Berisha në SHBA, lobon për heqjen e vizave për Kosovën

Sep 21, 2011 | 11:20
Berisha, dje me ish-Presidentin Klinton dhe Kryeministrin kosovar, Thaçi

Në ditën e dytë të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë në samitin e forumit “Klinton”, të drejtuar nga ish-Presidenti Bill Klinton. Në panelin e sesionit ishin të pranishëm, Presidenti i Komisionit Europian, Manuel Barroso, Presidenti i Meksikës, Felipe Calderon, Presidenti i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma, Presidenti i Sllovenisë, Danilo Turk, Kryeministri i Norvegjisë, Stoltenberg,  Kryeministrja e Bangladeshit etj. Ne sesionin hapës diskutimi u fokusua te ndryshimet klimaterike, ndikimi i tyre në rritje, mbi zhvillimin ekonomik, social, mbi vende të veçanta, ashtu si dhe në aspektin global dhe domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje, ligjërisht detyruese për reduktimin e ndotjes. Paraditen e djeshme, kreu i Ekzekutivit u takua me dy kongresistët, Eliot Engel dhe Joseph Crowley. “Gjatë takimit me kongresistin Engel u diskutua për çështjen e njohjes së mëtejshme të Republikës së Kosovës dhe koordinimin e përpjekjeve në këtë drejtim. Kryeministri Berisha çmoi si shumë të rëndësishëm liberalizimin e vizave për shtetasit kosovarë, si një moment i cili do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm si në planin e përgjithshëm ekonomik, ashtu dhe në planin e rritjes së lirive të qytetarëve të saj”, thuhet në njoftimin për shtyp të qeverisë. Duke diskutuar për situatën politike në Shqipëri, Kryeministri Berisha mirëpriti kthimin e opozitës në Parlament dhe shprehu shpresën se opozita do të përfshihej në mënyrë serioze në reformën zgjedhore dhe do të kontribuonte me konsensus dhe vullnet pozitiv në plotësimin e reformave të kërkuara për integrimin në BE. Kreu i Ekzekutivit zhvilloi një takim edhe me Presidentin e Butanit, Jigme Yoser Thinley një vend aziatik mes Kinës dhe Indisë me rreth 700 mijë banorë. “Në takim u rikonfirmua vullneti i dy palëve për t’i zhvilluar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, në dobi të së mirës së dy popujve dhe vendeve. Të dy kryeministrat ishin të të njëjtit mendim, se është e nevojshme vendosja e një kuadri ligjor për zhvillimin e këtyre marrëdhënieve”, thuhet në njoftimin për media. Berisha zhvilloi gjithashtu një takim me Presidentin e Sllovenisë, Danilo Turk. “Gjatë takimit u diskutuan çështje të bashkëpunimit dypalësh, si dhe u konfirmua vullneti i palëkundur i Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare për të ecur përpara me shpejtësi me projektin madhor kombëtar të anëtarësimit në Bashkimin Europian, por edhe mbështetja e palëkundur e vendit dhe popullit mik slloven ndaj Shqipërisë për hapat e mëtejshme drejt këtij anëtarësimi”.

© Panorama.al

Te lidhura