Kryeministri Berisha, i cili po merr pjesë në punimet e Sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, dha një intervistë për “Zërin e Amerikës”.
Zoti Kryeministër, përpara se të kalojmë te zhvillimet në Shqipëri, këto ditë në Amerikë janë zhvilluar takime të shumta lidhur me kërkesën e pritshme të Presidentit palestinez për njohjen e Palestinës si shtet nga Kombet e Bashkuara. Autoriteti palestinez ka një zyrë përfaqësie në Shqipëri. A ka vendosur qeveria juaj se si do të votojë, pro apo kundër kërkesës për njohjen e shtetit palestinez?
Kjo është një nga çështjet më themelore të këtij sesioni dhe mund të theksoj se Shqipëria dhe pothuajse shumica e vendeve të botës, janë në favor të një shteti të pavarur palestinez. Por kjo, natyrisht, kërkon një proces ndër më të vështirët dhe më seriozët, një dialog intensiv dhe të suksesshëm. Pra ne mendojmë dhe besojmë se shteti i pavarur palestinez është një e drejtë e patjetërsueshme e qytetarëve palestinezë, por, siç theksoi në fjalën e tij Presidenti Barak Obama, kjo nuk mund të realizohet nëpërmjet shmangieve apo qarqeve të shkurtra. Qëndrimi ynë bazohet në këtë koncept.
Zoti Kryeministër, të kalojmë te zhvillimet në Shqipëri. Sot në Tiranë, Parlamenti po merrte në shqyrtim disa nga projektligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Partia Socialiste kërkoi tërheqjen e këtyre ligjeve që ato të rishqyrtohen, ndërkohë duke kërkuar edhe nisjen e punës për propozimin e tyre për reformën parlamentare. Si mund të dilet nga kjo situatë? A jeni ju të gatshëm të ofroni kompromis? Dhe çfarë kompromisi mund të ketë për zgjidhjen e kësaj situate, që është vazhdim i ngërçit të vjetër tashmë në Shqipëri?
Kjo situatë është e tëra e krijuar nga qëndrimet e mëparshme bllokuese të opozitës. Ne mirëpresim propozimin e opozitës për të nisur sa më shpejt nga puna për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, si dhe për të filluar punën. Ne mirëpresim kërkesën e opozitës, në qoftë se ajo nuk ka synime bllokuese, për të rishqyrtuar në komisionet parlamentare ligjet e dërguara nga qeveria. Sikundër theksojmë se qeveria është qeveri dhe dega ekzekutive është degë ekzekutive. Parlamenti është Parlament dhe ka kompetencat e tij. Pra është e drejtë kërkesa e opozitës për të kërkuar rishqyrtim së bashku të këtyre ligjeve në komisionet parlamentare, për të paraqitur amendamente për to, por ne urojmë dhe shpresojmë që kjo të mos jetë një taktikë e re bllokuese, gjë e cila do të provohet lehtë gjatë ditëve dhe javëve që vijnë.
Zoti Berisha, pas disa javësh, në fillim të tetorit, vendi juaj pret një përgjigje nga Brukseli për statusin e vendit kandidat. Çfarë pritshmërie keni ju për përgjigjen nga Bashkimi Europian?
Unë mendoj se Brukseli ka bërë punën e tij. Bllokimi ka qenë në Tiranë dhe sërish është në Tiranë. Në qoftë se është pritur deri ditën e fundit për të mos votuar ligjet me 3/5, të domosdoshme për reformat e ndryshme, kjo ka pasur vetëm një qëllim, të bllokojë këtë proces. Në qoftë se kërkohet pikërisht pas të gjitha afateve të përfillshme të nisë puna për reformën zgjedhore, punë e cila mund të kishte nisur edhe dy vjet më parë, natyrisht, kjo nuk është më një çështje e Brukselit, por është një çështje e Tiranës. Është një çështje e atyre që kanë zgjedhur bllokimin e një procesi, i cili kërkon disa ligje me 3/5. Për këtë opozita shqiptare është bërë e njohur me qëndrimin e saj bllokues për vizat, por fatmirësisht për vizat nuk kishte ndonjë kërkesë për ligje me 3/5, se ju garantoj që edhe vizat nuk do të ishin marrë. Sidoqoftë, e shkuara është e shkuar, është një kapitull i cili mund të mbyllet duke dëshmuar vullnet të hekurt për të promovuar, për të votuar ligjet që kërkojnë 3/5, që janë në interesin e çdo qytetari për të mos bllokuar procesin e integrimit, për të ndërmarrë reformën zgjedhore dhe adresuar të 52 rekomandimet e OSBE/ODIHR, të bëra për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009, për zgjedhjet lokale të viti 2011.
