Berisha: Në Maqedoni, me kartë identiteti

Nov 10, 2011 | 8:50

Berisha dhe Gruevski

Kryeministri, vizitë zyrtare në Shkup. Takohet me Gruevskin e Ivanovin. Pritet nga mijëra shqiptarë: “Marrëveshja e Ohrit e ka bërë këtë vend më të lirë e më të drejtë”.
Këtë e bëri të ditur dje Kryeministri Sali Berisha në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij maqedonas, Nikolla Gruevski, gjatë vizitës zyrtare në vendin fqinj. “Së shpejti do të fillojë kalimi i kufirit vetëm me letërnjoftim. Do shqyrtojmë infrastrukturën doganore për ta bërë atë më të lehtën. Ne do të bëjmë gjithçka që potencialet turistike të vendeve tona të vihen në dispozicion të turistëve të vendeve tona dhe turistëve nga mbarë bota. Ohri është pa diskutim kurorë e bukurive natyrore të liqeve të Europës e më gjerë. Potenciali i tij i jashtëzakonshëm turistik duhet të zhvillohet. Do të bëjmë gjithçka që bashkërisht ta mbajmë e zhvillojmë këtë potencial”, u shpreh Berisha në deklaratën para mediave. Sipas tij, brenda dy viteve të ardhshme distanca mes Shkupit dhe Tiranës do të shkurtohet ndjeshëm. Nga ana e tij, Kreu i qeverisë maqedonase vuri theksin te marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe integrimi në BE. “Kryeministri maqedonas Gruevski vlerësoi mbështetjen që qeveria shqiptare i jep Maqedonisë në procesin e integrimit të saj në NATO, duke shprehur dëshirën që Shqipëria të realizojë me sukses projektin e integrimit të plotë të vendit në BE”, thuhet në njoftimin për shtyp të qeverisë shqiptare. Në vizitën e djeshme në Maqedoni,
Takimet me shqiptarët
Berisha u takua me Ali Ahmetin e BDI-së dhe Menduh Thaçin e PDSH-së. “Unë i konsideroj shumë të rëndësishme arritjet në fushën e përdorimit të gjuhës, të flamurit, si dhe zgjidhjet e merituara për disa procese që kanë qenë në thelb më së shumti politike, pasi duhet ta pranojmë se marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje jashtëzakonisht e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë mike, por procesi është një proces që e ka bërë këtë vend më të lirë, më të drejtë dhe ka hedhur bazat për një bashkëjetesë në liri, midis etnive që jetojnë në Republikën e Maqedonisë”, u shpreh Berisha në takimin me Ahmetin. Sipas Kryeministrit, vitin e ardhshëm, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë do të ketë një bashkëpunim të gjerë për ceremonitë që do të zhvillohen. “Sot, gjuha shqipe flitet dhe shkruhet në Parlamentin e Maqedonisë, ministrat shqiptarë flasin në gjuhën e vet. Akoma kemi shumë punë përpara për të bërë, energji dhe kapacitete kemi, por që të gjitha duhet t’i vëmë në shërbim dhe çështjet do t’i çojmë përpara”, u shpreh Ahmeti në fjalën e tij. Kryeministri u takua edhe me Menduh Thaçin. Berisha u prit gjithashtu në Tetovë nga mijëra banorë që kishin dalë me rastin e vizitës së kryeministrit në Maqedoni.

Berisha merr çmim për lidershipin në Tetovë
Kryeministri Sali Berisha ka vizituar në fund të vizitës në Maqedoni Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë. Në një ceremoni të zhvilluar, Kryeministrit Berisha iu dha Çmimi tradicional për Lidership, nga Instituti për Demokraci dhe Zhvillim. Në emër të këtij Instituti, drejtori Veton Latifi i dorëzoi Kryeministrit Berisha çmimin me motivacionin “Për lidership të suksesshëm në promovimin, zhvillimin dhe mbrojtjen e demokracisë në Shqipëri, për udhëheqjen e reformave demokratike dhe sukseset në integrimin euroatlantik të vendit, si dhe rolin e Tij në rajonin e Ballkanit”. Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se “Unë ndihem jashtëzakonisht i vlerësuar që sot më nderoni me këtë titull. Dua të rrëfej një sekret timin: shumë shpesh në jetën time e ndiej veten jo lider, por të udhëhequr nga të tjerët, të udhëhequr nga studentët. Dhe ky është rregulli. Askush nuk mund të udhëheqë, në qoftë se nuk pranon të udhëhiqet”.

Ivanov: Ballkani, i shkëputur nga e kaluara
Gjatë qëndrimit në Shkup, Berisha u takua edhe me Presidentin Gjorgje Ivanov. Kreu i shtetit maqedonas e cilësoi ndërtimin e infrastrukturës që lidh rajonin, në mënyrë të veçantë Korridorin 8 dhe Korridorin adriatiko-jonian, si dhe lidhjet hekurudhore mes vendeve te rajonit, si akse të zhvillimit të ri gjeopolitik, ekonomik e social në Ballkan dhe që i japin Ballkanit frymëmarrjen e nevojshme, në përputhje me zhvillimet dhe duke e shkëputur nga trashëgimia e së shkuarës. Berisha u takua gjithashtu edhe me Kryeparlamentarin Veljanovski. Në takim u vlerësua fakti që investitorët shqiptarë po shprehin interes, jo vetëm për investime në Shqipëri, por për t’i zgjeruar ato edhe në Maqedoni.

Berisha: “Nuk ka ndarje të Kosovës”
Kryeministri Sali Berisha ka përjashtuar dje çdo mundësi të ndarjes së Kosovës. “Këto propozime e sugjerime janë që të gjitha të nxjerra apo nxirren nga arkiva e Sllobodan Millosheviçit. Duhet t’ju kujtoj këtu se në fillim të viteve ’90, mesazherë nga më të ndryshmit qarkullonin me harta në xhep për ndarje të Kosovës dhe jo vetëm të Kosovës. Por të gjitha ato u provuan si absurditete. Respektimi i kufijve aktualë të Kosovës është interesi jetik më i mirë, absolutisht, i të gjitha vendeve të këtij rajoni, që nuk duan të përdorin gjyzlykët e kasapit të Ballkanit për rajonin e të ardhmen e tij”, u shpreh Berisha në konferencën e përbashkët për shtyp me Gruevskin.
ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura