Një ditë pas deklaratës së kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili tha se Komisioni për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale është një iluzion, Grupi Parlamentar i PS ka marrë vendimin për të vazhduar punën.
Burime nga mbledhja e Grupit Parlamentar të PS bëjnë me dije se puna me dy komisionet e Posaçme për Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore do të vijojë më axhendën e përcaktuar.
Sipas Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste “nuk ka më kohë për të humbur”.
Qëndrimi i PS vjen pas vendimit te kryesisë së PD për ndërprerjen e bashkëpunimit me PS, kjo pas zgjedhjes së Avokatit të Popullit.
Çfarë deklaroi Berisha një ditë më parë?
Sali Berisha tha dje ne një komunikim me ndjekësit se diskutimet për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale janë iluzive për Partinë Demokratike, duke theksuar se e vetmja rrugë është protesta.
“Natyrisht me këtë Edi Rama tregoi se çdo lloj çdo lloj negociate, çdo lloj ideje për zgjedhje, reformë territoriale është iluzive dhe Partia Demokratike i përgjigjet atij në mënyrën më të merituar. Ne kemi vetëm një rrugë, protestën, protestën dhe vetëm protestën për largimin e tij nga pushteti”, tha Berisha.
© Panorama.al












