Kryeministri, Sali Berisha i cilësoi shpifje akuzat e Partisë Socialiste ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, për përgjime dhe trafik armësh. Në bashkëbisedimin e tij me gazetarët, Berisha tha se “ sa i përket përgjimit, ky është një sindromë i Edi Ramës, i cili rrotullon kolltuqet çdo mëngjes që shkon në zyrë”.
“Ushtria ka zbatuar dhe zbaton rregullat e plota si një institucion i depolitizuar. Ka patur dhe do të ketë të gjitha mjetet që i duhen për të përmbushur detyrat e saj kombëtare dhe ndërkombëtare. Edhe e dyta është një shpifje, njëlloj si e para. Kjo e dyta bazohet në sindromën obsesive, të njeriut që çdo mëngjes kthen përmbys kolltuqet se mos i kanë vendosur ndonjë përgjues.”- tha Berisha.
Berisha mohoi të kishte çdo lloj praktike përgjimi, ndërsa shtoi, se Shqipëria në përputhje me ligjet e vendit dhe ndërkombëtare ka edhe eksporte minimale të fishekëve, gëzhojave, dhe kjo kerkohet tu serviret shqiptarëve si një veprimtari trafiku.
Historia
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha u ndal edhe tek rishikimi i historisë së vendit me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë. Ai përsëriti edhe njëherë pohimin se ky vit duhet shndërruar në piedestalin e të vërtetave historike. Lidhur me akuzat në shtyp, se ai po dikton se çfarë të shkruajnë historianët, Berisha tha se “unë si kam kërkuar kujt kurrë të shkruaj këtë apo atë dhe nuk e bëj këtë. Por ata të cilët mendojnë se kryeministri nuk mund të flas për historinë, janë qesharakë. Unë ju them këtyre zotërinjve se, histori- politikë janë binomi më i pandarë”
Berisha u ndal edhe tek zërat që e akuzojnë atë se po nxjerr në pah figura nga veriu dhe nga Kosova. “Ideja se Berisha nxjerr në pah figura nga Veriu dhe Kosova. Nëse dikush mendon se Kosova dhe Veriu duhet të përjashtohet, s’ka qëndrim më antikombëtarë se ky.”
Reforma Zgjedhore
Kryeministri tha se, është tejet i kënaqur që reforma zgjedhore është mbyllur dhe pritet të votohet në Parlament, ndërsa mirëpriti edhe faktin që kreu u opozitës, Edi Rama është shprehur optimist.
“Unë jam shumë i kënaqur se reforma po mbyllet dhe do votohet. Kam theksuar dhe theksoj se është në detyrimin e qeverisë, të bejë konçesionet maksimale të mundshme opozitës në ligjin e zgjedhjeve. “- tha ai.
Kreu i qeverisë theksoi se “nuk është ligji që të jep fitoren, janë qytetarët, zgjedhësit, votuesit”, duke shtuar se, Rama beson se fiton nëpermjet ligjit.
Imuniteti
Lidhur me çështjen e heqjes se imunitetit, Berisha the se ende nuk ka informacion për qëndrimin përfundimtar të opozitës, ndërsa e ftoi atë që ta votojë heqjen e imunitetit.
“Ligji që ne dorëzuam në parlament për ndryshimin e Kushtetutës dhe organzimim e drejtësisë, në çdo germë, nen, pikë për pikë është ai që kanë paraqitur ekspertët e KE-së dhe Euralius. Unë personalisht kam lexuar, dhe e kam gjetur atë një ligj të mrekullueshëm. E kam gjetur një ligj ndër më të mirët, që i bën nder këtij vendi dhe çdo shqiptari.”- tha kryeministri.
Ekonomia
Pavarësisht problemeve dhe papunësisë arritjet e ekonomisë shqiptare nuk mund të përmbysen, tha kryeministri Berisha.
“Jo se nuk e di që janë disa të papunë, dhe se ata robtohen në hallet dhe dertet e tyre me dhimbje të pandërprera. Jo se nuk e di se ka biznese që falimentojnë. Jam i vetëdijshëm që ka biznese që përballen me arbitraritete administrative. Por të gjitha këto nuk mund të përmbysin se ekonomia shqiptare ka patur një rritje 4 herë më të madhe se mesatarja e rajonit. Kjo është një arritje”- tha ai.
Më tej, shtoi se, dy raportet e fundit pohojnë se në Shqipëri nuk u rrit por u ul papunësia, ndërsa janë investuar 1 milionë dollarë.
Rithemelimi i PD-së?
Kreu i qeverisë e cilësoi Partinë Demokratike një parti të fjalës së lirë, ndërsa u pyet për disa deklarate të deputetëve të PD-së, lidhur me rithemelim të PD-së.
“Nuk ekziston kurrë në këtë parti dhe nuk do të ekzistojë trysnia mbi mendimin, fjalën e lirë. Ne e kemi faktuar dhe ju këtë e dini të gjithë.”- tha Berisha.
Sa i përket palës tjetër (opozitës), Berisha tha se, asnjë përgjigje nuk jepet pa leje.
© Panorama.al











