Kryeministri Sali Berisha u rikthehet ngjarjeve të 21 janarit, një ditë pas përvjetorit të saj të parë. Në një intervistë për emisionin “Debat” të gazetarit Alfred Peza në “Vizion Plus”, tha se pas asaj ngjarjeje, prokurorja Ina Rama meritonte më shumë se shkarkimin.
Ai foli gjithashtu edhe për marrëdhëniet brenda koalicionit të djathtë dhe partinë e Bamir Topit.
Kalojmë te përditshmëria politike. Nesër është 21 janari, ku përveç Kongresit të Lushnjës, ku me sa dimë qeveria do të ndodhet atje për kujtimin e kësaj ngjarjeje të madhe historike, opozita ka ftuar qytetarët të bëjnë një homazh në përkujtim të 21 janarit të një viti më parë. Ju keni deklaruar se vazhdoni t’u qëndroni mendimeve që keni dhënë më 23 janar të një viti më parë. Është një deklaratë, që në fakt më shumë është komentuar si një kërcënim për z.Edi Rama, sepse keni thënë të gjithë janë të amnistuar përveç atij…
Absolutisht asnjë kërcënim, por thjesht një qëndrim real, nga i cili nuk do të lëviz ndonjëherë. Që do të thotë? Që do të thotë, unë u rrethova një herë me zjarr, me gurë, me hunj në zyrën time, unë që isha Kryeministri i zgjedhur në mënyrë legjitime. Që do të thotë, në mënyrën më tragjike ky rrethim u shoqërua me 4 viktima, një humbje e dhimbshme me plagosjen e qindra e qindra të tjerëve: policë, gardistë, qytetarë dhe të gjitha këto për të marrë me dhunë këtë institucion.
Mendoni se kishte një skenar për ta marrë me dhunë pushtetin?
Unë nuk e di se kush nuk e mendon këtë. Nuk di se kush nuk e mendon këtë. Të gjithë ata që panë me qindra e mijëra gurë, që panë të sulmohej dera kryesore e Kryeministrisë dhe të hapej me makinë, që panë të fluturonin shishet molotov por edhe plumba, e kanë të qartë se ajo ishte një axhendë dhe në gjithë këto pesë orë, kryetari i opozitës u instalua në godinën përkarshi me një megafon me besimin e verbër se do të vinte dhe do të mbante fjalim nga ballkoni i zyrës sime.
E keni të saktë këtë?
Absolute, shumë të saktë dhe shumë të sakta edhe gjëra të tjera; Edhe për tjetrën që kishin futur armë ne bodrumin e asaj ndërtese ku rrinte kryetari, te “Dy kullat”. Dhe se në fund çuan mesazh se do të sulmojnë me kallashnikov, dhe morën përgjigje se vend mbi tokë nuk do të gjeni, nëse dilni qoftë edhe me një të vetëm. Pra, këto ishin zhvillimet e asaj nate dhe dihet, këtë nuk e bëri me kokë të vet, këtë e bëri me mbështetjen e fuqishme të atyre, të cilët donin mandatin e dytë dhe e dinin se nga unë nuk do të propozoheshin.
Presidenti i Republikës, z. Topi…
Absolutisht, me mbështetjen totale të Prokurores, të presidentit etj. dihen tashmë. Këto veprime u bënë në një koordinim makabër. Natyrisht kishte disa opsione, mund t’jua ktheja reston në mënyrën më të vendosur.
Që do të thotë…
Që do të thotë se mund të merrnin atë që meritonin, por interesa të tjerë prevaluan, interesi që e keqja duhet zvogëluar. Së dyti më takonte mua që të bëja gjithçka për të ruajtur rendin kushtetues, për të mos cenuar unë Kushtetutën. Unë e dija se çështja do të hetohej nga një prej pjesëmarrësve të këtij puçi e këtij veprimi. Dija gjithçka, por midis hetimit nga zonja që i pritet mandati dhe hetimit nga një prokuror tjetër i emëruar nga unë, apo nga kjo mazhorancë; Natyrisht, pastaj në cenim të shumë rregullave; Kjo e para ishte më e përshtatshme për vendin, sesa e dyta.
Pra, keni pasur plan që edhe ta shkarkonit Kryeprokuroren?
