Berisha: Modeli ynë, sukses. Rritje ekonomike

Jan 16, 2012 | 13:34
Kryeministri Berisha

TTIRANË- Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka vlerësuar sërish modelin ekonomik të Shqipërisë, që e renditi atë në të vetmin vend me rritje ekonomike në Evropë në kohën e krizës. “Modeli ynë funksionon dhe ai i ka dhënë këtij vendi rritjen më të madhe ekonomike në Evropë. Ata që vjellin vrer kundër tij t’u referohen shifrave të institucioneve ndërkombëtarëve”- tha Berisha, duke folur para deputetëve në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së.

Sipas Berishës, modeli shqiptar funksionon, e për ata që nuk kanë kuptuar këtë, ose nuk kanë të qartë se c’është modeli, ose janë të verbuar nga qëndrime të tjera.

“Në një vit elektoral të ardhurat tatimore dhe doganore, që janë segmenti më i rëndësishëm i zbatimit të ligjit, aty ku ai përballet me presionin e parasë, u realizuan 101 % nga doganat dhe 98% nga tatimet. Ne kemi sjellë një buxhet realist në Kuvend. Modeli ynë funksionon dhe ai i ka dhënë këtij vendi rritjen më të madhe ekonomike në Evropë”- tha Berisha.

Berisha theksoi se drejtimet themelore në këtë vit të rëndësishëm qeverisës do të jenë rritja e rrogave dhe pensioneve. Qeveria, sipas tij, do t’i qëndroje kësaj politike si një domosdoshmëri për të përmirësuar jetën e njerëzve, zvogëluar varfërinë, por edhe si investimi më kryesor në kapitalin njerëzor.

Duke iu referuar buxhetit te paraqitur, cilesuar prej tij tejet realist, Berisha ka deklaruar se me këtë buxhet afrohemi te dera e zgjidhjes përfundimtare të infrastrukturës rrugore të vendit.

© Panorama.al

Te lidhura