
Kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar punimet e seminarit “Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi” për të ftuar investitorët e huaj të marrin pjesë në privatizimin e Albpetrolit. Kreu i qeverisë u pyet në këtë seminar për zhvillimin e vendit, si dhe për krizën ekonomike. “Gjithsecili duhet të bëjë më të mirën. Prandaj unë besoj që duhet forcuar fibra kombëtare e reformave të çdo vendi dhe duhet proceduar me reforma të thelluara. Kjo është rruga e vetme e përballimit të krizës dhe e zhvillimit. Duke përfunduar, edhe diçka tjetër, në Shqipëri janë duke u ndërtuar 63 hidrocentrale. Në vendin tonë ka kompani ndërkombëtare si “Statkraft” që po investon në energji. Janë duke punuar dhjetëra kompani nga Izraeli deri në Norvegji. Ju ftoj të shihni dhe të ndiqni shumë seriozisht privatizimin e afërt të Albpterolit që ka nisur”, u shpreh kreu i qeverisë. Sipas Berishës, synimi i qeverisë është që Shqipëria të bëhet një vend i gjelbër. “Po punojmë në pyllëzimin e vendit nëpërmjet drurëve frutorë. Vendi im ka shumë pak tokë bujqësore, për momentin ka 1800 m për frymë, më e ulëta në Europë. Por potenciali është shumë i madh nëse zbatojmë pyllëzimin nëpërmjet drurëve frutorë, sepse vendi im është një vend ideal për arrorët. Prandaj ne kemi vendosur të mbjellim 250 milionë drurë arrorë të të gjitha llojeve të arrorëve. Po mbjellim 50 milionë ullinj”.