Jo, ajo nuk meritonte shkarkim, ata meritonin shumë më tepër se shkarkim, sepse ata të cilët u angazhuan në një veprimtari antikushtetuese, për të rrëzuar me forcë një qeveri legjitime, për ata ligjet janë të qarta.
Pra meritonin arrestimin?
Ata meritonin ligjin dhe nuk e morën ligjin. Unë ato fjalë që u kam thënë atyre, as nuk i heq, as nuk i kam hequr dhe as nuk do t’i heq. Quaje grusht apo quaje tentativë për përmbysje pushteti me dhunë, se dëgjoja një ditë, një rudiment politik, që thoshte se grushti bëhet kur rrëzohet Presidenti; Presidenti është simbolik, në republikë parlamentare është qeveria.
Pra, kur rrëzohet qeveria…
Po, pa diskutim. Kushdo që e lexon, nuk mund të thotë… Presidenti tha që unë nuk i kam qëlluar me grusht vetvetes. Tani është mirë ta lëmë këta 6 muaj, se kam vendosur që këta 6 muaj të rrijë, të formojë atë parti, se e ka kthyer Presidencën në parti, unë nuk do të merrem me të. Por historia është kjo për ta mbyllur, kjo çështje edhe një çështje e rëndë, pa diskutim. Kam pranuar një skemë, kam pranuar skemën e hetimit të organizatorëve, kam pranuar skemën e hetimit të vrasjeve plotësisht, sepse çdo vrasje meriton hetim të plotë, qartësimin e çdo rrethane; Kam pranuar skemën e hetimit të sponsorizuesve të tyre. Deri sot, qoftë edhe një organizator i vetëm nuk ekziston.
Kjo skemë kur është negociuar, kur është rënë dakord për të?
Pse, se ajo nuk negocion, se ajo që heton është një organizatore, është pjesë e këtij puçi.
Është akuzë e rëndë për Kryeprokuroren kjo?
Absolute, është absolute pjesë, janë të verifikuara këto. Ata të cilët organizuan këtë, kishin dy skenarë: njëri ishte që natyrisht do pushtonin zyrën dhe do ishin të qetë, në variantin tjetër ishte se do më bënin rreshtore, ata e dinë. Rreshtore Kryeministrit të zgjedhur me votën e lirë të shqiptarëve. Por ky është një kapitull që nuk mbyllet kurrë pa hetim dhe për këtë unë më mirë të jem i hapur me çdo shqiptar, ky kapitull mbyllet pasi të zbardhen të gjitha përgjegjësitë: të organizmit, të sponsorizimit, të vrasjeve, të dëmeve. Deri tani në hetim, as edhe një organizator i vetëm. Përkundrazi, deri tani organizatorët kryesorë komandojnë Prokurorinë e shtetit, komandojnë Prokurorinë e shtetit, ta them unë.
Pra, keni parasysh me këtë rihetimin pas ardhjes së Prokurorit të ri të Përgjithshëm?
Ky është një problem, e rëndësishme është të marrë zgjidhje ligjore. Por të jesh i bindur që ato dy ditë me Bamir Topin dhe Ina Ramën janë zhvilluar, jo nga unë, dhjetëra kontakte, dhe e kanë shitur e blerë njëri-tjetrin ata gjatë atyre dy ditëve nja 15 herë. Por problemi i tyre ishte se ishin bashkërisht në tavë.
Paskan qenë të përgjuar?
Jo, i bindur të jesh, jo. Nuk ke për të gjetur kurrë, mbaje mend këtë, njeri që të thotë se më përgjoi Sali Berisha.
Kush ka dhënë urdhër, keni dhënë ju urdhër apo ndonjë vartësi juaj?
