Berisha me liderët e Ballkanit: Shqipëria, një Norvegji e vogël

Sep 24, 2011 | 12:44
Berisha e Obama me bashkëshortet në New York

Në ditën e parafundit të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe kryeministrat e Turqisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Në fjalën e tij, kreu i Ekzekutivit u shpreh se Shqipëria ka bërë gjithçka për një klimë miqësore ndaj biznesit, përfshi këtu edhe biznesin e huaj. Për këtë ai mori si shembull investimet turke në vendin tonë, të cilat, në periudhën 2005-2010, u rritën katër herë. “Për momentin Shqipëria është vendi me barrën më të ulët fiskale në Europë. Taksë e sheshtë 10 për qind, hoqëm me dhjetëra e dhjetëra lloje taksash, po punojmë shumë për të hequr pengesat burokratike. Në fakt, ne ndryshuam krejtësisht klimën e biznesit. Në krizën më të keqe europiane dhe një nga më të këqijat në botë, investimet e huaja direkte në vendin tim, për periudhën 2006-2010, u rritën rreth 316 për qind. Eksportet shqiptare u rritën 300 për qind”, u shpreh Kryeministri. Sipas tij, “Shqipëria është një Norvegji e vogël në rajon. Është një vend plot me ujëra. Një vend që do të ndërtojë më shumë se 450 hidrocentrale. Shqipëria mund të bëhet një eksportuese shumë e rëndësishme e energjisë së blertë në rajon dhe po bëhet një e tillë. Vendi ka një potencial shumë të madh turistik për t’u zhvilluar. Më lejoni t’ju përmbledh shkurtimisht. Në vitin 2004, vendi im priti gjithsej 350 mijë turistë dhe vizitorë. Në vitin 2010, ky numër shkoi në 3.5 milionë. I kthehem edhe një herë fjalës së mikut tim, se këto janë vetëm hapat e parë, sepse 90 për qind e bregdetit tonë po pret për investitorë për t’u zhvilluar”.
Gjatë ditës së djeshme, Kryeministri zhvilloi një takim edhe me ministrin e Jashtëm të Francës, Alain Juppe. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Kryeministrisë, kreu i Diplomacisë franceze shprehu interes për zhvillimet në Shqipëri. “Kryeministri e siguroi z. Juppe se integrimi europian është projekti më madhor i qeverisë dhe popullit shqiptar dhe se qeveria e drejtuar prej tij do të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme për këtë qëllim”. Gjithashtu, Kryeministri mori pjesë në pritjen e shtruar nga homologu i tij japonez, Yoshihiko Noda, në Nju Jork, për krerët e delegacioneve pjesëmarrëse në Sesionin e 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. “Kryeministri Berisha e uroi Kryeministrin e Japonisë për marrjen e detyrës. Gjatë bisedës me Kryeministrin Noda, Berisha bisedoi për marrëdhëniet dypalëshe dhe forcimin e mëtejshëm të tyre. Berisha e falënderoi Kryeministrin Noda për ndihmën 20-vjeçare që Japonia i ka dhënë Shqipërisë. Kryeministri Noda e siguroi Kryeministrin Berisha se ndihma e Japonisë për Shqipërinë do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, bëhet e ditur në njoftimin e qeverisë.

Haxhinasto flet me Klintonin për gazsjellësin
Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, u takua dje me sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton, ku u diskutua mbi angazhimin dhe kontributin e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s në Libi dhe vendet e Afrikës Veriore, si dhe për projektin e gazsjellësit “Trans Adriatic Pipeline” (TAP). “Nga ana e saj, znj. Klinton vlerësoi kontributin e Shqipërisë në kuadër të NATO-s, si dhe angazhimin e vendit tonë në Libi dhe Tunizi, gjatë proceseve tranzitore në të cilat këto vende dhe vende të tjera të rajonit janë përfshire”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme. Lidhur me projekt projektin e gazsjellësit u diskutua mbi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, projekt për të cilin të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se ka një rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe nga i cili do të përfitojë i gjithë rajoni. “Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Haxhinasto, e siguroi sekretaren Klinton për rritjen e vazhdueshme të kontributeve të Shqipërisë në kuadër të NATO-s dhe gatishmërinë e saj për të asistuar dhe për t’i ofruar eksperiencën e vet vendeve në tranzicion nga regjime totalitare drejt shoqërive të hapura dhe demokratike”.

© Panorama.al

Te lidhura