ardhur të paguar për të rrëzuar qeverinë, ata që me hunj, gurë, shishe molotov sulmuan dhe plagosën qindra policë dhe gardistë, ata që morën veturën dhe thyen me të derën e oborrit të Këshillit të Ministrave, me qëllim që të pushtohej ndërtesa e Këshillit të Ministrave”, tha Berisha. “Kryeministri i siguron shqiptarët se ai, qeveria dhe forca e tij politike do të bëjnë gjithçka që ata që organizuan sulmin e egër mbi Këshillin e Ministrave, e paguan dhe sponsorizuan atë, ata që u vërsulën me të gjitha mjetet kundër Policisë dhe Gardës së Republikës që po mbronin ligjin, shtetin dhe Kushtetutën, ata që bënë gjithçka për të pushtuar institucionin Kushtetues të qeverisë për të përmbysur pushtetin legjitim të vendit, si dhe të gjithë ata që kanë shkelur ligjet e vendit dhe abuzuan me to, do të marrin ndëshkimin e merituar”, thuhet në fund të deklaratës për shtyp.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











