
Kryeministri Sali Berisha ka inspektuar dje punimet në rrugën Librazhd – Fushë-Studen, me gjatësi 41 km dhe investim 2.8 miliardë lekë. Kjo rrugë lidh Librazhdin me Ostrenin dhe është pjesë e Unazës verilindore të vendit. Aktualisht po punohet në dy segmente, përkatësisht me gjatësi 10.5 kilometra dhe 30.5 kilometra. Në fjalën e tij para banorëve të zonës, kreu i qeverisë nuk ka bërë asnjë koment politik, por është përqendruar vetëm në investimet në infrastrukturë. “Kjo rrugë është një nga segmentet më të rëndësishme të Unazës verilindore të vendit, e cila fillon në Rragam të Valbonës, përfundon në Librazhd dhe vijon me Unazën juglindore në Korçë, Ersekë, Leskovik, Përmet, Kardhiq, Delvinë. Në këtë mënyrë ne lidhim rreth 90 komuna të vendit me akse kombëtare. Në këtë mënyrë ne bëjmë disponibël një potencial të jashtëzakonshëm turistik që fillon në Alpet e vendit, vazhdon në vargmalet e Korabit, Gjallicës dhe vjen këtu në parkun kombëtar të Shibenikut”, u shpreh Kryeministri. Sipas tij, “kjo është alternativa jonë. Alternativa jonë është që aty ku ju jetoni, në Stëblevë, në Valbonë, në Kala të Dodës e kudo të ndërtojmë një infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve. Të keni shkolla moderne. Sot, në shkollat tuaja, këtu dhe në mbarë Shqipërinë, fëmijët lundrojnë në internet njëlloj si fëmijët e vendeve më të zhvilluara të Europës. Të keni rrugë të standardeve më të mira, kanalizime, ujësjellës. Pra të keni infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve”.











