NEW YORK- “Shqipëria është e hapur për biznes” Kjo ishte ftesa e kryeministrit, Sali Berisha për të gjithë investitorët, ndërsa ishte i ftuar nderi për të bërë mbylljen e sesionit ditor të bursës së mirënjohur amerikane NASDAQ, në Times Square, New York.
“Vendi im është i vogël, por modeli i tij ekonomik provoi se ishte një histori suksesi. Shqipëria ishte një prej pak vendeve që nuk e njohu recesionin në këtë krizë ekonomike të madhe.”- tha kryeministri në fjalën e tij.
Pasi bëri një prezantim të shkurtër të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe suksesit të modelit të saj ekonomik, kreu i qeverisë tha se modeli ekonomik i Shqipërisë bazohet në një qeveri të vogël, barrë fiskale të ulët dhe investime të mëdha në klimën më të mirë të mundshme ndaj biznesit.
“Në Raportin e Konkurrueshmërisë Globale, vendi im qëndron dhjetëshen e parë të qeverive për ndërhyrjen më të vogël në ekonomi. Tani, NASDAQ do mbyllë ditën, por Shqipëria është e hapur për biznes. Rruga jonë nuk është një bulevard me lule, por është një rrugë shpresash, një rrugë ku ëndrrat bëhen realitet,” tha ai.
Berisha shtypi butonin e ziles që sinjalizon mbylljen e sesionit ditor të NASDAQ dhe iu dorëzua trofeu që simbolikisht u jepet personaliteteve botërore që bëjnë mbylljen ditore të bursës, ndërsa gjatë gjithë kësaj ceremonie, përreth një orë, në ekranin e NASDAQ Tower janë shfaqur video promovuese të Shqipërisë, me imazhe mbresëlënëse të bregdetit dhe natyrës shqiptare, e cila tërhoqi interesin e qindra qytetarëve në Time Square.
© Panorama.al