Në mënyrë kategorike dhe absolute, as edhe një urdhër. Urdhri ishte ky, që ta dish ti, ai që do të hynte brenda, ai nuk do të mund të dilte më, i vetmi urdhër. Rrethimi është atribut i Gardës, ndërtesa do të mbrohej nga të gjithë punonjësit, ishim të gjithë në punë dhe këtu nuk mund të hynte njeri dhe ne ishim shumë të qetë. Cili është ligji i Gardës? Ligji i Gardës është ky, po e gjuajte ushtarin me gur, me dru, me çdo gjë tjetër, nuk të gjuan me gur, nuk të gjuan me dru; Nuk ka ushtar në botë që, po ta gjuash, nuk të drejton armën. Nuk ka ligje në botën demokratike që kur një ushtar i Gardës gjuhet me tulla, gjuhet me gur, nuk i thotë: 1 qëllo në ajër; 2 në qoftë se vazhdon, qëlloje te këmbët; 3 qëlloje direkt. Këto janë të përcaktuara në ligjet e Gardës të të gjitha vendeve demokratike. Në këtë kontekst, nëse ndokush ata pesë apo dhjetë ushtarët rreth e rrotull i konsideronte derra apo viça lope që mund të lëshonin breshëri tullash dhe gurësh dhe ata do të bënin sehir, gabon. Nuk di, jo Gardë, por nuk di ushtar në vendroje, i cili të mund të qëllohet me gurë dhe të mos reagojë.
Po thoni se katër viktimat kanë ardhur nga Garda për shkak të detyrës?
Jo, unë them këtë, Garda ka qëlluar në zbatim të ligjit, se si kanë ardhur viktimat, ky do jetë një proces hetimi. Këto do të jenë të tëra në hetim, nuk më takon mua; Por unë them se ushtar në këtë vend që të qëllohet me objekte të forta, që të sulmohet dhe agresohet, nuk ka që të mos reagojë në përputhje me ligjin.
Keni deklaruar atë ditë se nga protestuesit ka pasur pistoleta armë, çadra-armë. Të gjitha janë informacione. Ka diçka që duhet të ridimensiononi pas një viti nga informacionet që keni thënë?
Tani për tani, hetimin në dorë e kanë ata të cilët ishin pjesë e këtij skenari, por unë kam përzgjedhur vetë këtë si diçka më të afërt me Kushtetutën. Natyrisht, në mënyrën më të padiskutueshme, kurrë ndonjëherë nuk do të pranoj që kjo çështje të mos zbardhet tërësisht.
Pra, ju i qëndroni deklaratës që keni thënë, se ka pasur njerëz me çadra-pistoletë?
Unë i qëndroj informacionit që kam pasur. Unë kam pasur atë informacion dhe informacione të tjera, por këtu 1 vit rresht as edhe një organizator i vetëm nuk është pyetur.
Me sa di unë, është pyetur zoti Sajmir Tahiri.
Në Parlament nuk ka as edhe një kërkesë për heqje imuniteti, për marrje në ndjekje asnjë zyrtar, çka do të thotë se nuk ka. Se pse janë thirrur aty, nuk di gjë.
Ka pasur një problem në atë kohë pas firmosjes së urdhër – arresteve për zinxhirin drejtues të Gardës dhe nuk u lejua ekzekutimi i këtyre urdhër-arresteve nga ana e Policisë.
Jo, nuk u lejuan nga Kryeministri.
Ju nuk i kini lejuar?
Jo, nuk u lejuan nga Kryeministri, po sigurisht. Po të urdhëroja Policinë unë, ajo do të ndodhte; Por, a mund t’ua jepnim bandave ne Kryeministrinë?! Dhe jo vetëm ka pasur një ndërhyrje të gjithanshme dhe besoj se ajo u faktua se ishte tërësisht pjesë e skenarit.
Cili ishte skenari?
Skenari ishte, që personi i cili ishte ne zyrën e tij dhe kishte vetëm një detyrë, evakuimin e Kryeministrisë, që unë nuk evakuohesha kurrë, por ata bëjnë planet e tyre; Ai duhej arrestuar që nuk kishte qenë kurrë këtu dhe ish-komandanti i Gardës. Këto janë çështje hetimi, por ka elemente të shumta. E para kjo, e dyta nuk kemi qenë absolutisht kundër marrjes në ndjekje, jo. Por ndjekje të lirë, se nëse ti e merr nga komandanti i Gardës deri tek i fundit, çfarë u thua; Ti u thua kriminelëve sulmoni e merreni se nuk ka kush e mbron më. Kjo ishte një aventurë, sepse kjo do të mbrohej me çdo çmim, këtë s’e merrte dot kurrë. Pra, nuk ka këtu asnjë lloj përpjekjeje për të penguar, por ka një përpjekje nga ata të cilët u dështoi, nuk dëgjuan dot fjalimin nga ballkoni i Kryeministrisë dhe menduan se të nesërmen mund ta realizonin meqë pati viktima.
