Berisha: Sot nderojmë Pavarësinë dhe Çlirimin

Nov 28, 2011 | 10:34

TIRANË- “Nderim themeluesve të Pavarësisë së Shqipërisë dhe përulje për gjithë ata që dhanë jetën për Çlirimin e vendit”. Kështu është shprehur sot kreu i qeverisë, Sali Berisha, pas homazheve të zhvilluara në varrezat e Dëshmorëve, ku ka kujtuar dy ditë të rëndësishme, ndër më të ndriturat në historinë e kombit.

“Sot është 99 vjetori i lindjes së kombit të lashtë shqiptar, dita e Pavarësisë së Shqipërisë, dita e flamurit kombëtar, ditë e nderimit më të madh, respektit më të thellë, mirënjohjes së pakufishme, ndaj atyre grave dhe burrave shqiptarë, që me jetën e tyre, gjakun e tyre, me rininë e tyre vaditën rrënjët e lirisë së ne gëzojmë sot”- tha Berisha, gjatë mesazhit të dhënë për mediat.

Sipas tij, Pavarësia e Shqipërisë është akti më madhor në historinë tonë kombëtare, akt që bëri të mundur që shqiptarët sot kudo që ndodhen të jenë të lirë.

“Por sot nderojmë një datë tjetër të rëndësishme, çlirimin e Shqipërisë, ditë e cila do shndrisë gjithnjë në historinë tonë kombëtare. Lufta Nacional Çlirimtare është faqe e ndritur e historisë së kombit, ata burra që janë sot këtu bashkë me ne mbushën fushat e malet e vendit, rrokën armët dhe u përballën me armikun më të egër që kodrat kishin njohur, cliruan vendin, renditën vendin në anën e drejtë të historisë së njerëzimit. Nder të madh të gjithë atyre që luftuan dhe ranë për lirinë kombëtare, për pavarësinë e Shqipërisë, nder familjarëve të tyre që trashëgojnë sakrificën sublime të njerëzve”- tha Berisha.

Berisha ka kujtuar sakrificat sublime të bëra nga populli i Kosovës për pavarësi. “Sot nderojmë bashkë dhe ata burra, e gra, që në fund të shekullit që shkoi rrokën armët , luftuan për liri dhe bënë Kosovën të pavarur. Kombi përulet me nderim para Adem Jasharit dhe atyre që ranë, që vendosën zemrën në themelet e Kosovës së pavarur. Dita e pavarësisë është ditë frymëzimi për gjithë shqiptarët, ditë në të cilën ne projektojmë të ardhmen, zotohemi për të ardhmen”- tha ai, duke shtuar se viti që vjen do të jetë më festivi ndonjëherë në nderi të 100 vjetorit të Pavarësisë.

© Panorama.al

Te lidhura