Berisha, ftesë amerikanëve: Ejani të investoni në Shqipëri

Sep 20, 2011 | 11:40
Berisha dje në Forumin e Investimeve SHBA-Shqipëri

Kryeministri Sali Berisha fton investitorët amerikanë të vijnë në Shqipëri. Kreu i qeverisë ka mbajtur një fjalim në Nju Jork, ku mori pjesë në Forumin e Investimeve SHBA-Shqipëri, me pjesëmarrjen e rreth 100 kompanive dhe sipërmarrjeve amerikane. Në fjalën e tij, Berisha u ndal në masat e ndërmarra nga qeveria për krijimin e një klime të mirë për investimet e huaja. Ai u shpreh se “18 vjet më parë, vendi im ishte i vetmi vend në Europë ku investimet e huaja direkte ishin të ndaluara me Kushtetutë. Këtë vit, Shqipëria është i vetmi vend në Europën Juglindore me një rritje të qartë, kristal, në investimet e huaja direkte. Për vendin e kombin tim, investimet e huaja direkte janë të një rëndësie të lartë, për të kapur kohën që tmerrësisht kemi humbur. Unë erdha sot këtu për t’ju takuar e për t’ju ftuar, me një ndjenjë të vërtetë përgjegjësie dhe optimizmi, sepse vendi im gjatë këtyre viteve ka krijuar një mjedis shumë miqësor për ju, për investitorët nga e gjithë bota”. Kryeministri u ndal gjithashtu edhe në çështjen e pronësisë, që ka qenë një prej problemeve të investitorëve të huaj, të cilët kanë dashur të investojnë në vendin tonë. Sipas Berishës, qeveria ka nxjerrë një ligj që mbron investitorin dhe nëse ka një pretendim për pronën, pretenduesi do të jetë në gjykatë përballë qeverisë dhe jo ndaj atij që e ka blerë tokën. “Investitorët, në raste të rralla kanë pasur probleme me pronësinë. Qeveria ime nxori një ligj, që është unik, sipas të cilit, çdo investitor mund ta blejë tokën nga individë privatë, bazuar në dokumente origjinale dhe asnjë ankesë nuk mund t’i paraqitet atij, çdo ankesë do të mund t’i paraqitet qeverisë. Dhe në rastet kur ka kundërshti, nuk është më çështje midis investitorit dhe reklamuesit, por midis qeverisë dhe këtij të fundit”, theksoi më tej Kryeministri. Forumi për Investimet, i pari i këtij lloji që mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u prit me interes të madh nga përfaqësuesit e kompanive dhe grupeve financiare amerikane që e ndoqën atë. Një pjesë e tyre kanë projekte konkrete, që pritet t’i prezantojnë në Shqipëri. Ndër kompanitë dhe grupet financiare më të mëdha të pranishme ishin “Google”, “Coca Cola”, kompania minerare “Alcoa”, “American Express”, që ofron shërbime financiare, “Bechtel”, kompania e sigurimeve dhe shërbimeve financiare “Chartis”, “UBS”, “Patton Boggs”, “Marriot Group”, “Behre Dolbear”, “Morgan Stanly” etj. Gjatë ditës së djeshme, kreu i qeverisë, i shoqëruar nga ministrat Bumçi e Haxhinasto, u takuan me delegacionin kosovar, i cili ndodhet në Nju Jork. “Gjatë darkës, dy delegacionet diskutuan zhvillimet e fundit në Kosovë, duke theksuar se veprimi i fundit i qeverisë së Kosovës dhe EULEX-it për vendosjen e doganierëve në kufirin verior të Kosovës, do të kontribuojë në konsolidimin e mëtejshëm të shtetit të së drejtës, në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar dhe konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve të Kosovës. Gjithashtu, dy delegacionet koordinuan qëndrimet dhe përpjekjet për lobimin për njohjet e mëtejshme të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin për shtyp të qeverisë.

© Panorama.al

Te lidhura