TETOVE- Qindra qytetarë të Tetovës, me duartrokitje dhe brohorima të grumbulluar para hyrjes së Komunës së qyteti kanë pritur në mbrëmje kryeministrin shqiptar, Sali Berisha.
Siç njofton, e përditshmja në shqip KOHA, përveç qytetarëve, Berisha është përshëndetur edhe me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi dhe grupin parlamentar para objektit të Komunës, ndërkohë që është pritur edhe nga ana e kryetarit të Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti.
Berisha ka premtuar intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, ndërsa ka premtuar edhe rregullimin e infrastrukturës që Tetova të lidhet me Tiranën, Prishtinën, Shkupin.
“Dëshiroj ta shprehi respektin tim ndaj qytetarëve të cilët me punën e tyre, përkushtimin, guximin dhe angazhimin për liri e bënë Tetovën qytet të lirë me vlera të larta kombëtare, në të cilin ekziston bashkëjetesa dhe bashkëpunimi midis banorëve. Tetova është edhe qyteti i tretë i shqiptarëve me dy universitete që është një prej arritjeve tona më të mëdha”, theksoi Berisha pas takimit me kryetarin e komunës Bexheti.
Kryeministri shqiptar u takua edhe me udhëheqësitë e Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe të Universitetit të Evropës Juglindore. Në Universitetin e EJL-së para studentëve mbajti ligjërim kushtuar çështjeve rreth Ballkanit dhe integrimeve euroatlantike.
Berisha mori edhe çmimin vjetor për Lidership për vitin 2009 që iu nda nga ana e Institutit për Demokraci dhe Zhvillim.
© Panorama.al











