
Pa parulla. E tillë ishte mbrëmë fushata mbyllëse e PD për zgjedhjet e 8 majit Parullat e mëdha, në përmasa dhe germa, që jemi mësuar të shohim rëndom nëpër evenimente politike e sidomos mitingje, nuk ishin në asnjë cep. Në vend të tyre simpatizantët e djathtë mbanin vetëm disa fletë të vogla kartoni, ku shkruhej: “Ju jeni të parët”; “Basha për Tiranën”, si dhe flamuj. Më saktë, “koktej” famujsh të Partisë Demokratike dhe forcave politike aleate në koalicion,
por edhe ato të Bashkimit Europian, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke qenë se flamujt e këtyre të fundit janë blu, ashtu si të Partisë Demokratike dhe asaj Republikane, i gjithë sheshi “Nënë Tereza” u dominua nga kjo ngjyrë. Megjithatë, flamujt e kuq të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ato të verdhë të Lëvizjes së Legalitetit “e thyenin” disi blunë, por ajo forcohej sërish në podium, te tapeti mbi shkallë, neonet ndriçuese dhe disa dekore të tjera. Pse jo, edhe te veshjet e zyrtarëve më të lartë të PD-së, ku menjëherë ra në sy fustani i kryeparlamentares Jozefina
Topalli, apo kollarja e vetë kryeministrit Sali Berisha, teksa përqafuan Bashën. Takimi i tyre përkoi me hapjen e fushatës, ku Basha shkoi drejt foltores…
FEMRAT SI DEKOR
Premtimi për të qenë një kryebashkiak ndryshe ka qenë fokusimi kryesor i fjalimit të Bashës, por ndryshe ishte edhe fasada pas tij. Femrat kanë qenë dekori surprizë i kandidatit të djathtë për Bashkinë e Tiranës. Qindra të reja, nëna dhe gra, të rreshtuara në formë drejtkëndëshi, rrinin më këmbë përgjatë shkallëve të korpusit të Universitetit dhe në
duar mbanin parulla sa një fletë libri, ku shkruhej: “Basha për Tiranën”. Disa prej tyre kishin të shënuar edhe rrugën se nga vinin, ose njësinë bashkiake. Në “pushtetin” e tyre ishin vetëm 5 meshkuj, por si këta, si femrat, nuk i ngrinin miniparullat lart. Në mënyrë statike i mbanin para gjoksit, ndërsa i lëvizën vetëm në momentin kur Basha tha: “Kandidati tjetër nuk është armiku ynë, ai thjesht nuk duhet të jetë më kryetari i Bashkisë sonë. Nuk harroj kurrë që të gjithë qytetarët, miq apo kundërshtarë, janë qytetarë të këtij qyteti”. Pas kësaj deklarate, femrat shpërthyen në duartrokitje, por edhe më shumë kur në podium u shfaq bashkëshortja e Bashës, Aurela dhe vajza e tij, Dafina. Ky ka
qenë momenti kulmor i mitingut, pasi kur vogëlushja iu hodh në krahë të atit, simpatizantët tentuan të kalojnë
shiritin e bardhë të sigurisë. Entuziazmi vijoi edhe me lëshimin e qindra tullumbaceve, të cilat shënuan fundin e fjalimit të Bashës si kandidat për kryetar Bashkie në Tiranë. Pas tij, në foltore u shfaq Berisha, por edhe minipostera ndryshe…
NDËRROHEN SLOGANET
Duket se fushata mbyllëse e koalicionit “Aleanca për qytetarin” ka pasur organizatorë me fantazi, por dhe të saktë. Asnjë detaj nuk i ka shpëtuar regjisë e, për më tepër, sloganet. Kur Berisha zuri vendin e Bashës në podium, dekori i femrave nga pas ndërroi posterat e vegjël. Ato nxorën fletët e bardha, ku shkruhej “Ju jeni të parët” (“Ju” me ngjyrë të
kuqe dhe me blu “jeni të parët”), ndërsa ato të Bashës i fshehën poshtë këtyre. Sërish me të njëjtin qëndrim statik, gratë lëshonin brohoritje sa herë Berisha thoshte diçka shumë të rëndësishme dhe sidomos kur iu drejtua Bashës direkt
me fjalën kryebashkiak: “I dashur zoti Lulzim Basha, qytetari i parë i ardhshëm i Bashkisë së kryeqytetit, i Bashkisë së Tiranës”. Fjalitë pasuese kanë qenë pjesët më të mira të deklarimeve nëpër mitingjet e zhvilluara këtë muaj nëpër Shqipëri, ndërsa shmangu krejtësisht emrin e kundërshtarit politik, kandidatit të majtë për Bashkinë e Tiranës dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama. Vetëm në një deklarim të fundit, teksa po bënte thirrje për të votuar
kandidatët e djathtë më 8 maj, e “preku” tangent: “Orët që na ndajnë nga data 8 le t’i shndërrojmë në orë meditimi. Asnjë të mos mbetet në rrugën e vetmisë. Me ne është ngrohtë, me ne është njerëzi, me ne është besim, me ne është e ardhme”. Duke thërritur tri herë “fitore” dhe me shpërthim fishekzjarrësh, ishte fundi i fjalimit të Berishës, por edhe i gjithë fushatës për zgjedhjet vendore të 8 majit 2011
ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