Thuhet se pamjet që janë filmuar nga kamerat e Kryeministrisë, janë fshirë nga serveri qendror?
Absolutisht nuk kam asnjë dijeni se janë fshirë, qoftë edhe një gjë. Ajo që unë kam bërë që në orën 7 të darkës, kam urdhëruar që gjithçka, ne nuk kemi një sistem kaq të përsosur por diçka kemi, për rrethimin, unë them se duhet të jetë i Gardës. Grupi im nuk ka sistem. Grupi im ka detyrat e veta. Unë kam një grup si çdo Kryeministër dhe ai ka detyrat e veta. Kështu që gjithçka ka ndodhur para kamerave. Nuk kam dijeni që të jetë fshirë qoftë edhe një segment. Kam dijeni që nuk ka qenë i gjithë territori i survejuar dhe prapë mund të mos jetë i tërë territori, varet nga mjedisi, kjo është çështje ekspertësh dhe jo çështje të miat.
Këto ditë në media është shfaqur një intervistë e të afërmit të njërit prej viktimave të 21 janarit, sikur ju pretendohet që keni dërguar persona pranë tyre për t’i takuar, për t’u dërguar para, për të shkuar në varrim; A ka ndonjë të vërtetë këtu?
Në mënyrë absolute as kam dërguar dhe as nuk dërgoj, as nuk e njoh. Kam shprehur ngushëllimet e mia dhe pa diskutim keqardhjen më të sinqertë. Dhe, nga ana tjetër, kurrë ndonjëherë një institucion kushtetues nuk do të mund të pushtohet, do të mbrohet, do të mbrohet vetëm do të mbrohet.
Partia e Topit mund të dalë e para në zgjedhje në 2013-n…
Ajo nuk ekziston, ndaj i them partiçkë, pasi tani është në embrion, po se ç’del ajo, është punë tjetër. Unë po them për statusin aktual. A mund të shndërrohet Presidenca në një godinë ku bëhen çdo dy ditë mbledhje për partinë?! S’keni informacion për këtë… Të plotë. Ata që shkojnë, ngelen të mahnitur. A më kupton?
Ju keni thënë se janë caktuar nënkryetarët. Janë caktuar. Cilët janë?
Nuk e di ti?!
Jo.
Telefonoju dhe do t’i them pastaj. Janë caktuar dy nënkryetarë.
Dy nënkryetarë partie?
Po, dy janë. Të dy janë aty.
A janë në Presidencë?
Një në Presidencë dhe një në KLD, dhe kaq, e morën ata, e krijuan ata.
Po kryetari kush është?
Kryetarin thanë do e bëjnë me rotacion, sa të vijë Bamiri. Është kështu, apo jo?
50 e disa vjeç nuk do ta mbyllë karrierën politike zoti Topi… Në asnjë mënyrë. Si do ta mbyllë?
Ju ia mbyllët dyert.
Kush tha? Ia mbylli vetes ai. Nuk përjashtoj unë.
Mund të mbledhë Topi firmat për referendum për President nga populli?
Po, por e di që ia kam ndërruar zonën 2-3 herë. Këtë e di ai.
Po duhet ta pranojmë që Tirana e mbështet zotin Topi dhe është një nga politikanët më popullorë.
Po pse kërkoi të ndërrojë zonën elektorale? Brenda Tiranës dhe zona thellësisht tiranase.
Takimet e zotit Topi dhe zotit Rama?
Më fal një minutë. Po pse abstenuan socialistët për Sali Shehun? A mund të më thuash pak? Ish-deputeti i PD-së, anëtar i Këshillit Kombëtar, me të gjitha ato funksione. Pse abstenuan ata dhe votuan kundër për këtë tjetrin?
Pse?
Sepse kishin premtuar pro, pasi i kishte premtuar Edi Rama sille, do ta votojmë. Kush e ktheu? E ktheu Ben Blushi, unë s’kam dëshirë të hyj në punët e tyre, por kjo është e njohur. U tha që nuk do ta votojmë dhe u doli Grupi Parlamentar. Kompromisi ishte pastaj që të abstenojnë.
Po ju pse nuk e votuat?
Pra, ky test ishte fatal. Fatal.
Pasi nxori zbuluar bashkëpunimin?