Zoti Berisha, ju fajësuat opozitën për mosvotimin e ligjeve që kërkojnë 3/5, por ju si qeveri, si shumicë, a ndieni përgjegjësi për këtë fazë ku ndodhet Shqipëria sot, që nuk arrin ta kapërcejë këtë prag për të marrë statusin e kandidatit?
Statusi i kandidatit Shqipërisë i është përcaktuar me kusht që të plotësohen këto kërkesa. Qeveria ka plotësuar dhe ka një plan pune në Komisionin e Integrimit që e ka dhe opozita të qartë, ka plotësuar dhe plotëson kërkesat e saj që nuk janë me 3/5. Natyrisht, meqenëse po insistoni, opozita ka përdorur pushtetin e dhënë nga qytetaret, jo për të votuar dhe këtë e di çdo shqiptar, e ka përdorur atë për të bllokuar, siç përdori përpjekje të mëdha për të bllokuar vizat që ishin interesi jetik i çdo qytetari. Uroj dhe shpresoj që të jenë nxjerrë mësimet e duhura nga politika bllokuese, pasi më 8 maj shqiptarët i dhanë një përgjigje plebishitare asaj politike.
Zoti Berisha, dy herë në komentet tuaja ju iu referuat reformës së pritshme zgjedhore. Të dyja palët, qoftë ju, qoftë socialistët, i keni përcaktuar përfaqësuesit tuaj. A mendoni se këtë herë kjo reforme do të mbyllet në kohën e përshtatshme dhe nuk do të ketë zvarritje, siç ka ndodhur në të kaluarën?
Reforma për zgjedhjet e 2009-s u krye në kohën më optimale dhe unë besoj se kjo reformë ka të gjitha mundësitë të kryhet në kohën më optimale. Tani, forcat politike kanë përpara një program pune, i cili do të bazohet i tëri në 52 rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Ne jemi të gatshëm t’i adresojmë ato, një pjesë e tyre kërkojnë ndërhyrje ligjore, pjesa tjetër kërkon ndërhyrjen e qeverisë, të ministrive dhe të KQZ-së. Që të gjitha këto jemi plotësisht dakord që të jenë objekt diskutimi në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Berisha fton Barak Obamën në Shqipëri
Kryeministri Berisha mori pjesë dje me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, në pritjen e organizuar prej tij për krerët e shteteve dhe qeverive që marrin pjesë në punimet e Sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Sipas njoftimit për shtyp të Kryeministrisë, “Kryeministri Berisha zhvilloi një bisedë me Presidentin Obama, i cili tregoi interes për Shqipërinë dhe progresin e saj. Kryeministri e ftoi Presidentin Obama për të vizituar Shqipërinë, ftesë të cilën Presidenti e pranoi me kënaqësi”. Kryeministri pati takime edhe me Presidentin e Bashkimit Europian, Herman Van Rompuy. Në të njëjtën kohë bëhet e ditur se Kryeministri takoi gjithashtu Presidentin e Polonisë, Bronisaw Komorowski, të Hungarisë, Pal Schmitt, Çekisë, Vaclav Klaus, Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, kryeministrat e Britanisë së Madhe David Cameron, Suedisë, Fredrik Reinfeldt, zëvendëskryeministrin e Luksemburgut, Jean Asselborn, me të cilët diskutoi mbi marrëdhëniet bilaterale dhe zhvillimet në rajon. Gjatë qëndrimit në Nju Jork, bashkëshortja e Kryeministrit, Liri Berisha, mori pjesë në pritjen e bashkëshortes së sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Soon-Taek. “Gjatë kësaj pritjeje, zonja Berisha pati një bisedë të përzemërt me Zonjën e Parë të SHBA, Mishel Obama, zonjën Ban Soon-Taek, zonjën Erdogan etj. Në bisedat e zhvilluara u vlerësua kontributi i zonjës Berisha në ndihmë të fëmijëve në nevojë dhe fëmijëve me autizëm në Shqipëri. Zonja Berisha shprehu domosdoshmërinë e një bashkëveprimi mbarëbotëror për të nxitur dhe stimuluar kërkimet shkencore për shkaqet e këtij çrregullimi si dhe për t’u ardhur në ndihmë familjeve që vuajnë pasojat e autizmit, gjë që gjeti mirëkuptimin e bashkëbisedueseve. Zonja Berisha i shprehu zonjës Obama mirënjohjen dhe falënderimin për ndihmën që SHBA i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Shqipërisë. Zonja Berisha ftoi zonjën Obama dhe zonjën Ban Soon-Taek për të vizuar Shqipërinë, ftesë e cila u mirëprit nga të dyja zonjat”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
“Zëri i Amerikës”
© Panorama.al