Jo vetëm kaq, por më keq, pasi rrënoi projektin e ardhshëm.
Që do të thotë?
Pse zoti Topi nuk deklaroi se nuk do të kandidojë më, por e bëri këtë vetëm pasi deklarova se nuk do të kandidohet. Normalisht mund ta thotë këtë dy vjet para. Debati është konstant. Kishte projektin Shehu. Që do të thotë se po të kalonte ky, do të kalonte Presidentin edhe më vonë.
Ky ishte testi?
Absolut, mori një votë. Në historinë e Parlamentit është votuar dy herë me një votë. Ka marrë Ramiz Alia dhe Bamir Topi. Kjo është e vërteta.
Pra, ju po thoni se nuk e votuat zotin Shehu se ky do të ishte një test tjetër?
Jo. Kishte një gjë tjetër.
Një gjë të brendshme tuajën…
Jo, kishte një problem.
Për shkak se ishte mik i zotit Topi?
Ky në një moment të caktuar i kishte bërë, meqenëse e kam thënë edhe në grup, i bën një mesazh para dy vitesh Edi Ramës, ku i thotë me kë je ti, në një kohë kur ishte në një grup me mua, me ne apo me armikun tonë, Sali Berishën. Unë ia thashë në sy të grupit Sali Shehut. Unë s’dua të merrem me histori.
Nuk jeni kundër zonjës Topalli për Presidente?
Absolutisht, as kundër zonjës Topalli dhe asnjë prej drejtuesve të PD-së. Por, PD në historinë e saj të pushtetit, nga 2005 deri më sot, nuk ka humbur asnjë betejë për mungesë të luajalitetit politik të saj.
Keni sinjal për t’u kthyer shpejt Meta në qeveri?
Nuk më ka shprehur asnjë lloj mendimi. Pranoj, pa asnjë diskutim.
Ka zëra se keni arritur një marrëveshje me PDIU-në e Shpëtim Idrizit për përfshirjen e tyre në qeveri, është e vërtetë?
Po, pa diskutim.
Si është kjo marrëveshje?
Kjo marrëveshje do të ketë një seri funksionesh, do të ketë zëvendësministra, do të ketë funksione të tjera.
Ka pasur zëra që do të ketë një aleancë edhe me Dash Shehin, për shkak të raportit që krijoi edhe me zotin Basha në zgjedhjet e Tiranës…
Dashamir Shehu është një nga ish-drejtuesit e rëndësishëm të PD-së, ka qenë zëvendëskryeministër, ka qenë ministër. E vërteta është se Dashamir Shehu në 20 vjet pozicionin nuk e ka ndryshuar. Në tërësinë e tij, edhe kur janë bërë koalicione, nuk i ka ngel ai borxhli koalicionit, por koalicioni atij.
Do ia lani këtë borxh?
Absolutisht, ai është shumë i mirëpritur, por e ke vetë parasysh se ai është individualist, normal, se ashtu duhet të jetë. Marrëdhëniet me të janë marrëdhënie të një respekti reciprok.
I është ofruar ndonjë post konkret?
Do të them një gjë, ai ka individualitetin e tij dhe të garantoj që në ato kontakte është një nga ata njerëzit që më parë vë parimin sesa karrigen e tij. Këtë ma ka faktuar ai. Por unë kam respekt për të. Ka ruajtur një pozicion realisht të vetin, të pavarur, dhe nuk mund të thotë kush se e tërhoqa pas qerres.
Domethënë e paskeni mbyllur marrëveshjen?
Jo, nuk e kemi mbyllur. Po ta kisha mbyllur, do të thosha. Tregoi një qëndrim të favorshëm shumë në zgjedhje, nuk bëri koalicion, por nuk vuri kandidat. Faktikisht për ne ishte një rrethanë shumë pozitive.
Favorizoi rezultatin tuaj…
Pa diskutim, është një faktor në Tiranë.
Zoti Ndoka është afruar gjë këto kohë?
Problemi është se me partitë e spektrit të djathtë është gjëja më normale, që nuk mund të ketë asnjë lloj qëndrimi tjetër, përveçse përpjekjes për mirëkuptime, sepse është spektri.
Pra, keni filluar negociata?
Unë s’them se janë filluar negociata, por është parti e spektrit.
© Panorama.al











